Politike

1.4 milionë zgjedhës pa karta rrezikojnë të mos votojnë

Nga Bledar Hoti- Për zgjedhjet e ardhshme vendore të 30 qershorit 2019 në listën paraprake të votuesve figurojnë rreth 3,5 milionë shtetas me të drejtë vote. Në ekstraktin zgjedhor të shpallur nga ministria e Brendshme është përcaktuar edhe numri i personave me të drejtë vote. “Të drejtën e votës në Shqipëri sipas ekstraktit e kanë 3,549, 909 shtetas, ndër ta, rreth 50,5% e zgjedhësve janë meshkuj dhe rreth 49,5 % femra. Nga lista janë hequr 1264 që vuajnë dënimin me burg dhe 1309 persona mbi 100 vjeç”, thuhet në njoftimin e ministrisë, në ditën ku u publikua lista paraprake.
Kjo është një procedurë që realizohet sa herë që ka zgjedhje në Shqipëri, me qëllim për t’i lënë kohë shtetasve që të gjejnë emrat e tyre në listë, e në rast se nuk gjenden të reklamojnë pranë njësive të qeverisjes vendore, ose pranë njësive administrative. Si rregull bashkitë apo njësitë administrative në Tiranë duhet të afishojnë listat në vende publike. Por ky proces që është ende në fazat e para ka nisur me një alarm nga ana e opozitës shqiptare.
Janë 1.4 milionë shtetas me të drejtë vote që iu skadon karta e identitetit (letërnjoftimi). Një fakt i tillë u bë prezent nga deputeti i PD-së, Oerd Bylykbashi, gjatë seancës parlamentare të së premtes, në përgjigje të ftesës së kreut të grupit parlamentar të PS-së, Balla për të miratuar ndryshimet e Kodit Zgjedhor. “Ju na ftoni për të votuar ndryshimet në Kodin Zgjedhor, ndërsa ju nuk na keni kthyer përgjigje se si do të veproni me 1,4 milionë zgjedhës që iu skadon karta e identitetit”, deklaroi Bylykbashi.


Sipas të dhënave, rreth 1.4 milionë karta identiteti skadojnë në periudhën janar-qershor 2019. Kjo është pjesa e parë e atyre shtetasve që morën për herë të parë në Shqipëri në vitin 2009. Afati i vlefshmërisë së këtyre kartave është 10-vjeçar.

Modeli i kartës së identitetit


Në Shqipërisë numri i pjesëmarrësve në zgjedhje është i ulët dhe me raste e kalon nivelin 50%. Në zgjedhjet e fundit parlamentare të vitit 2017 pjesëmarrja në zgjedhje ishte 46,7 %. Nga 3,452,324 zgjedhës morën pjesë në votime 1,613, 975 votues.
Kodi Zgjedhor parashikon që në momentin e votimit, zgjedhësi paraqet para komisionit si mjet identifikimi kartën e identitetit ose pasaportën biometrike. Pa këto dokumente nuk do të lejohen të votojnë.
Kjo situatë ka vënë në lëvizje edhe ministrinë e Brendshme, e cila ditët e fundit zhvilloi një takim me prefektët e kryetarët e bashkive. Në fokus të takimit ku ishin çështjet që lidhen me përgatitjet e MB-së dhe njësive vendore, për procesin e zgjedhjeve lokale të qershorit 2019, ministri Sandër Lleshaj e ka konsideruar procesin e ardhshëm të zgjedhjeve lokale, me rëndësi të dyfishtë: për mirëqeverisjen nga njëra anë dhe për të dhënë një dëshmi të fortë të pjekurisë, që duhet të tregojë vendi për të qenë gati për hapjen e negociatave me BE-në.

Ministri Lleshaj gjatë takimit të zhvilluar me prefektët e krerët e bashkive për çështjet e zgjedhjeve

Në këtë takim është bërë prezent fakti edhe për skadimin e 1,4 milionë kartave të identitetit. Ministri mësohet se u ka kërkuar kryetarëve të Bashkive të tregojnë kujdes të shtuar, për të shmangur lëvizjet dhe regjistrimet fiktive të shtetasve, para periudhës elektorale duke theksuar se do të ketë kontrolle dhe do të merren masa për shkeljet. Ndërsa një nga detyrat e lëna nga Ministri i Brendshëm për njësitë vendore, veçohen: afishimi në vende të dukshme i listave zgjedhore; zgjedhja në kohë e ambienteve për qendra votimi, për të shmangur në maksimum ambientet private; përditësimi i Adresarit; shtimi i zyrave të Gjendjes Civile përgjatë 2019, vit kur duhen rinovuar rreth 1.4 milion karta identiteti të cilave u skadon vlefshmëria.

Plani i Veprimit për kartat
Gazeta Si ka mësuar se ministria e Brendshme ka hartuar një plan veprimi për të mundësuar qytetarëve që të pajisjen me kartë identiteti me letërnjoftimin elektronik përpara datës 30 qershor, ditës së votimit. Drejtori i Përgjithshëm i Zyrës Gjendjes Civile, Bledar Doracaj në një prononcim për Gazetën SI thekson se është hartuar një plan i detajuar me qëllim pajisjen në kohë të shtetasve me mjetin e identifikimit.
“Plani i Veprimit parashikon ngritjen e qendrave të reja për t’i ofruar shërbimin qytetarë për t’u pajisur me letërnjoftimin elektronik. Hapja e posteve të reja do të realizohet në bashkëpunim me kompaninë. Nuk besoj se do të ketë fluks aplikimesh, por ne i kemi marrë masat që të punojnë edhe me orare të zgjatura”, deklaron Doracaj.

Drejtori i ZQGJC-së, Bledar Doraj


Në qytetet e mëdha, të mesme dhe të vogla aty ku ka qendra aplikimi mësohet se do të shtohen kapacitet. Ndërsa aty ku nuk ka dhe rezultojnë banorë, edhe aty do të hapen. Do të shtojnë hartën e veprimit të aplikimi me qëllim që të jemi sa më afër qytetarit. Do të ngrihen pranë zyrave të Gjendjes Civile. Nëse nevojitet, nëse ka fluks do të punohet edhe me orare të zgjatura”, thekson Doracaj. Më tej bëhet e ditur se Plani i Veprimit parashikon edhe informimin e qytetarëve për të kontrolluar nëse karta e tyre e identitetit e ka humbur vlefshmërinë ose jo, duke i ftuar ata që aplikojnë. Kështu janë parashikuar lançimi i spoteve televizive, shpërndarja e fletëpalosjeve apo posterave duke filluar nga zyrat e shërbimit si OSHE, Posta dhe zyrat e Gjendjes Civile, në aeroportin e Rinasit apo në pikat e kalimit kufitar, me qëllim të një njoftohen qytetarët.


Kompania Aleat merret me pajisjen e letërnjoftimeve elektronike dhe me pasaportat biometrike. Kostoja e pajisjes me kartë identiteti është 1500 lekë, ndërsa e pasaportës biometrike është 7500 lekë. Çmimi i dy mjeteve identifikimit u rrit me një vendim të qeverisë të vitit 2015. Një shtetas përpara se të paraqitet për aplikim në zyrat e gjendjes civile që ndodhet para bashkive apo njësive administrative duhet të blejë kuponin në zyrat e Postës. Ndërsa sipas Aleat afati i prodhimit të kartës është 15 ditë. Aplikimi për letërnjoftim elektronik për qytetarët shqiptarë që kanë mbushur moshën 16 vjeç dhe vlefshmëria e letërnjoftimit elektronik është 10 vjet.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë