Ne rrjet

Sistemi i ri i emigracionit: Si mund të punoni në Britaninë e Madhe

Nga e marta, të gjithë shtetasit e huaj, përfshirë ata nga Bashkimi Europian, që dëshirojnë të punojnë në Britaninë e Madhe do të duhet të aplikojnë online për vizë. Ata që duan të pajisen me vizë do të duhet të kenë kontrate pune, të kenë njohuri të gjuhës angleze dhe të fitojnë të paktën 25,600 paund në vit.

Qytetarët e BE-së që tashmë jetojnë në Britani dhe familjet e tyre nuk do të duhen të kalojnë nëpër sistemin e ri, mirëpo duhet të aplikojnë në një skemë të veçantë dhe do të kenë kohë deri në 30 qershor të vitit të ardhshëm.

Mbretëria e Bashkuar është larguar nga BE-ja më 31 janar, mirëpo ka ndjekur rregullat e bllokut europian përgjatë periudhës 11-mujore të tranzicionit, ndërkohë që të dyja palët synojnë të arrijnë marrëveshjen tregtare.

Teksa bisedimet vazhdojnë në Londër, Mbretëria e Bashkuara është duke u përgatitur për t’u larguar nga tregu evropian dhe unioni i doganave në fund të këtij viti.

Qeveria ka njoftuar se është duke krijuar një Qendër Kufitare, e cila do të garantojë vëzhgimin e mallrave dhe pasagjerëve që shkojnë dhe dalin nga portet britanike. Një softuer i veçantë do të përdoret për të mbledhur informacion për mallrat dhe pasagjerët.

Sistemi i ri i emigracionit i ngjashëm me të atë australian

Sistemi i ri i emigrimit do të përcaktojë se kush mund të punojë në Britani nga 1 janari. Aplikacionet për viza të punëtorëve të kualifikuar do të gjykohen në bazë të sistemit të pikëve, që është zbatuar në Australi për shumë vjet.

Pikët do të krijohen varësisht nga oferta e punës, njohuritë e gjuhës angleze dhe paga Çmimi i aplikimit do të jenë në mes të 610 dhe 1,408 paund dhe njerëzit duhet të tregojnë se kanë mundësi për të mbështetur veten, si dhe të kenë dëshmi të identitetit.

Sekretarja e Brendshme britanike, Priti Patel ka thënë se sistemi do të jetë “i thjeshtë, efikas dhe fleksibil”, dhe do t’iu mundësojë punëtorëve që të mbushin zbrazëtirat e kualifikimeve, duke vënë barrën mbi kompanitë që të trajnojnë dhe investojnë në punëtorët britanikë.

Patel dhe kritikë tjerë të lëvizjes së lirë kanë argumentuar se kompanitë britanike janë të varura nga punëtorët jo shumë të kualifikuar nga kontinenti dhe se aplikuesit nga vendet tjera të botës janë në disavantazh të madh.

Mirëpo sindikatat kanë paralajmëruar për vështirësi rreth rekrutimit të stafit sipas rregullave të reja dhe thonë se duhet bërë më shumë për të mbështetur punëtorët e stafit shëndetësor që kanë lindur jashtë Britanisë dhe që po u skadojnë vizat.

Në mesin e mundësive të reja për aplikim do të jetë edhe ajo për “personat që kanë talent të jashtëzakonshëm apo premtojnë për një talent të tillë në fushat e inxhinierisë, shkencës, teknologjisë apo kulturës”.

Rregullat e reja për studentët ndërkombëtarë kanë nisur së zbatuari në muajin tetor.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë