Mendim

Sikur Edi Rama të fliste më shumë…?!

Në janar të këtij viti, Prokuroria e Tiranës reagoi si rrufeja në qiell të hapur për 21 janarin. Një ditë më herët, Kryeministri Edi Rama e kishte etiketuar atë si organ pa shtyllë kurrizore lidhur me hetimet e ngjarjes.

Atëkohë, Kryeministri nuk foli me romuze në ndonjë tryezë pune e as duke e pasur përballë Prokurorin e Përgjithshëm.

E njëjta situatë u përsërit (të martën) në një takim po aq partiak.

Para deputetëve dhe ministrave, Rama hodhi sërish akuza ndaj Prokurorisë së Tiranës, se aty po mbrohej evazioni fiskal. 80 raste, sipas tij, për evazion fiskal flinin në këtë prokurori.

Pa kaluar as dita e plotë, prokuroria iu përgjigj një kërkese nga BIRN, duke i vënë në dispozicion të dhënat statistikore për kallëzimet nga organet tatimore dhe doganat qysh prej 2021-it e në vijim, si dhe ato çështje që ishin mbyllur.

Mandej, nga statistikat organi i akuzës kaloi në masa konkrete.  

Sot (e premte) Prokuroria e Tiranës kërkoi masë sigurie "arrest me burg" për një person dhe “detyrim paraqitje” për 6 të tjerë, si të dyshuar se kanë krijuar skema mashtrimi me TVSH. Dëmi i shkaktuar shtetit përllogaritet 60 milionë lekë të reja.

Ja pra, nga fjala tek veprat nuk u dashka edhe kaq kohë.

Vetëm se në këtë rast, ai që foli ishte Rama dhe ajo që veproi ishte Prokuroria.

Sikur Rama të fliste më shumë...?!


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë