Biznes

Sistemi financiar i kanabisit, një industri gjysmë e ligjshme

Kur Scot Garrambone dhe partnerët e tij nisën të shisnin kanabis po shpresonin që të fitonin shumë para, por nuk e dinin që nuk do t’i dilte koha për t’i numëruar.

Kompania e tyre, Dreamfields, me qendër në qytetin e vogël të Desert Hot Springs, nxori më shumë se 2 milion dollarë të ardhura atë vit, të gjitha cash. Grupi nuk mund të merrte pagesa elektronike dhe nuk kishte asnjë bankë të gatshme të mbante depozitat e tyre. Kjo la Garrambone dhe kolegët e tij, të cilët vetë-financuan biznesin e tyre në mungesë të ndonjë huaje bankare, të merreshin vetë me paratë dhe rrezikun e vjedhjes.

"Ne do të kalonim gjithë ditën vetëm duke numëruar dhe paguar njerëzit në para. Ne e bëmë atë për rreth një vit",- thotë Garrambone, zyrtari kryesor financiar i Dreamfields.

Kompani të tilla të kanabisit janë midis ligjit shtetëror dhe atij federal.

Pavarësisht se Kalifornia e ka bërë marijuanën të ligjshme në vitin 2016, për qeverinë fedeerale ajo është ende një substancë e paligjshme. Kështu edhe bankat më të mëdha kanë ndjekur hapat e qeverisë federale, duke lënë mënjanë shërbimin për kompanitë e kanabisit.

Tani, 3 vite më vonë, Garrambone thotë se pothuajse të gjitha transaksionet e kompanisë së tyre bëhen elektronikisht. Mund të marrë kredi dhe të depozitojë.

Fitimet e tregut të kanabisit në SHBA llogariten në 20 bilionë dollarë për vitin 2020 dhe parashikohen të shkojnë në 41 bilionë në vitin 2025. Mund të themi që është një ndër industritë më fitimprurëse jashtë sistemit bankar.

Një ligj për rregullimin e sistemit financiar të këtij aktiviteti shkoi deri në Senat në vitin 2019 dhe aty u rrëzua. U rikthye dhe njëherë në prill të vitit 2021, por ngeli një draft.

Duke pasur parasysh masën e industrisë së kanabisit, kompani të tjera mbushën hapësirën për të ofruar shërbime financiare për to. Shpesh duke ngarkuar tarifa fitimprurëse që do të ishin të vështirë për t'u marrë diku tjetër.

Kur shtetet e para votuan për legalizimin e marijuanës për qëllime kurative në 2012, industria në përgjithësi ishte e vetëfinancuar, ose përdorte para të gatshme nga miqtë dhe familja ose grupe të veçanta të investitorëve privatë. Kreditë ishin të pakta.

Industria mori një drejtim të ri financiar kur në vitin 2016 u bë publike në bursat në Kanada pasi kompanitë e kanabisit kanë më shumë oferta shërbimesh.

Midis 2016 dhe 2019, 73 kompani kanabisi dolën publike në Kanada përmes ofertave publike fillestare dhe blerjeve të kundërta, por ka pasur vetëm katër hyrje të reja që nga viti 2020, sipas Viridian Capital Advisors, një firmë këshilluese financiare dhe strategjike e fokusuar në kanabis.

Kanabisi në SHBA është ende një industri shumë aktive me rreth 27.000 kompani që merren me marijuanën, sipas Jefferies. Kostot e huamarrjes ndryshojnë shumë, me pjesëmarrësit e industrisë dhe huadhënësit që thonë se normat mund të jenë aq të ulëta sa 8% në vit, por shkojnë midis 12% dhe 20% , në varësi të madhësisë së huamarrësit dhe asaj që ata janë në gjendje të ofrojnë si kolateral.

Kjo është shumë më e madhe se ajo që kompanitë jo-kanabis do të prisnin të paguanin. Sidoqoftë, konkurrenca më e madhe midis huadhënësve ka ulur normat.

“Tarifat kanë rënë ndjeshëm. Kur fillova të flisja me huadhënësit, ata po citonin midis 18 dhe 26 %", thotë Michael Schwamm, një partner në firmën juridike Duane Morris i cili këshillon kompanitë dhe investitorët në industrinë e kanabisit.

Disa qeveri kanë prezantuar programe për të siguruar që përfitimet nga industria e kanabisit të shpërndahen në mënyrë më proporcionale në grupe të ndryshme shoqërore, përfshirë afrikano-amerikanët. Illinois, për shembull, ka fshirë mijëra arrestime të mëparshme të lidhura me kanabisin, të cilat mund ta bëjnë një aplikant të papërshtatshëm për një vend pune dhe ka ngritur një fond huaje për "barazi sociale" me vlerë deri në 34 milionë dollarë.

Tregu i paligjshëm i kanabisit ishte me vlerë 66 miliardë dollarë në vitin 2020, më shumë se trefishi i madhësisë së tregut të ligjshëm, vlerëson Neë Frontier Data. Kjo ishte kryesisht nga shtetet të cilat ende nuk e kanë dekriminalizuar plotësisht kanabisin, por shitësit e paligjshëm janë gjithashtu konkurrues në shtetet ku konsumatorët mund të bëjnë blerje të ligjshme. Në Kaliforni, shitjet e ligjshme të kanabisit për përdorim kurativ arritën në 4.5 miliardë dollarë,  nga 8 miliardë dollarë në shitjet e paligjshme.

Për vetë kompanitë legalizimi do të ishte një ndihmë. Por për këta ofrues të shërbimeve financiare, ka pyetje se çfarë do të ndodhë me modelet e tyre sapo bankat e zakonshme të marrin dritën jeshile për të hyrë në industri dhe nëse kjo periudhë e normave më të larta të huadhënies do të zhduket.

Një shpresë është se bankat do të hezitojnë të zhyten në bankat e kanabisit edhe nëse bëhet federale e ligjshme.

Megjithatë, për Garrambone, qëllimi është i qartë dhe rritja e industrisë së kanabisit do të vazhdojë të përparojë. Kanabisi është një minierë ari.

Burimi: Financial Times/ Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë