Financa Personale

Sivjet bakllavaja më e vogël dhe gjeli i detit “u bë” me krahë

Nga Gazeta 'Si'- Që në krye të herës, fillimi i luftës në Ukrainë paralajmëroi që tregjet globale do të prekeshin nga një ‘dimër i madh çmimesh’, me rritje të vazhdueshme që do të rëndonin xhepat e konsumatorëve.

Shtrenjtimi vijoi zinxhir, që nga prodhimet e tokës, te grumbulluesit dhe shitësit me shumicë e deri te stendat e tregjeve ku blejnë shqiptarët.

Ndonëse rritja e çmimeve të produkteve ushqimore në prag festash është një “traditë” e vazhdueshme në vendin tonë, këtë vit rritja do të jetë disa herë më e madhe.

Gazetasi.al bëri një analizë duke marrë për bazë vetëm gatimet tradicionale të festës duke u bazuar në çmimet e ingredientëve në supermarkete dhe në tezgat e fruta-perimeve.

Gjeli i detit, një nga pjatat që edhe tipizon festat e fundvitit, sipas fermerëve është shtrenjtuar me 500 lekë këtë vit. Pra një gjel deti i cili mesatarisht peshon 4 kilogramë, kushton këtë vit rreth 4800 lekë nga 3200 që ishte vitin e shkuar.

Halit Bana, një prej tyre, thotë për Gazetasi.al se një gjel deti, peshë e gjallë, sot në tregje shitet 1200 lekë për kilogram, nga 800 që ishte vitin e shkuar në të njëjtën periudhë.

“Rritja erdhi sepse u rritën çmimet e bazës ushqimore. Misri është shtrenjtuar nga 37lekë/kg në 58 lekë/kg.

Soja ishte 95 lekë/kg ka shkuar 125 lekë/kg ndërsa vaji i sojës (pjesë e bazës ushqimore për pulat dhe gjelat) ishte 150 lekë/litër ka shkuar 300 lekë/litër”, thotë ai për Gazetasi.al ndërsa shton se ashtu si fermerë të tjerë është detyruar të rrisë çmimet.

Për ta gatuar atë me përsheshin tradicional, receta do kushtojë ca më tepër duke llogaritur edhe miellin, qepët dhe gjalpin që duhet për recetën.

E njëjta panoramë pasqyrohet dhe me çmimin e mishit të viçit dhe të qingjit.

Një kilogram mish viçi që para luftës kushtonte 700 lekë tashmë kushton 1100 lekë, ndërsa një kilogram mish qingji nga 1000lekë që ishte para luftës, kushton rreth 1300lekë. Pra tre kg mish qingji, do t'u kushtojnë shqiptarëve 3900 lekë.

Sallata ruse, një tjetër element gjithmonë i pranishëm në tryezën e festave gjithashtu do të kushtojë më tepër këtë vit.

Me të gjithë përbërësit e saj që kanë ndjerë rritje të ndjeshme, përveç bizeleve që kanë rritjen më të ulët me 10 lekë, sallata ruse do të kushtojë rreth 1380lekë nga 1047lekë, për një sasi për 5 persona.

Bakllavaja “e kripur” këtë vit

Rritja më e ndjeshme do të jetë tek bakllavaja për shkak edhe të shtrenjtimit të gjalpit, një nga ingredientët kryesorë për përgatitjen e saj.

Donjaldo Hoxha, nga Shoqata e Industrisë së Qumështit tha për Gazetasi.al se gjalpi u rrit për faktin se fabrikat po blejnë nga fermerët qumësht me çmim rreth 50% më të lartë.  

Kjo, për shkak se kostot e ushqimit të bagëtive, kryesisht himet, janë dyfishuar.

Me gjithë përbërësit e saj, një tepsi bakllava këtë vit do të kushtojë rreth 2366 lekë nga 1429 që ishte vitin e shkuar në të njëjtën periudhë.

Ndërsa nëpër pastiçeri, shitësit thonë se qytetarët shqiptarë po blejnë në përmasa më të vogla, duke u fokusuar tek tepsitë e mesme.

Edhe birra e vendit ka ndjerë shtrenjtim, kryesisht me 30 lekë më shumë.

“Qelqi është shtrenjtuar me 70% dhe njëkohësisht edhe lëndët e tjera si elbi dhe kartoni ambalazhues janë rritur 30% secila në tregjet e huaja. Ndërsa shtrenjtimi i naftës përbën rreth 12-15% të kostove tona të produktit”, tha për Gazetasi.al Stefan Pinguli, kreu i Shoqatës së Prodhuesve të Birrës.

Një shishe birrë kushton rreth 140 lekë. Pra nëse në një mbrëmje festive konsumohen mesatarisht tetë birra, fatura që duhet të paguajnë shqiptarët është 1120 lekë.

Vitin e shkuar, tetë të tilla kushtonin rreth 960 lekë. Ndërsa këtë vit duhet të konsumoni një birrë më pak.

Në total, për këto elementë kryesorë të festës, fatura shkon në 13566 lekë pa llogaritur frutat dhe pijet e tjera.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë