Komunitet

S’ka shërbime pa rinovuar kartën e identitetit

Qytetarët që janë në prag të skadencës së dokumentacioneve identifikuese, si karta identiteti dhe pasaporta, do të kushtëzohen nga institucionet vendore dhe qendrore në ofrimin e shërbimeve. Kushtëzimi do të lidhet me paraqitjen e mandat-pagesave dhe vërtetimeve të tjera të nevojshme për aplikimin për dokumentit të ri.

Njoftimi është bërë nga Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, përmes një postimi në rrjetet sociale. Lleshaj thotë se Zyrat e Gjendjeve Civile janë në gatishmëri për të punuar me orare të zgjatura për të informuar dhe ndihmuar qytetarët që u skadojnë këto dokumenta në gjysmën e parë të këtij viti.

“Neglizhenca për të kryer detyrimin e pajisjes me dokumentet bazë të identifikimit mund të krijojë probleme për marrjen e shumë shërbimeve të rëndësishme, që nga udhëtimet jashtë vendit e të tjera”, shkruan Lleshaj.

https://www.facebook.com/lleshajsander/posts/304741073508561

Në muajin dhjetor, Ministria e Brendshme zhvilloi një takim me prefektët dhe kryetarët e bashkive, ku u diskutua edhe kjo çështje. Gazeta Si ka mësuar se Ministria e Brendshme ka hartuar një plan veprimi për t’u mundësuar qytetarëve që të pajisjen me kartë identiteti me letërnjoftimin elektronik përpara datës 30 qershor, ditës kur votohet për zgjedhjet vendore. Drejtori i Përgjithshëm i Zyrës Gjendjes Civile, Bledar Doracaj thotë për gazetën thekson se është hartuar një plan i detajuar me qëllim pajisjen në kohë të shtetasve me mjetin e identifikimit.

“Plani i Veprimit parashikon ngritjen e qendrave të reja për t’i ofruar shërbimin qytetarë për t’u pajisur me letërnjoftimin elektronik. Hapja e posteve të reja do të realizohet në bashkëpunim me kompaninë. Nuk besoj se do të ketë fluks aplikimesh, por ne i kemi marrë masat që të punojnë edhe me orare të zgjatura”, deklaroi Doracaj.

Sipas të dhënave, janë rreth 1.4 milionë karta identiteti skadojnë në periudhën janar-qershor 2019. Kjo është pjesa e parë e atyre shtetasve që morën për herë të parë në Shqipëri në vitin 2009. Afati i vlefshmërisë së këtyre kartave është 10-vjeçar.

Kompania Aleat merret me prodhimin dhe pajisjen me letërnjoftime elektronike dhe me pasaportat biometrike. Kostoja e pajisjes me kartë identiteti është 1500 lekë, ndërsa e pasaportës biometrike është 7500 lekë. Çmimi i dy mjeteve identifikimit u rrit me një vendim të qeverisë të vitit 2015. Një shtetas përpara se të paraqitet për aplikim në zyrat e gjendjes civile që ndodhet para bashkive apo njësive administrative duhet të blejë kuponin në zyrat e Postës. Sipas Aleat afati i prodhimit të kartës është 15 ditë. Aplikimi për letërnjoftim elektronik bëhet për qytetarët shqiptarë që kanë mbushur moshën 16 vjeç dhe vlefshmëria e letërnjoftimit elektronik është 10 vjet.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë