Kombetarja

Duka i emocionuar: Ekipi meriton notën 10, e ka ngritur shumë stekën tani

Gazeta Si – Shumë i emocionuar është dukur pas fitores së madhe me Poloninë edhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka. Ai është shprehur se Shqipëria meriton notën 10 për ndeshjen që zhvilloi dhe se tashmë e ka rritur shumë stekën.

“Nuk ka si të mos lotosh në raste të tilla. Kombëtarja e ka ngritur stekën, kur të marrë barazim në Europian, do ta shajmë. Gjithmonë kam thënë që çdo ndeshje, tur kualifikues varet nga të gjithë, nga stafi dhe futbollistët. Nëse jemi të gjithë pozitivë, çunat marrin energji pozitive.

Minutat e fundit të emocionojnë. Kur e mendoj tani, kam pasur frikë kot. Polonia nuk na rrezikoi asnjëherë. Ekipi meriton më shumë se 10. Kemi humbur një ndeshje në Poloni, që nuk duhet ta humbnim. Duhet të kemi parasysh që kemi edhe 3 finale, të gjitha ekipet janë të vështira.

Kemi hedhur një hap të rëndësishëm. Ne duhet të mendojmë për Çekinë, të gjithë duhet të festojmë sot. Të urojmë që në tetor të na kthehen në formën më të mirë lojtarët, kemi kohë për të menduar për nëntorin. Kemi vetëm një objektiv: Çekinë.

Nuk ka vend për eufori. Çekia është ekip më i mirë se Polonia. Të gjithë shqiptarët kanë të drejtë të festojnë. Unë kam qarë tri herë njësoj si Daku, në intervistën e dhënë pas ndeshjes me Çekinë. Daku ishte fantastik, edhe në Çeki edhe sot. Jemi rritur mjaftueshëm. Niveli është rritur goxha.

Personalisht kam besim te kjo Kombëtare, që mund të luajë kundër çdo kundërshtari. Janë lojtarë deçizivë në skuadrat e tyre. Nivel i kënaqshëm dhe të ardhmen e kanë të sigurt”, u shpreh Duka.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë