Futboll

Sjellje raciste dhe naziste, UEFA procedon Bullgarinë

Ndeshja eliminatore mes Bullgarisë dhe Anglisë u ndërpre disa herë, për shkak të sjelljeve raciste të tifozëve vendës. Anglezët e kishin marrë iniciativën ditë më parë: në korin e parë racist do të linin fushën. Dhe kështu ndodhi në Sofje, ku koret raciste, madje edhe ato naziste, nuk munguan.

UEFA ka hapur një procedim disiplinor për Bullgarinë, pas sjelljes së tifozëve të saj, por ende nuk ka vendosur për datën e diskutimit të kësaj çështjeje. Situata në Bullgari ishte krejtësisht e papranueshme. Përveç koreve raciste, pati edhe sjellje naziste nga një grup tifozësh, në fushë u hodhën sende të forta, ndërkohë që pati edhe vërshëllima gjatë himnit anglez. Për të gjitha këto UEFA ka nisur hetimin, aq më tepër që pati edhe ndërprerje të ndeshjes. Por edhe Federata Angleze e Futbollit mund të gjobitet për vërshëllimat gjatë ekzekutimit të himnit bullgar. Pas ndeshjes, presidenti i Federatës Bullgare të Futbollit, Borisllav Mihajllov, dha dorëheqjen.

Moment nga ndërprerja e ndeshjes Bullgari-Anglia, për shkak të koreve raciste. Gazeta Si, 16 tetor 2019

UEFA ka nisur një hetim edhe për festimin e lojtarëve të Turqisë në ndeshjet me Shqipërinë dhe Francën. Ata kanë bërë një festim ushtarak që i referohet sulmit të Turqisë në territoret kurde në Siri. Një veprim që është dënuar nga të gjithë, pasi nxit luftën. Shqipëria shpreson për Europianin, pasi Turqia mund të përjashtohet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë