Politike

“S’jemi vasalë të PD”. Kryemadhi paralajmëron divorc me Bashën?

E drejtpërdrejtë në mesazhin e saj u shfaq kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, duke përçuar i kujtuar kryedemokratit Lulzim Basha se partia e saj nuk është vasale e Partisë Demokratike. Një deklaratë e fortë që u shoqërua me shprehjen se “Fronti opozitar nuk është një ngjyrë partiake, nuk është më njerëz të cilët janë puzzlet e njëri-tjetrit dhe që plotësojnë kërkesat e njëri-tjetrit”.
A është ky një qëndrim përkundër asaj që Basha e cilëson veten si lider të opozitës së bashkuar, e që tashmë PD-ja duhet të fillojë të llogarisë ndonjë surprizë nga radhët e koalicionit, duke filluar që nga Lëvizja Socialiste për Integrim?
Në fakt, pakënaqësitë mes LSI-së dhe PD-në po shfaqen tashmë me qëndrime publike, ku çdo dalje e Kryemadhit përbën një lajm dhe mesazh për Partinë Demokratike. Qëndrimet e dukshme dhe ndasitë, Kryemadhi do t’i bënte publike disa ditë më parë duke e shprehur se LSI-ja është e gatshme që të hyjë në zgjedhje parlamentare dhe duke qenë Rama si kryeministër. Intervistat e njëpasnjëshme dhe të sinkronizuara edhe me Presidentin Ilir Meta, i cili do të dilte dhe të aludonte për një pakt të ri politik Rama-Basha, tashmë po e shtyjnë LSI-në të rishohë pozicionimin e saj politik.


“Ne do t'u krijojmë shansin shumë djemve dhe vajzave apo dhe partive të tjera politike të cilat mund të hyjnë në një proces zgjedhor. Nuk duan as PS, as PD dhe as LSI, por duan të hyjnë në një proces zgjedhor. Sikur dje të ishin zgjedhjet, LSI është e gatshme për zgjedhje, sikur nesër të jenë zgjedhjet, LSI është e gatshme për zgjedhje...”, deklaroi kryetarja e LSI-së.
Këto qëndrime mund t’i shkaktojnë jo pak probleme PD-së, e cila duhet të përballet jo vetëm me LSI-në, por edhe me aleatët të cilët po shprehen të pakënaqur për aksionin që kanë ndërmarrë. I pari ishte kryerepublikani Fatmir Mediu i cili e ka cilësuar të gabuar dorëzimin e mandateve të deputetëve.
Rastësia me deklaratat në sinkron me bashkëshortin, Presidentin Ilir Meta, duket se nuk i bën më çudi askujt. Një pakt i ri (ndoshta në emër të integrimit) mes PD e PS, do të shthurte përfundimisht radhët e frontit opozitar. LSI do të mbetej fillikat e vetme, jashtë institucioneve dhe pa peshën e koalicionit me demokratët për zgjedhjet e nesërme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë