Futboll

Si u shty Tirana drejt vetëvrasjes në një sezon, ku mund të fitonte gjithçka!

Gazeta Si - Një mbrëmje durrsake te Tirana u bindën se era po frynte kundër tyre. Fort kundër. Deri në atë moment, pak javë para mbylljes së kampionatit, kampionët në fuqi ishin më të kuotuarit për të mbrojtur titullin, por ndodhi ajo që ata i druheshin. Ose më mirë e shihnin me sy, por nuk donin ta besonin.

Tirana kishte 5 pikë avantazh dhe kishte siguruar finalen e Kupës së Shqipërisë. Humbi me Teutën atë mbrëmje dhe njëkohësisht humbi edhe 3 titullarë para derbit, ku Partizani do të kishte shansin e parakalimit (ishte 2 pikë prapa). Por parashikimet nuk u përmbushën, Tirana mbijetoi në derbi me një barazim që e mbajti në krye.

Deshperimi i lojtareve te Tiranes pas humbjes ne finalen e Kupes me Egnatian. Gazeta Si, 4 qershor 2023

Kaloi një pengesë shumë të fortë, më pas edhe një tjetër në Laç. Dikush nisi të besonte se kjo skuadër kishte sfiduar edhe ‘Zotët e futbollit’ dhe po shkonte drejt titullit, por gjithçka u përmbys në ndeshjen me Bylisin, ku Tirana bëri vetvrasjen e madhe sportive.

Nuk mundi të fitonte, u godit nga një penallti shumë e dyshimtë dhe në fund shkarkoi gjithë tensionin dhe frustrimin e akumuluar prej shumë javësh, kur në çdo stadium dëgjonte fjalinë: “Ju nuk do ta fioni titullin!” Partizani fitoi ndeshjen e tij dhe e barazoi me pikë, aq sa i duhej për të qenë kampion.

Me titullin të humbur, disa lojtarë e drejtues të Tiranë humbën toruan dhe reaguan, duke gabuar dyfish, pasi u bënë material edhe për Komisioni e Disiplinës. Dënime masive dhe njëkohësisht një hetim, duke i dhënë Tiranës mesazhin të rrinte urtë, por dëmi ishte bërë. Drejtuesit dhe lojtarët e saj nuk mundën ta minimizonin atë.

Vërtet vetëvrasje, sepse Tirana u penalizua edhe për Kupën e Shqipërisë, ku mezi plotësonte formacionin titullar në finalen me Egnatian. Sërish u godit me një karton të kuq që në fillim (i merituar) dhe humbi 1-0. Të tjera lekë të humbura dhe një tjetër kolpo psikologjike.

Nga derbi Tirana, Partizani, 1-1. Gazeta Si, 4 qershor 2023

Mjaftonte të dëgjoje trajnerin Orges Shehi pas ndeshjes, teksa ai fliste për ezaurim dhe shkatërrim nga ajo situatë. Për fatin e tij të keq, për të ishte situate e përsëritur, e kishte përjetuar me Skënderbeun në 2017-ës, kur pa titullin t’i ikte nga 'masakra' e Kukësit. Në atë kohë ‘kostumin e kamikazit’ e kishte veshur Enea Jorgji, arbitri ndërkombëtar që vetëm kohët e fundit pranoi se ‘nuk ishte ai në fushë’, duke u bërë edhe meme në rrjetet sociale.

Tirana e sezonit të fundit mund të fitonte si titullin, ashtu edhe Kupën e Shqipërisë. Dikush pretendon se ky klub gaboi me shitjet e janarit (Xhixha, Limaj, Ismailgeci), por në fakt harron se u afruan Abazaj, Lushkja e Deliu. Tirana mund të fitonte, por këtë herë futbolli shqiptar ishte i pamëshirshëm me të dhe e çoi në vetëvrasje…


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë