Kombetarja

Silvinjo zgjedh ‘gladiatorët’ e tij, si pritet të rreshtohen kuqezinjtë ndaj Polonisë!

Gazeta Si – Rëndësia e ndeshjes së sotme është shumë e madhe, trajneri Silvinjo e di mirë. Ai e ka analizuar me kujdes kundërshtarin, që për hir të së vërtetës është në një moment të vështirë dhe kjo situatë duhet shfrytëzuar. Trajneri brazilian nuk ka dhënë detaje, por e ka në kokë se cilët lojtarë do të zbresin në fushë nga fillimi.

Mund të ketë ndryshime të vogla në krahasim me ndeshjen e fundit me Çekinë. Ndryshime që mund të prekin mbrojtjen dhe sulmin, ku ka dy dilema.

Etrit Berisha do të jetë titullar në portë. ‘Gardiani’ me eksperiencë po kalon një moment të mirë, pasi ndryshoi ekip në Serinë A. Para tij të sigurt duken dyshja e qendrës Gjimshiti-Ismajli. Dilema e parë është për krahët e mbrojtjes, ku mund të kemi një fanellë titullari për Ivan Balliun. Nëse Silvinjo i beson atij, Hysaj mund të spostohet në të majtë, duke ulur në stol Mitajn.

Kuqezinjte ne seancen e fundit para Polonise. Gazeta Si, 10 shtator 2023

Mesfusha duket e konsoliduar me treshen e përbërë nga Ylber Ramadani, Kristjan Asllani dhe Nedim Bajrami, me këtë të fundit pak më të avancuar, më shumë në ndihmë të sulmit. Duke përjashtuar ndonjë surprizë, ky repart nuk do të preket nga ndryshimet.

Në sulm trajneri brazilian pritet të bazohet sërish tek eksperienca e Sokol Cikalleshit. Në të djathtë do të jetë Jasir Asani, një nga lojtarët më në formë, kurse në të majtë diskutohet sërish mes Taulant Seferit dhe Myrto Uzunit. Këtë herë duket se beratasi ka më shumë mundësi për të qenë në fushë nga minuta e parë.

Alternativat në stol nuk mungojnë për stafin e Kombëtares. Lojtarë si Bare, Gjasula, Muja, Daku, Muçi dhe të tjerë janë gati për Silvinjon në çdo moment, në varësi të situatave që do të sjellë rrjedha e ndeshjes.

Formacioni i mundshëm i Shqipërisw, 4-3-3
Berisha
Balliu Ismajli Gjimshiti Hysaj
Ramadani Asllani Bajrami
Asani Cikalleshi Uzuni (Seferi)


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë