Futboll

Situatë kritike te Milani, dilema e madhe është trajneri

Natë shumë e gjatë për drejtuesit e Milanit. Maldini, Boban dhe Masara, pas humbjes turpëruese 0-3 me Fiorentinën në “San Siro”, thuajse e kanë gdhirë, ndërsa sot kanë takim me djalin e pronarit të fondit “Elliott”, Gordon Singer. Çështja kryesore është ajo e trajnerit Xhampaolo, me të cilin Milani vazhdon të zhgënjejë javë pas jave.

Nga përfaqësuesit e fondit “Elliott” është diskutuar shumë kohët e fundit për shitjen e Milanit, edhe pse ka pak kohë që e kanë blerë këtë klub. Por një marke i duhet dhënë vlerë para se të shitet, ndërkohë që te Milani situata ka precipituar keq e më keq. Për këtë arsye, një eksponent i kompanisë si Gordon Singer ka ardhur në Milano për t’u takuar nga afër me drejtuesit e klubit. Boban, Maldini dhe Masara qëndruan në “San Siro” mbrëmjen e së dielës. Sapo përfundoi ndeshja, Maldini doli para kamerave dhe përsëriti besimin ndaj trajnerit Xhampaolo. Ai foli për autokritikë, pranoi se rezultatet janë zhgënjyese, ashtu si dhe niveli i lojës. Pranoi edhe kontestimet e tifozëve, duke u dhënë të drejtë atyre.

Maldini foli edhe për zgjidhje që trajneri duhet të gjejë brenda grupit, por mund të ketë të reja shpejt dhe zgjidhjet mund t’i gjejë dikush tjetër e jo Xhampaolo. Vendimi nuk është aspak i thjeshtë, sepse shkarkimi i Xhampaolos në këtë moment do të hidhe poshtë gjithçka që drejtuesit kuqezi kanë thënë deri tani. Situata është kritike dhe emra si Klaudio Ranieri, Rudi Garsia, ndoshta edhe Gatuzo, janë gati për të marrë drejtimin e Milanit. Projekti i drejtuesve të tij duket se do të ndryshojë formë shumë shpejt.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë