Mançester Junajtid është i madh ndaj të mëdhenjve dhe i vogël ndaj të vegjëlve. Kur bëhet fjalë për kundërshtarë me emër, skuadra e trajnerit Solskjaer jep më të mirën dhe bën ndeshje të mëdha edhe në rastet kur humb, siç ishte ajo e fudnit ndaj Liverpulit. “Djajtë” në të tilla ndeshje tregojnë se nuk janë aspak inferiorë ndaj skuadrave që qëndrojnë më lart në klasifikim.
Porblemi i Mançester Junajtid janë ndeshjet me skuadrat e ashtuquajtura “të vogla”, ku ndonjëherë paraqitja është e turpshme. Për këtë arsye, trajneri Ole Gunar Solskjaer e ka kërkuar zgjidhjen te psikologu, siç bën me dije “The Sun”. Norvegjezi kërkon ndihmën e tij për të larguar “sindromën e të voglave” nga lojtarët dhe për t’i zhbllokuar ata. Pesë nga shtatë humbjet në kampionat, “Djajtë” i kanë ndaj skuadrave që qëndrojnë në gjysmën e poshtme të renditjes, siç janë Uatfordi, Burnemuthi, Uest Hemi, Njukasëlli dhe Kristal Pallasi. Po të shtojmë edhe barazimin me Aston Vilës, që qëndron në zonën e rënies, është e qartë se lojtarët e Junajtid kanë probleme psikologjike. Mançester Junajtid ka mundur Çelsin, Leiçesterin dhe Sitin në “Etihad”, si dhe është i vetmi ekip që i ka marrë pikë Liverpulit.
Në këtë situatë, është më mirë t’i besosh një profesionisti dhe Solskjaer, sipas tabloidit anglez, i ka kërkuar klubit të gjejë psikologët më të mirë për sportin, në mënyrë që t’i bindin lojtarët e tij të përballojnë njësoj edhe ekipet “e vogla”. Prova e parë është ndeshja e radhës me Bërnlein që drejtohet nga Sean Dyche, një ekspert i vërtetë kur bëhet fjalë për të vënë në vështirësi skuadrat e mëdha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.