Arsim

Studentë skllevër: Si na detyruan pedagogët të paguanim


Anxhela Celanji- “Në fillimin e universitetit mendoja se duhet t’ia dilja me mësimet, pasi dega ime ishte shumë e vështirë dhe duhet të punoja fort, por nuk e dija se gjithçka ishte më e lehtë nëse paguhej,” këto janë fjalët e një studenti të degës së teknologjisë së informacionit në universitetin Aleksandër Xhuvani në Elbasan.
Studenti me inicialet E.F rrëfen për gazetën “Si” se ka hasur shumë vështirësi për të marrë lëndët pasi në fakultetin e tij kryhen forma nga më të ndryshme të korrupsionit për të marrë lëndët.

Gjatë gjithë kohës kemi dëgjuar për shitblerjen e notave, keqpërdorime gjatë regjistrimit të studentëve dhe forma të ndryshme të korrupsionit në universitetet e Shqipërisë. Në maj të këtij viti, u arrestuan shtatë persona të cilët kishin krijuar një grup njerëzish të cilët kërkonin para të nxënësve në emër të pedagogëve, por mesa duket kjo nuk ishte zgjidhje për të ndaluar këtë vorbull të madh mashtrimesh.

“Kur hyra në shkolla, kisha kënaqësinë e madhe për të studiuar. Gjithmonë kam qenë një nxënës i mirë dhe diploma do të më ndihmonte të punoja në profesionin që doja,” thotë studenti

“Orën e parë të mësimit një pedagog i matematikës, nisi të fliste me ironi dhe në një moment tha se, “vërtet e keni marrë universitetin shumë lehtë, por do ia shikoni fundin”, këto fjalë më bën përshtypje dhe nuk e kuptoja çfarë donte të thoshte. Përgjigjen e mora në fund të semestrit, kur ngela në lëndën e matematikës edhe pse të gjitha përgjigjet e provimit ishin të sakta,” shton ai
Studenti E.F tregon se dëshira e tij më e mëdha është që të mbarojë universitetin dhe të iki jashtë shtetit për të siguruar më shumë të ardhura për familjen e tij. Ai shprehet se e gjithë periudha studentore ka qenë një sakrificë e madhe për të, pasi duhet të punonte për t’u kujdesur për prindërit, por edhe të studionte për të realizuar ëndrrat e tij.
“Në fund të çdo semestri kam ngelur më shumë se tre lëndë, deri në momentin që mendova të gjeja një zgjidhje, pasi nuk do shkoja gjithë jetën në shkollë. Zgjidhja momentale ishte ajo që kishin gjetur të gjithë, të jepja lekë për të kaluar lëndët,” thotë ai.

E.F tregon se nuk dinte se ku të drejtohej, por duhet të gjente patjetër një zgjidhje.
“Në një bisedë në kafe me miqtë e mi, shpreha shqetësimin tim sepse sa më shumë mësoja aq më keq ishte. Njeri prej djemve të klasës qeshi me të madhe dhe më tha “ti je budalla, jep ca leke e mos e vrit mendjen”. U ofendova se më quajtën budalla sepse mësoja, por ai kishte të drejtë. Unë isha një budalla, thotë 21 vjeçari.
“Pas disa kohësh, gjatë një bisede me pronarin e lokalit ku punoja, i tregova për problemin e madh që kisha. Fola me urrejtje për gjithçka, universitetin, sistemin, shkollën, njerëzit, ndërkohë që ai më shikonte dhe me një buzëqeshje në fytyrë më tha, “s’ka problem se ta rregulloj unë këtë punë”. Ai njihte dekanin e fakultetit dhe vendosëm së bashku që nëpërmjet pronarit tim, të paguaja një shumë prej 200 mijë lekësh për të marrë lëndët,” shton ai.

Ky fenomen është bërë i përhapur kudo në universitetet e vendit tonë dhe nxënësit janë të detyruar të paguajnë, pasi dëshirojnë që të përfundojnë shkollën në kohën e duhur. Gjithashtu, të dhëna tregojnë se në zyrat e anti korrupsionit nuk është dënuar asnjë rast i tillë, sepse studentët kanë mungesë besimi se këto raste do të ndëshkohen. Një fenomen që ndodh rëndom.

Universiteti Aleksandër Xhuvani, Elbasan


“Prej dy vitesh tashmë, jap gjysma e rrogës time për të marrë lëndët e ngelura. Nuk e di nëse shkon në xhepat e pronarit tim apo në xhepat e dikujt tjetër, por unë mendoj se jam me fat. Po ndjehem kështu sepse punoj në lokalin e pronarit tim sepse përndryshe nuk di se si do ta kisha zgjedhur këtë problem. Gjatë gjithë kohës kam dëgjuar në shkollën time se persona të ndryshëm ftonin studentët në kafe dhe i bindnin për të paguar lekë që të merrnin lëndët, njëri prej tyre ishte dhe shitësi i fast-fodit përballë shkollës. Ishin krijuar mënyra të ndryshme vetëm që pedagogët të përfitonin,” thotë studenti.

21 vjeçari tregon se gjithçka ishte ndryshe nga ca kishte menduar. Idealet, parimet dhe dëshira për të studiuar kishin rënë poshtë përballë korrupsionit të pedagogëve.
Në një studim të kryer nga organizata jofitimprurëse “Qëndresa Qytetare” të prezantuar para pak ditëve në Tiranë, u zbulua se universiteti Aleksandër Xhuvani në Elbasan kishte normën më të lartë të pranisë së korrupsionit (77 për qind). Të gjithë studentët pohuan se forma më e përhapur e korrupsionit është pagesa në shkëmbim të notës, pasuar nga detyrimi për blerjen e librave të panevojshëm dhe kërkesa për favore seksuale nga stafi akademik.
Drejtuesi i qendrës Rigles Xhemollari tha se kjo është një tryezë alarmi për arsimin e lartë dhe duhet të merren masa përpara se të gjitha universitetet të kthehen në pazar.

Rreth 95 për qind e studentëve të anketuar dëshmuan se rastet e korrupsionit në universitetet e tyre janë anashkaluar duke mbetur të pa adresuara.
“Unë jam një “skllav”, nuk e di në jam i universitetit, i pronarit tim, apo i shtetit të padrejtë, por di që jam. Nuk mund të flas, të ankohem, të ndërroj punë, apo të zgjedh, madje as të tregoj identitetin tim të plotë sepse jam ende, duke paguar për të marrë diplomën,” shton studenti.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë