Kombetarja

Silvinjo modest: Fitojmë se jemi një, është ditë feste për gjithë Shqipërinë

Gazeta Si - Maestro Silvinjo është pa dyshim arkitekti i suksesit të deritanishëm kuqezi. Puna dhe zgjedhjet e tij kanë rezultuar të goditura. Braziliani ka rritur shumë një skuadër që më parë kishte ulje-ngritje të mëdha. Tani Shqipëria e tij i sheh të gjithë nga lart në grupin e saj.

Pas fitores me Poloninë, trajneri i kuqezinjve theksoi: “Para se të flas për ndeshjen, dua të komplimentoj gjithë tifozët që kishim në stadium. Kanë bërë një ambient të jashtëzakonshëm, na kanë ndihmuar shumë të gjithëve, kjo fitore është e gjithë popullit shqiptar.

Ishte e rëndësishme të mos humbnim. Polonia ishte një nga skuadrat që luftonte deri në fund, edhe Moldavia do të luftojë deri në fund. E kishim punuar ndeshjen për të fituar, e dinim ku ata janë të fortë. Mendoj se e kemi merituar fitoren. Ishim të vendosur mirë, por na mungonte një pasim i fundit para.

Pas golit të anuluar të polakëve bëmë një ndeshje të mirë taktike, me shpirt e zemër, atë që e kemi thënë që në ditën e parë që nuk duhet të na mungojë kurrë. Hysaj dhe Mitaj nuk mund të dilnin para, varet nga kundërshtari. Polonia ka emra si Levandovski dhe Zielinski, janë të fortë dhe po të të zënë me 3 prapa, të vrasin. Ishte strategji loje.

Na bënë presing, ishin nën trysni, sepse ishte një ndeshje e vështirë. Pastaj kush humbte, i komplikohej situata. Ishte lojë pozicionesh dhe mbajtje topi, ndaj rrezikonim pak në këtë aspekt.

Ne punojmë, është pastaj cilësia e lojtarëve, që është e jashtëzakonshme. Kemi lojtarë të shpejtë, të fortë, që shënojnë. Uzuni, Seferi, Bajrami, Muçi e shumë të tjerë, kemi shumë lojtarë që bëjnë kundërsulm të shpejtë dhe janë të aftë të shënojnë.

Pas 25-30 vitesh në futboll e kuptoj që është çështje menaxhimi dhe kushdo që hyn bën mirë. Kush del duhet të dalë i lumtur. Ne me të gjithë po bëjmë një menaxhim që rrit nivelin e lojtarëve, topi hyn në këto momente se ne jemi të gjithë një. Broja është një lojtar i madh dhe urojmë që të kthehet shpejt.

Menaxhimi i ekipit është e vërteta. Lojtarëve u kam thënë se sot është një ditë feste për të gjithë Shqipërinë. E merituam të fitonim në fushë. Është një grup i vështirë. Nuk është e lehtë, kemi tre finale dhe duhet të shikojmë para”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë