Arsim

Sindikata e universiteteve kërkon shtyrjen e zgjedhjeve

Sindikata e punonjësve të universiteteve të Shqipërisë i ka bërë thirrje Ministrisë së Arsimit dhe Sportit për shtyrjen e zgjedhjeve në universitetet publike.


Sipas SPUSH këto zgjedhje në kohë pandemie dhe në mungesë të studentëve në universitetet publike, janë tërësisht formale, sepse ato nuk krijojnë asnjë premisë e mundësi reale për konkurrim të ndershëm dhe të paanshëm.
Në konstatimin e sindikatës thuhet se në kushtet kur numri i të prekurve me Covid-19 shtohet nga dita në ditë, hapja dhe zhvillimi i fushatës për zgjedhje presupozon takime dhe grumbullime studentësh e pedagogësh me kandidatët për dekanë dhe rektorë.
Sipas SPUSH studentët nuk janë të pranishëm në universitete gjatë muajit korrik për shkak të gjendjes së pandemisë.


"Në zbatim të Urdhrit të Ministrit, nr. 104, datë 30.04.2020, vetëm studentët e vitit të tretë Bachelor dhe ata të vitit të dytë Master zhvillojnë provime gjatë muajit korrik. Tre kurset e tjera, përkatësisht kursi I dhe II Bachelor dhe kursi I Master i zhvillojnë konsultimet dhe provimet në muajt shtator dhe tetor. Nga një analizë që SPUSH u ka bërë orareve të provimeve në universitete të ndryshme rezulton se sezoni i provimeve në gjithë fakultetet mbaron më 25 korrik 2020, pra 5 ditë para zgjedhjeve, ndërkohë që disa universitete e fakultete (si Fakulteti i Gjuhëve të Huaja) po i zhvillojnë provimet on-line. Urdhri 104, datë 30.04.2020, detyron universitetet për : “... krijimin e mundësive për kthimin në auditor të studentëve të viteve të para dhe të viteve të ndërmjetme të të gjitha cikleve të studimit, për përsëritjen e leksioneve, seminareve apo punëve laboratorike, pas datës 25 gusht të vitit 2020, për një periudhë jo më pak se 4 javë”. Kjo hedh poshtë konstatimin e Ministres Shahini se “... Sipas raportimeve që IAL-të kanë paraqitur për prezencën e studentëve në ambientet e tyre, muaji korrik do të ketë një numër të madh studentësh të pranishëm në provime.”!!!," thuhet më tej në deklaratë


Sipas sindikates, zhvillimi i zgjedhjeve në universitete në këtë periudhë nuk krijon mundësi reale të ushtrimit të së drejtës së votës së studentëve, në mënyrë të veçantë, atyre me banim jashtë qytetit dhe rrethit ku ndodhen universitetet. "Si mund të shkojnë studentët nga rrethet për të votuar në universitetet e Tiranës apo ato rajonale? A mund të urdhërojë MASR kthimin e të gjithë studentëve në auditore vetëm për shkak të zgjedhjeve? A mund të organizojë MASR ose universitetet transportin e sigurtë të studentëve të rretheve për takime elektorale dhe në ditën e votimit në universitete?", ngre pyetjet SPUSH, qe kërkon nga Ministria e Arsimit dhr Sportit që të gjej një zgjidhje të përshtatshme ligjore për zgjedhje plotësisht legjitime.

Gjithashtu SPUSH ka deklaruar se është e gatshme të bashkëpunojë me MASR dhe Asambletë Akademike të universiteteve për të zhvilluar zgjedhjet në një moment të dytë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë