Politike

S’ka kuorum, dështon mbledhja e KQZ-së për 13 tetorin

Mbledhja e thirrur nga Klement Zguri me rend dite shqyrtimin e kërkesës së tre partive opozitare për të nisur procedurat e regjistrimit për zgjedhjet e 13 tetorit, dështoi.

Shkak i dështimit u bë mungesa e numrit minimal të anëtarëve që do të bënte të mundur këtë mbledhje. Mbledhja u bojkotua nga përfaqësuesit socialistë në këtë Komision, për të cilët zgjedhjet vendore u realizuan më 30 qershor dhe nuk njohin 13 tetorin.

Në mbledhjen e thirrur nga ai vetë, vetëm Klement Zguri u paraqit, ndërkohë që as nënkryetari Denar Biba dhe as anëtarët e tjerë të këtij institucioni nuk ishin të pranishëm. Vecc kësaj, edhe vetë administrata e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka marrë zyrtarisht lejen vjetore.

Mungesën e kuorimit e njoftoi kreu i KQZ-zë, Klement Zguri. “Pa kuorum, mbledhja e KQZ-së nuk mund të hapet”, tha ai.

Përfaqësuesi ligjor i Lëvizjes Socialiste për Integrim e cilësoi të qëllimshëm mungesën e kuorumit dhe kujtoi dekretet e Presidentit Ilir Meta. Ai tha se në bazë të këtyre dekreteve, 30 qershori nuk është datë zgjedhjesh. Të dielën skadon afati për regjistrimin e forcave politike për zgjedhjet e 13 tetorit, të shpallura sipas dekretit të Metës, dekret që nuk vuri në lëvizje Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Përfaqësuesit e Partisë Republikane, LSI dhe Partisë Agrare Ambientaliste paraqitën ditën e premte, një ditë pas takimit me Bashën në selinë e PD kërkesën për nisjen e procedurave të regjistrimit në KQZ për zgjedhjet e 13 tetorit.

Aleatët u takuan me Bashën në orët e vona të së enjtes, pas thirrjes së Ilir Metës drejtuar KQZ-së dhe institucioneve të tjera, por edhe partive politike që të regjistrohen në zgjedhjet e 13 tetorit.

Gazeta Si mësoi se pjesë e diskutimeve ka qenë dalja me një vendim të unifikuar të opozitës së bashkuar sa i takon 13 tetorit. Aleatët e Partisë Demokratike kanë nënkuptuar edhe publikisht se janë gati që të regjistrohen në këto zgjedhje, pa e kushtëzuar këtë hap me dorëheqjen e Edi Ramës nga posti i Kryeministrit.

Në këtë takim, burime nga PD konfirmuan për gazetasi.al se edhe Basha e ka njohur 13 tetorin si të vetmen datë për zhvillimin e zgjedhjeve dhe kërkoi nga KQZ nisjen e procedurave për zhvillimin e tyre. “KQZ dhe institucionet e tjera shtetërore kanë detyrim të pashmangshëm kushtetues të përgatisin infrastrukturën për këto zgjedhje, pastaj partitë të vendosin vetë të marrin apo jo pjesë në to”, mësohet të ketë deklaruar ai.

Megjithatë, Partia Demokratike nuk i është bashkuar letrës që mban vulën e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Partisë Agrare Ambientaliste dhe Partisë Republikane. Republikanët janë aleatët më besnikë të demokratëve, por në media kanë qarkulluar këtë të shtunë se mes Lulzim Bashës dhe Fatmir Mediut ka patur një debat të nxehtë dhe me tone të forta gjatë takimit të së enjtes.

Shkak për këtë dyshohet se kanë qenë kendvështrimet e ndryshme sa i takon 13 tetorit dhe qëndrimit që duhet mbajtur ndaj thirrjeve të Ilir Metës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë