Në 20-vjetorin e vrasjes së Azem Hajdarit, familjarë, politikanë, gazetarë kanë vendosur kurora me lule në memorialin e heroit të demokracisë. Në nder të tij u mbajt edhe një simpozium për të kujtuar veprën që Azem Hajdari la pas.
Ish-kryeministri Sali Berisha e cilësoi Hajdarin lider epokal. Ai tha se është joreale që të mendosh që Azemi nuk kishte armiq.
“Azem Hajdari ishte një lider epokal. Ai u ekzekutua nga shteti me uniforma. Por është joreale të mendosh se Azemi nuk kishte armiq. Azemi ishte një tribun në çështjen kombëtare”, tha Berisha, ndërsa nuk ngurroi që ta mbyllte: “Azem ti je gjallë”.
Presidenti Ilir Meta në 20-vjetorin e vrasjes së deputetit të PD-së, Azem Hajdari, vlerësoi figurën e heroit të demokracisë.
Teksa e cilësoi Hajdarin si figurë të përmasave epokale, Meta theksoi se ishte në gen demokrat.
“Dua të nënvizoj rëndësinë se figura e tij nuk ishte e rastësishme. Azemi ishte një njeri i lindur i lirë, ishte një njeri i lindur i guximshëm. Këtë e tregoi përgjatë gjithë jetës së tij. ishte një njeri me genin e ti demokrat. Këtë e tregoi jo vetëm në dhjetor të 90 por edhe më pas. Për shumë çështje të caktuara kishte mendimet e veta. Ishte njeri i bashkëpunimit dhe me vlera shoqërore të veçanta. Kishte një kimi të lindur me njerëzit aq sa shprehja që ka mbetur ende; sa njerëz i mblidheshin Azemit kur i shpohej goma e makinës, nuk i mblidhej askujt. Ndaj dëshiroja që të vazhdoja më tej. Demokracia nuk vjen as si dhuratë, dhe as qëndron e tillë. Azem Hajdari është një figurë e përmasave epokale që ka dhënë një mesazh të pavdekshëm”, tha Meta.
Basha u shpreh se Azem Hajdari ishte simbol i kurajës për liri dhe jeta e tij e shkurtër, por e plotë, duhet të frymëzojë brezat.
“Sot e kujtojmë Azem Hajdarin dhe mikun e tij të pandarë Besim Ceren në 20-vjetorin që na mori njeriun por na dha legjendën e tribunit dhe heroit të demokracisë, të pavdekshmit Azem Hajdari. E kujtojmë sot Azemin si njeri, si prind, si bashkëshort, si shok, si mik, si qytetar. E kujtojmë dhe respektojmë sot Azemin si lider si simbol të kurajës për liri, dinjitet dhe të drejta njerëzore. Sot më shumë se kurrë, jeta e shkurtër por e plotë e Azemit duhet të na frymëzojë”, deklaroi Basha.
Ndërsa, Besnik Mustafaj pati një kritikë të fortë për Partinë Demokratike.
Mustafaj lexoi një letër imagjinare që do të donte t’ia kishte dërguar Azemit po të ishte gjallë. Në këtë letër pati kritika për qeverinë, por edhe për Partinë Demokratike.
“Njerëzit i ka kapur një dëshpërim si në vitin 1991. Krimi ka kapur shtetin. Por, nëse atëherë njerëzit u bashkuan me PD-në dhe fituan, sot duan vetëm të largohen”, nisi fjalën e tij Mustafaj, i cili më pas shpjegoi pse duan të largohen.
“Partia Demokratike nuk është sot aty ku do të donte Azemi”, theksoi Mustafaj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.