Analize

Sinjali i Cakajt, a do ta lërë sërish prapa dere BE-ja Shqipërinë?

Pavarësisht progres-raportit pozitiv të Komisionit Europian, Ministri i Jashtëm në Detyrë, Gent Cakaj ka pranuar sot se vendimi për hapjen e negociatave me vendin tonë mund të shtyhet sërish, për shkak të turbulencave të brendshme që po kalon Bashkimi Europian pas zgjedhjeve parlamentare.

Për Cakajn, qeveria shqiptare i ka “bërë detyrat e shtëpisë”, por sipas tij, unioni në këto momente është më i përqendruar tek problemet e brendshme dhe ashtu si qershorin e kaluar mund të kemi një shtyrje të negociatave.

“Sa i përket sinjaleve për një shtyrje të mundshme, vitin e kaluar ka ekzistuar një tension serioz midis rekomandimeve teknike të Komisionit Europian dhe vlerësimeve politike të Këshillit Europoian. Por këto vlerësime politikë të Këshillit nuk kanë qenë të lidhura në mënyrë të drejtpërdrejtë me paragjykimin e progresit që Shqipëria ka arritur. Tani keni parasysh që në qershorin e kaluar, zgjedhjet europiane të cilat i kemi lënë pas, kanë qënë në horizont” deklaroi Cakaj. “Ta keni parasysh se në qershorin e vitit të kaluar dhe ende, diskutimi për reformat e brendshme, nga marrëveshja për BREXIT, deri tek reformimi i eurozonës, e deri tek politikat e fqinjësisë, kanë qenë në agjende dhe janë dicka që marrin energjinë dhe vëmendjen e anëtarëve të Bashkimit Europain dhe ekziston një mendim i përgjithshëm se Bashkimi Europian duhet të reformohet nga brenda përpara se të zgjerohet”, theksoi ministri në Detyrë.

I pyetur nga Gazeta “Si”, Cakaj tha se ky është një vendim politik i vendeve anëtarë të Bashkimit Europian më shumëse sa një vlerësim teknik për progresin e ndërmarrë nga vendi ynë. Ai e beri të qartë se vendimin e hapjes së negociatave nuk e merr Shqipëria.

“Duke marrë këtë mësim nga viti i kaluar se ekzistojnë raste kur gjykimet politike mund të mbizotërojnë mbi gjykimet teknike unë për të qene korrekt me ju dhe kjo qeveri për të qenë korrekt me secilin qytetar nuk e merr përgjegjësinë për t’ua dhënë premtimin final se negociatat do te hapen në këtë date dhe në atë datë. Ne japim përgjegjësinë dhe japim garancinë se angazhimi ynë në rrugën europiane është i patjetërsueshëm dhe i pakthyeshëm. Sinjalet vijnë të ndryshme nga vendet europiane. Përcaktimin e agjendës së Këshillit nuk e ka në dorë Shqipëria. Vendimin për hapjen e negociatave nuk e merr Shqipëria, por se qeveria për Shqipërinë do të punojë palodhshëm për të bindur vendet anëtare për hapjen e negociatave”, përfundoi Cakaj, duke konfirmuar kështu edhe paralajmërimet e shumë ekspertëve për mundësinë e shtyrjes së këtij vendimi.

Gent Cakaj

Gjithçka filloi qershorin e kaluar, kur ndërkohë që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut prisnin prapa dyerve të mbyllura, BE-ja e zhvendosi të gjithë fushën e lojës. Zyrtarët e BE-së, mes tyre edhe Emmanuel Macron, e bënë të qartë që unioni e kishte hequr në mënyrë efektive zgjerimin nga përparësitë e tij. Por a do të vinte shtyrja e negociatave për shkak të problemeve dhe krizës politike në Shqipëri dhe jo për shkak të turbulencave që po kalon BE-ja?

Për Cakajn në progres-raportin e tij Komisioni konstaton se parlamenti është funksional dhe se sipas tij, ai ka dhe një mesazh për opozitën: rikthimin në parlament.
“KE thotë se duhet të tejkalohet polarizimi politik në shërbim të interesit madhor europian dhe është fare e qartë se kush ka marrë angazhimin për punën për të ecur përpara në agjendën europiane dhe kush ka marrë veprime për të cënuar nivelin e reformave, imazhin ndërkombëtar dhe gjasat e hapjes së negociatave. Nëse shtetet anëtare do ta përdorin si alibi sjelljen e opozitës për mos hapjen e negociatave kjo është çështje tjetër, por nuk na dekurajon ne nga angazhimi i plotë në drejtim të hapjes së negociatave”, tha Ministri në Detyrë.

Megjithatë djegia e mandateve duket se nuk u ka shpëtuar syrit të vendeve më skeptike
të Bashkimit Europian, kur bie fjala tek zgjerimi. Kur ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian u mblodhën në Luksemburg vitin e kaluar për të diskutuar për hapjen ose jo të negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut , Holanda u shfaq si vendi më skeptik. Pak ditë përpara këtij takimi, Parlamenti holandez ishte mbledhur dhe në përfundim i kërkonte Qeverisë që të mos jepte dritën jeshile për Shqipërinë.

Skepticizmi holandez u reflektua edhe në raportin e parlamenti Holandez në Tiranë në 6-8 maj. Në raport thuhet se Shqipëria po bën përparim serioz në reformat gjyqësore, por se ka shqetësim për marrëdhënien mes qeverisë dhe partive opozitare, duke iu referuar krizës politike në vend.

Delegacioni i deputetëve holandezë kritikon po ashtu nivelin e dobët të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, ndërsa këshillon dialogun si zgjidhjen e vetme për çdo problematikë. Përtej Holandës, vendi më skeptik

Shtyrja e negociatave u paralajmërua fillimisht nga Dë, cila deklaronte se nga qarqet politike pranë CDU-së, partisë së Angela Merkel afati kohor që nga publikimi i raportit të progresit të KE-së, më 29 maj deri në samitin e BE-së në qershor nuk mjafton për arsye teknike për të marrë një vendim për çeljen e negociatave, ndaj burime nga CDU/CSU i thanë DË-së vendimi i tyre do të shtyhet në shtator.

Cakaj dhe Ministri gjerman Mitchael Roth

Pavarësisht zërave inkurajues nga disa zyrtarë të BE-së, shumica e liderëve të BE-së thonë se mund ta rihapin çështjen e zgjerimit sapo të zgjidhin problemet e brendshme. Por kjo mund të duhen vite dhe askush nuk e di me siguri nëse BE do të mbijetojë në këtë proces.
Edhe pse Strategjia e Zgjerimit e publikuar në shkurt të vitit të kaluar përhapi optimizëm në të gjithë rajonin, deklaratat e fundit që vijnë nga Franca dhe Holanda tregojnë se mbështetja e vendeve anëtare për zgjerimin e BE-së me Shkupin dhe Tiranën ka rënë.

Për ekspertin e Këshillit të Politikave të Demokratizimit, Bodo Weber, presidenti francez Emmanuel Macron nuk pritet ta mbajë premtimin dhe të mbështesë hapjen e negociatave.
Analisti i njohur ka dhënë një parashikim aspak pozitiv për vendin tonë duket thënë se pret që negociatat me Maqedoninë e Veriut të hapen këtë vit, por se ka shumë rezerva kur bie fjala tek Shqipëria, duke theksuar se situata në vendin tonë është bërë më e ndërlikuar për shkak të krizës politike. Sipas tij, një tjetër shtyrje do të ishte një goditje e rëndë për Shkupin dhe Tiranën.

“Vonesa e vendimit në vitin 2018 e ka komplikuar tashmë procesin e marrëveshjes së Prespës dhe dëmtoi demokracinë dhe sundimin e ligjit në Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri. Një vonesë tjetër do të ishte e papërballueshme”, thotë Weber, duke e krahasuar situatën me Kosovën. “Përkundër plotësimit të të gjitha kërkesave për liberalizimin e vizave, të cilat janë hequr tashmë për vendet si Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia, shqiptarëve të Kosovës iu mohua udhëtimi i lirë nga Këshilli i Ministrave, i cili vendosi të mos ndjekë rekomandimet e Komisionit. Ky ishte një turp për BE-në dhe një goditje e madhe për kredibilitetin e Bashkimit Europian në Kosovë”, shton eksperti.

Po ashtu Nikolaos Tzifakis, profesori i politikave në Universitetin e Peloponezit thotë se BE-ja nuk duhet ta përkeqësojë situatën duke përsëritur ngjarjet e vitit të kaluar.

“Nëse BE-ja nuk hap negociatat, BE-ja do të humbasë kredibilitetin në rajon. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë nevojë edhe për tetë vjet të tjera për anëtarësimin në BE. Prandaj, BE ka kohë të mjaftueshme për të zgjidhur problemet e saj para pranimit të njërës prej këtyre dy vendeve “, thotë ai duke kujtuar se situata është tashmë më e komplikuar këtë vit për shkak të zgjedhjeve parlamentare europiane.

Angela Merkel dhe Edi Rama

“Një mënyrë tjetër për të interpretuar mungesën e entuziazmit për çdo vendim që do t’i sillte vendet e Ballkanit Perëndimor një hap më afër BE-së midis disa vendeve anëtare është situata e tyre e brendshme politike”, thekson Ëeber. “Kjo është veçanërisht e vërtetë për Holandën dhe Danimarkën, të cilat gjithashtu votuan kundër hapjes së negociatave në vitin 2018, si pasojë e partive populiste që i ushtrojnë presion qeverisë” shpjegon ai.

Sipas Srgjan Majstoroviç, kryetarit të Qendrës së Politikave Europiane, disa qeveri të BE-së i janë nënshtruar agjendës populiste, në vend që të përpiqen të rindërtojnë një BE të re, bazuar në një pikëpamje të qartë dhe strategjike. Më e keqja sipas tij është fakti se populistët kanë marrë në dorë edhe rajonin.

“Për fat të keq, nuk mund t’i shpëtojmë faktit se liderët që u pranuan si kampionët reformistë në rajon u kthyen në mjeshtër të politikave populiste dhe nacionaliste, sapo perspektiva e anëtarësimit në BE u zbeh. Nëse kjo ndodh përsëri, humbësit më të mëdhenj do të jenë qytetarë të rajonit”, thotë Majstoroviç.

Zhdukja e një perspektive realiste të zgjerimit të BE-së, ndonëse jo një surprizë e madhe për rajonin, ka pasur një ndikim të madh në Ballkan. Humbja e opsionit të vetëm të sigurt që mund të strehojë dhe gradualisht të qetësojë të gjithë aktorët e ndryshëm të Ballkanit ka nxitur idetë dhe iniciativat nacionaliste, separatiste dhe populiste midis politikanëve të rajonit.

Rusia, Turqia, Kina dhe aktorët e tjerë të huaj kanë përdorur gjithashtu vakuumin të krijuar nga prania e BE-së dhe SHBA-së për të forcuar qëndrimet e tyre në rajon. Në këtë proces, Rusia është mbështetur në lidhjet e saj historike me Serbinë, ndërsa Turqia dhe shtetet e Gjirit kanë përdorur lidhjet e tyre me boshnjakët në Bosnje. Ndërkohë Kina ka shfrytëzuar burimet e saj të bollshme dhe mungesën e kushteve politike.

Në muajt e fundit, rajoni ka përjetuar një rilindje të rrezikshme të tensioneve etnike, politike, ekonomike dhe sociale. Shenjat e këtyre tensioneve përfshijnë iniciativave të reja separatiste të serbëve të Bosnjes, rritjes së armiqësive mes Serbisë dhe Kosovës, skandalit të spiunazhit që përfshinin Kroacinë, Bosnjen dhe Slloveninë dhe protestat në Serbi, Shqipëri dhe Mal të Zi.

 

Më Shumë