Rend dhe Ligj

Si u ul me “ligj” dënimi për Edmond Begon?

Saga e Edmond Begos me drejtësinë italiane nis që në prill të vitit 2007. Në atë kohë, gjykata e Torinos në Itali e dënon me 27 vite e 8 muaj burg, që duke aplikuar zbritjen e gjykimit të shkurtuar u ul në 18 vite e 5 muaj burg. Kundër këtij vendimi është bërë ankim në Gjykatën e Apelit në Torino.

Fiks një vit më vonë, kjo gjykatë ka ndryshuar vendimin e përmendur më lart dhe e ka dënuar shtetasin shqiptar Edmond Bego me 21 vjet burgim. Edhe në këtë rast është zbritur një e treta e vendimit për shkak të gjykimit të shkurtuar dhe në fund Bego duhej të vuante 14 vite burg.

Vendimi do të merrte formë të prerë në prill të 2009-s, kur Gjykata e Kasacionit në Romë rrëzon kërkesën e rekursit të paraqitur nga avokati i Edmond Begos dhe lë në fuqi vendimin e Apelit të Torinos.

Pak ditë pas këtij vendimi, Prokuroria e Torinos ka kërkuar që edhe në rastin e Begos të aplikohet aministia e përgjithshme e shpallur nga shteti italian dhe ulja e vendimit për Edmond Begon me 11 vjet burgim. Pas kësaj Ministria italiane e Drejtësisë i është drejtuar Ministrisë së Drejtësisë shqiptare me kërkesën për ekzekutimin e vendimit.

Në nëntor të 2009, Ministria e Drejtësisë i drejtohet Prokurorisë së Përgjithshme ku kërkon njohjen e vendimit me të cilin është dënuar Edmond Bego. Një muaj më vonë, prokuroria i është drejtuar Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë.

Kjo gjykatë e njohu kërkesën e prokurorisë dhe cilësoi të vlefshme dosjen e mbërritur nga Italia duke urdhëruar arrestimin e Edmond Begos. Bego apeloi çështjen në Gjykatën e Apelit, e cila në shkurt të 2010 la në fuqi vendimin e Shkallës së Parë.

Fati i Edmond Begos nga drejtësia do të vendosej në Gjykatën e Lartë. Këtu, përmes avokatit të tij ai nuk kërkoi rikthimin e çështjes për rigjykim, por së pari refuzimin e kërkesës së Prokurorisë, pasi sipas palës mbrojtëse mes dy vendeve nuk kishtë një marrëveshje për njohjen e vendimeve penale të formës së prerë. Së dyti Bego përmes avokatit thotë se nga ana e shtetit italian, nuk është bërë një kërkesë për njohje të vendimit penal të dhënë nga ana e tyre, por thjesht është kërkuar që shtetasi Manoli Bega, apo Edmond Bego të dërgohet në Itali për të vuajtur atje dënimin e dhënë kundër tij dhe në fund kërkon që të zbatohet Kodi Penal shqiptar për akuzat e ngritura nga pala italiane.

“Duhet të caktohet një dënim përfundimtar prej 11 vjet burgim, të aplikohet ulja me 1/3 e dënimit në bazë të dispozitave për gjykimin e shkurtuar, të aplikohet ulja me 3 vjet e dënimit bazuar në ligjin Italian për amnistinë dhe përfundimisht të dënohet me 4 vjet e 4r muaj burgim”, kërkonte Edmond Bego.

Rekursi u shqyrtua nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë. Trupa e këtij Kolegji përbëhej nga Gani Dizdari, si kryesues dhe anëtar Fatos Lulo, Besnik Imeraj, Andi Çeliku dhe Majlinda Andrea. Në vendimin e publikuar në shtator të 2010, Gjykata e Lartë ka rrëzuar dy pikat e para të kërkesës së Begos, por ka miratuar të tretën dhe dënuar në përfundim me 4 vite e 4 muaj burg Edmond Begon.

Si u arrit në këtë përfundim? Në arsyetimin e vendimit të vet, Gjykata e Lartë çmon se si Gjykata e Shkallës së Parë, ashtu edhe Apeli duhet të kishin marrë parasysh për akuzat e Begos, që vendimi me 21 vite burg i dhënë nga drejtësia italiane është dënimi minimal i dhënë për këtë akuzë. Por, sipas ligjeve shqiptare, dënimi minimal për të njëjtën akuzë, në atë kohë ishte 10 vite. Trupa e Gjykatës së Lartë ka kërkuar që në vendim, gjykatat të caktonin një dënim të përafërt me minimumin e parashikuar nga dispozitat penale homologe të Kodit Penal shqiptar dhe në fund e ka dënuar me 11 vite burg.

Këtij dënimi iu zbrit një e treta pas aplikimit të gjykimit të shkurtuar dhe përfundoi në 7 vite e katër muaj burg. Zbritja e fundit u bë në bazë të ligjeve italiane, ose më saktë në bazë të amnistisë së dhënë nga shteti italian në momentin që dënimi ndaj Edmond Begos mori formë të prerë. Nga kjo aministri Bego përfitoi -3 vite të tjera dhe në fund u dënua me 4 vite e 4 muaj burg.

Sot, askush prej gjyqtarëve që dhanë këtë vendim nuk është pjesë e Gjykatës së Lartë. Gani Dizdari, Fatos Lulo dhe Besnik Imeraj vazhduan karrierën në Gjykatën Kushtetuese, deri kur nisi procesi i vettingut. Imeraj u dorëhoq para këtij procesi duke cituar arsye personale, ndërsa Fatos Lulo dhe Gani Dizdari u shkarkuan nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.

Andi Çeliku u dorëhoq si anëtar i Gjykatës së Lartë në 2017, pasi i kishte përfunduar mandati, ndërkohë që Majlinda Andrea u dënua po në 2017 me 4 vite burg me akuzën e korrupsionit pasiv, vendim që u konvertua në 3 vite shërbim prove dhe 5 të tjera heqje të drejtë për ushtrimin e profesionit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë