Njerez

Sjelljet anti-sportive të fëmijëve nxiten nga prindërit

Agresione, kërcënime, thirrje gjyqtarëve, lojtarëve apo prindërve të tjerë: prindërit gjithnjë e më shumë bëhen protagonistë të sjelljes aspak etike, ndërsa fëmijët e tyre luajnë sport. Sipas një studimi nga National Association of Sports Officials, 40% e sjelljeve josportive janë për shkak të prindërve të tyre, siç raportohet nga “New York Times”.

Sipas psikologëve të sportit, arsyeja kryesore e këtij investimi të tepruar emocional në aktivitetin sportiv të fëmijës, është paraja. Prindërit shpenzojnë shumë kohë dhe burime financiare dhe duan rezultate më të mira, në vend që të shikojnë fëmijët e tyre të bëjnë më të mirën ose të argëtohen. Disa presin një kthim të investimeve të tyre dhe shpesh shpresojnë për kontratat profesionale, duke mbetur të zhgënjyer nëse rezultatet nuk vijnë.

Një studim i vitit 2016, i botuar në “Journal of Family Relations”, zbuloi se familjet mund të shpenzojnë më shumë se 10% të të ardhurave vjetore, në përgjithësi më shumë për djemtë sesa për vajzat. Por, sa më shumë që fëmijët mendojnë se prindërit investojnë shumë në sportin e tyre, aq më shumë ata ndihen nën presion dhe kanë më pak kënaqësi.

Një arsye tjetër për investimin e prindërve në sportin e fëmijëve është dëshira për t'u bërë pjesë e një komuniteti. Nëse jeta e tyre shoqërore zhvillohet atje, ata duan të mbrojnë pozitën e tyre. Dëshira për t'u bërë pjesë e një grupi dhe për një kthim ekonomik të investimeve të tyre nuk kufizohet vetëm në sport, por edhe në aktivitetet artistike të fëmijëve, si muzika, vallëzimi ose teatri.

Në SHBA shumë organizata sportive po përpiqen të frenojnë këtë fenomen duke u kërkuar prindërve të nënshkruajnë kodet e sjelljes së mirë, me gjoba për ata që nuk binden ose ndëshkime për prindin ose pezullime për ekipin nga garat.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë