Futboll

Siguria në stadiume, kostot dhe pikëpyetjet për të ardhmen

Nga Fatjon Rupi – Ndryshimi i ligjit për sigurinë në stadiumet tona, për garantimin e një ndeshjeje futbolli nga policia private dhe jo nga Policia e Shtetit, ka nxitur një debat të gjerë, sepse dhuna u shfaq në përmasa të frikshme që në ndeshjen e parë të kampionatit. Skënderbeu-Partizani ishte një ndeshje testuese në këtë drejtim, por u pa qartë se dështoi. Dhuna mes dy tifozërive ndërpreu ndeshjen për më shumë se 15 minuta dhe vetëm ndërhyrja e policisë së shtetit, e cila hyri në stadium, vendosi rregullin.

Në një tryezë të rrumbullakët të organizuar nga FSHF-ja me drejtuesit e klubeve disa ditë para nisjes së kampionatit, u diskutua edhe kjo temë. Gjithçka ishte bërë fakt i kryer, por klubet janë vënë në dijeni jo shumë muaj më parë për ndryshimin e ligjit. “Sivjet rikthehet në kampionat një përplasje e madhe sportive e kulturore, siç është derbi i kryeqytetit. Problemet e sigurisë të së kaluarës shpresojmë të mos i kemi, pasi ka edhe një tërheqje vëmendjeje të policisë për këto probleme. Ligji ka ndryshuar dhe Policia e Shtetit nuk do të jetë më në stadium. Pozitiv është fakti se nuk do të kemi policë në stadium, si gjithë Europa, por kjo gjë kërkon dyfishin e mundit tuaj”, u është drejtuar përfaqësuesve të klubeve Aldi Topçiu, përgjegjës i marrëdhënieve juridike në FSHF.

Momente nga dhuna në stadiumin e Korçës

Gara ka nisur me shumë dhunë. Dhe, po aq të shumta janë edhe pikëpyetjet: Sa e gatshme është shoqëria jonë sportive për ta parë një ndeshje vetëm me polici private në stadium? A e përballojnë dot klubet tona koston shtesë për të paguar policinë private? Si do të vazhdohet, pas asaj që ndodhi në Korçë? A do të kontribuojë FSHF-ja financiarisht, duke i ndihmuar klubet për të përballuar shpenzimet? A mund të kemi një rishikim të ligjit?

Kostoja financiare për klubet e Superiores shtohet ndjeshëm, sidomos për klubet e mëdha, që në ndeshjet derbi apo në sfidat me rivalët direktë duhet të angazhojnë një numër të madh policësh privatë që të garantojnë sigurinë. Të ardhurat që klubet tona sigurojnë nga shitja e biletave dhe e drejta televizive janë në raport të zhdrejtë me koston për sigurinë. Për një ndeshje të rëndësishme, siç ishte për shembull Skënderbeu-Partizani, duhen të paktën 200 stjuartë dhe kostoja shkon afërsisht 1 milion lekë të rinj, pasi për një stjuart kompania private kërkon 5 mijë lekë të rinj. Nga shitja e biletave, çmimi i të cilave ndryshon sipas sektorëve të stadiumit, nga 200 lekë të rinj deri në 2 mijë lekë të rinj, një klub mund të përfitojë 300-400 mijë lekë të rinj. Është e qartë se humbja financiare në të tilla ndeshje është e madhe dhe klubet tona e ndjejnë. Futbolli shqiptar nuk prodhon dhe e ka të vështirë të gjenerojë të ardhura, përveç ndonjë klubi që shet ndonjë lojtar, të ardhura nga e drejta televizive apo pjesëmarrja në kupat e Europës, që gjithsesi janë të ardhura të pakta.

Edhe për Policinë e Shtetit ruajtja e rendit në stadiumet e futbollit ka qenë gjithë kohën një angari totale, si për koston financiare, ashtu edhe për atë njerëzore. Efektivët e Policisë së Shtetit janë angazhuar në këtë detyrë jashtë orarit zyrtar të punës dhe nuk i kanë marrë kurrë dietat për këto orë pune shtesë, madje edhe mjaft impenjative. 

Por si e shohin këtë çështje drejtuesit e klubeve tona, ata që preken direkt në këtë histori? Ardjan Takaj, presidenti i Skënderbeut, për Gazeta Si shprehet: “Ajo që ndodhi në ndeshjen me Partizanin e zbehu fitoren tonë dhe jemi mjaft të shqetësuar për këtë fakt. Nuk e di si do të vazhdojmë, por është një problem realisht shqetësues. Kostoja financiare për klubet rritet. Fjala është për ndeshje të rëndësishme, ku ka më shumë tifozë dhe duhet një numër i lartë policësh privatë. Por ajo që më shqetëson më shumë është se sërish siguria nuk është e garantuar. Është diçka që nuk mund ta parashikosh se çfarë mund të ndodhë me tifozët gjatë ndeshjes. Mendimi është se duhet riparë si çështje për të mirën e përbashkët. Nëse është vullneti për ta bërë një gjë të tillë, me siguri do të ketë një zgjidhje, ndoshta për një bashkëpunim më të mirë mes të gjitha palëve që në stadiumet tona të mos ketë probleme sigurie”.

Ardjan Takaj dhe Sinan Idrizi në stadiumin “Skënderbeu”

Kurse administratori i Flamurtarit, Sinan Idrizi, për këtë problem tha: “Teorikisht jam shumë dakord për të mos pasur polici në stadiume, të jemi si gjithë Europa. Madje, kam vite që e kam kërkuar këtë gjë. Por gjithçka duhet të jetë një plan dhe një strategji e detajuar për mënyrën si do të garantohet siguria në stadiumet tona. Kosto ka, nuk ka diskutim, por kjo është një çështje më vete, aq më tepër kur dihet se futbolli në Shqipëri nuk prodhon. Ashtu siç është një çështje më vete ajo që duhet të ketë një standard dhe jo një klub të trajtohet si “i nënës” dhe një klub tjetër si “i njerkës”. Pra, e mbështes ligjin e ri për sportin në teori, pastaj praktika është një temë që ha diskutim. Gjithsesi, e theksoj se ky është një hap që duhej ndërmarrë ndoshta më parë. Duhet të mësohemi dhe për ata që ushtrojnë dhunë duhet të ketë dënime shembullore deri sa të disiplinohemi”.

Fatmir Mëneri

Gazetari i mirënjohur, Fatmir Mëneri, ish-kryeredaktor i “Sport Ekspres”, për çështjen në fjalë thekson se është e parakohshme dhe duhet gjetur një formulë miks për momentin për të garantuar sigurinë: “Çështja e sigurisë në stadiumet tona duhej marrë me më shumë seriozitet nga të gjitha palët e përfshira. Personalisht, mendoj se është e parakohshme për futbollin shqiptar, duke ditur kushtet e tij dhe ligjvënësit tanë e njohin situatën. Ata vetë kanë konstatuar se pak stadiume në vendin tonë plotësojnë kushtet për sigurinë dhe shteti ka për detyrë që të krijojë kushtet e nevojshme në çdo stadium. Zgjidhja e momentit mund të jetë një organizim miks, ndoshta 70% Polici e Shtetit dhe 30% stjuartë. Kështu mund të veprohet deri sa ligji të rishikohet. Për klubet ka kosto financiare, por së pari them se çdo stadium duhet të plotësojë kushtet për sigurinë. Nuk është se vetëm ndeshjet me shumë tifozë mund të sjellin probleme, sepse në një moment të caktuar edhe 100 tifozë mund të bëjnë “gjëmën”. Thjesht duhet ndërtuar një sistem i shëndoshë për të garantuar sigurinë dhe për këtë duhet bashkëpunim”, – ka thënë Mëneri për Gazeta Si.

 

Më Shumë