Shendet

Sinjale të forta në ISHP për variantin Delta. Bino: Shikojmë një rritje të rasteve në grup-moshat e reja

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu tha se ka sinjale të forta për variantin Delta të Covid-19 në Shqipëri.

“Kemi dyshime të arsyeshme nga sinjalet laboratorike se në Shqipëri qarkullon varianti Delta. Por ende jemi në pritje të rezultateve të Laboratorëve të Referencës për ta vërtetuar këtë dyshim tonin. Ajo çfarë është e rëndësishme, duke u nisur edhe nga çfarë po ndodh në vendet përreth, ku shihet që ka një rritje të qarkullimit të këtij varianti dhe ka nevojë për të rritur ndërgjegjësimin në fakt për procesin e vaksinimit. Vaksina është arma e vetme që ne kemi”, tha Manastirliu.

Ajo ka ndjekur procesin e vaksinimit me njësitë e lëvizshme në Ndroq, në periferi të Tiranës. Duke folur për interesin në rritje për vaksinimin anticovid edhe mes të rinjve, Manastirliu tha se do të ketë sërish javë të hapura të vaksinimit masiv +18 vjeç. “Javët e hapura të vaksinimit do të vijojnë. Fakti që kemi disponibilitet dhe lloje të ndryshme vaksinash në të gjitha strukturat tona shëndetësore na krijon mundësinë që të vazhdojmë vaksinimin për çdo grupmoshë. Sigurisht që këto ditë kanë treguar që vaksinimi i hapur ka funksionuar. Ditët e fundit kanë treguar që është rritur mbulimi me vaksina për të gjitha grupmoshat dhe shihet një interes në rritje edhe për grupmoshën e re, pra +18 vjeç”, tha Manastirliu.

Ndërkohë duke folur për rastet e reja me Covid19 që kanë pësuar rritje ditët e fundit, shefja e Departamentit të Epidemiologjisë në ISHP, prof. Silva Bino tha: “Shikojmë një rritje të rasteve në grupmoshat e reja. Pra grupmoshat të cilat predominojnë në atë numër të kufizuar rastesh që kemi, janë grupmoshat nga 15 në 24, nga 25 në 34 dhe 35 në 44 dhe mbi 70 vjeç kemi pasur raste. Pra është e rëndësishme që këto grupmosha, sidomos grupmoshat e reja të vaksinohen”, tha Bino.

Në 24 orët e fundit janë kryer mbi 14 mijë vaksinime, ndërkohë që prej fillimit të procesit të vaksinimit, janë kryer 1,109,785 vaksinime në të gjithë vendin.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë