Futboll

Siti betejë ligjore me Premier Ligën, kryetari i jurisë është ortak tek Arsenali

Gazeta Si - Mançester Siti vazhdon betejën ligjore, duke bërë rekurs për akuzat e dala nga Premier Liga për shkelje të mundshme të normave ekonomiko-financiare për 9 sezone, nga 2009/10 në 2017/18. ‘Qytetarët’ kontestojnë ligjshmërinë e hetimit dhe përfshirjen e avokatit të ngarkuar për procesin disiplinor.

Sipas ‘The Times’, Siti ka bërë rekurs në lidhje me ndryshimet e fundit në rregullat e Premier Ligës, duke pretenduar se nuk duhet të aplikohen në hetimet për shkeljet të supozuara të mëparshme. Po ashtu, kontestohet përfshirja e Murray Rosen KC, kreut të jurisë së pavarur të Premier Ligës, si person që emëron presidentin e komisionit disiplinor. Ka dyshime për paanshmërinë e këtij personi, pasi ai është ortak tek Arsenali.

Murray Rosen KC, avokati i kontestuar nga Siti. Gazeta Si, 19 maj 2023

Veprimet e fundit ligjore të Mançester Sitit mund të sjellin të tjera vonesa në lidhje me përfundimin e çështjes. Ekspertët ligjorë mendojnë se duhen nga 2 deri në 4 vjet. Çdo përplasje ligjore mes klubeve dhe Ligës duhet fillimisht të kalojë në një gjykatë arbitrare, për të kaluar më pas në Trupën e Lartë dhe Trupën e Apelit.

Nëse vërtetohen akuzat, mund të ketë pasoja të ndryshme për Mançester Sitin, mes të cilave një penalizim në klasifikim e deri në përjashtim nga kampionati. Në rrezik janë edhe titujt e fituar e fituar në periudhën që po hetohet nga Premier Liga: 3 tituj kampion, 1 FA Cup dhe 1 Carabao Cup.

Mes akuzave për klubin e sheikëve janë llogaritë financiare jo precize për 9 sezone, mungesë bashkëpunimi për hetimin, mosdorëzim dokumentesh sipas kërkesave për 5 sezone, mungesë furnizimi të detajeve për pagesën e ish-trajnerit Roberto Mançini dhe shumë lojtarëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë