Pakkujt do ia kish marrë mendja se ajo adoleshentja e imët që këndonte “Më thuaj nuk ma nin...Se kom mani për Money”, do të arrinte të kapërcente Prishtinën për t’u shndërruar në një sensacion ndërkombëtar.
“Kam menduar gjithnjë gjëra të mëdha dhe për shkak se kam menduar kështu, u realizuan. Ishte një ëndërr, e gjitha ishte një ëndërr.” –do të përgjigjej Era në një intervistë ndërsa kishte nisur të merrte famë ndërkombëtare. Çelësi i suksesi? Të gjendesh gjithnjë në vendin dhe momentin e duhur, mendon 24 –vjeçarja, e cila pas performancës elektrizuese në ceremoninë përmbyllëse të Kupës së Botës, në Rusi, sapo ka publikuar videoklipin më të ri, “Prisoner”, xhiruar në Xhamajkë. Tashmë, çdo sukses i saj në tregun muzikor ndërkombëtar nuk përbën më habinë e fillimit
Megjithatë, katër vjet të shkuar, në debutimin e saj, do të njihej si ‘motra e vogël e Norës’ ku mbiemri do të ishte një fjalëkalim për të hyrë në tregun muzikor shqiptar, edhe pse talentin të dyja e kanë të trashëguar nga ëma, Suzana Tahirsylaj këngëtare e njohur në Kosovë, gjatë viteve ’80 dhe ’90, për t’u bërë një nga yjet më emocionues që vjen nga Europa Lindore.
Por, me të motrën pak e lidhte në shijet muzikore, veç mbiemrit dhe disa tipareve fizike. Era Istrefi do të tërhiqte dëgjuesit qysh me debutimin e saj, jo vetëm për timbrin e veçantë dhe ritmin – një gërshetim mes muzikës pop dhe asaj reagge. Po ashtu edhe paraqitja e jashtme, me flokët që herë kalonin nga stili punk, në rozë, te rastat alla Bob Marley apo joshja grunge e përjetësuar nga Kurt Cobain dhe rroku i viteve ’90 e deri te kostumet hightech prej lateksi dhe ngjyrash metalike.
Nuk ka dyshim që Era Istrefi është një përzierje e asaj çka është më në modë në muzikën ndërkombëtare. Por si erdhi Era nga 10 –vjeçarja që këndonte për veten te adoleshentja me vetëdijen se kishte talentin jo vetëm për të kënduar, por për të bërë muzikë që do i kapërcente kufijtë shqipfolës?
Megjithëse suksesin ndërkombëtar e pati brenda një nate me këngën “BonBon”, e cila në vetëm njëzetekatër orë i siguroi më shumë se dyqind mijë klikime këngëtares së re, hapat e hedhur në këta katër vjet të karrierës së saj kanë qenë të mirëmenduar për të shtruar rrugën në të cilën ajo ecën sot.
Risjellja e këngës “E dehun” –një hit i dikurshëm i këngëtares së njohur Nexhmije Pagarusha - në stilin tekno- do e vendoste në qendër të vëmendjes asokohe 20 –vjeçare. Jo vetëm se kënga ishte aq e dashur dhe e njohur në vargje e melodi, por videoklipi i xhiruar në një kishë të braktisur të ritit ortodoks serb do të shkaktonte debat.
Një grua e zhveshur që vallëzon në rrethina e “Kishës së Krishtit Shpëtimtar” në Prishtinë, do të shihej si përdhosje nga kleri ortodoks serb, ndërsa Era do të cilësohej si djallëzore e blasfemuese. Megjithatë këto etiketime nuk e ndalën të fitonte çmimin “Videofest” po atë vit dhe pak më vonë të publikonte më të renë, titulluar “13”.Besëtytnia në këtë rast i solli vetëm fat të mirë.
Shumë shpejt do të vinte suksesi i “BonBon”. Atë çka nuk munden ta bëjnë shtëpitë diskografike me shpërndarjen klasike, e lehtëson interneti, duke e bërë botën edhe më të vogël dhe muzikën gjuhë lehtësisht të komunikueshme.
Edhe pse Era këndonte në shqip, banorët e realitetit virtual nuk vonuan duke gjetur ngjashmëri mes saj dhe këngëtareve si Rihanna dhe Sia. “Më kanë përshkruar si “fëmija i dashurisë së tyre”, në internet.”- ka thënë Era, ndërsa u referohej këngëtares nga Barbadosi, Rihanna dhe australianes Sia. “Është një sfidë e madhe. Por më motivon të punoj më fort çdo ditë.”
Një vizion për të parë përtej audiencës shqiptare ishte edhe përzierja e gegnishtes së saj me zhargonin e anglishtes, me përdorim gjithnjë në rritje nga të rinjtë.
“Të gjithë në Shqipëri e përziejnë anglishten me shqipen. Mendoj se tingëllon mirë për brezat e rinj, Është si t’i shtosh fjalë të reja fjalorit. Kjo të jep ndjesinë sikur ke dy personalitete në gjuhë të ndryshme.” -ka thënë Era. Suksesi nuk mbeti vetëm në termat e klikimeve në Youtube, ku “BonBon”( që më pas u prezantua edhe në një version në gjuhën angleze) arriti të mbërthejë 188 milionë shikime. (Aktualisht klipi ka afro 600 milionë klikime)
Në muajin shkurt të 2016 –ës, ajo nënshkroi një kontratë me gjigantin e muzikës “Sony Music Entertainment” dhe “Ultra Music.”
Pas kësaj prodhimet ku do të shfaqej Era do të vinin në bashkëpunime me emra të njohur të muzikës ndërkombëtare. Në këngën “Redrum” ajo do të shfaqej me producentin Felix Snoë, në këngën “No I Love Yous” do të këndonte në krah të French Montana e po ashtu me “Origami” të publikuar këtë vit do të ishte me Maphorisa.
Por nuk do të ndodhte deri në maj të këtij viti, që emri i Era Istrefit t’u kujtonte shqiptarëve –atyre që nuk i përkasin brezit të ri apo admiruesve të muzikës pop – se vajza e re nga Kosova kishte udhëtuar larg dhe kishte mbërritur lart.
Ajo u bë pjesë e himnit zyrtar të Kupës së Botës “Rusi 2018”, së bashku me yllin e Hollivudit Will Smith dhe yllin e Amerikës Latine në muzikë Nicky Jam.
Kënga “Live it Up” nuk kishte tjetër fat veçse të bëhej sukses në mbarë botën, duke i siguruar Era Istrefit tashmë një vend të sigurt në arenën ndërkombëtare muzikore, siç kanë sot bashkatdhetare të saj si Rita Ora apo Dua Lipa. Por ndryshe nga Ora e cila lindi në Britani e ndryshe nga Dua, e cila e zgjodhi herët të niste karrierën në shtetin anglez, Era e nisi nga Prishtina e saj e vogël.
“Gjithmonë do të përpiqem të mendoj për gjëra të mëdha. Bëj muzikë jo vetëm për shqiptarët, përpiqem ta mbaj mendjen të hapur për të tërhequr sa më shumë njerëz nga bota.” – ka thënë Era, ndërsa këtë vizion që kishte në 2016 –ës, pas suksesit me “BonBon” që megjithë dëshirën dhe ambiciet për t’i rrëzuar kufijtë, e pati të vështirë t’u besonte syve teksa shihte sesi shtoheshin çdo sekondë ndjekësit e saj në rrjetet sociale.
T’u ikje kufijve – jo vetëm atyre muzikorë, por edhe fizikë – për një vajzë që vinte nga një shtet i ri, vetëm 10 –vjeçar, do të ngrinte pengesa të tjera, por që Era mendoi t’i zgjidhte duke kërkuar nënshtetësinë shqiptare. Ishte presidenti Bujar Nishani që i dha asaj pasaportën shqiptare, që do i garantonte të paktën liridalje në vendet evropiane.
Në zyrën e presidentit të Republikës ajo është parë sërish edhe këtë vit, por qëllimi nuk kishte të bënte me të parin, por ishte për të ndjekur një ndeshje futbolli të Kupës së Botës, ngjarje të cilën Era e ka pasqyruar në profilin e saj në Instagram, tashmë të ndjekur nga një komunitet ndërkombëtar.
“Jam e lumtur se ka shumë talente shqiptare që po dalin. Kush e kish menduar se kjo do të ndodhtë, veçanërisht se ne shqiptarët gjithnjë kemi menduar se nuk kemi “mjaftueshëm të mirë” për botën.” Ka thënë Era, ndërsa është shprehur se ajo mund të jetë e para shqiptare që i ka thyer kufijtë duke fituar famë ndërkombëtare ndërsa këndonte në gjuhën shqipe.
E gjendur në zemër të këtij Botërori të Futbollit, i cili këtë vit më shumë se kurrë ishte i ekipeve të vegjël e veçanërisht Ballkanit, Era do të përgjigjej se momenti më emocionues i këtij kampionati ishte ai kur dy bashkatdhetarë të saj, Shaqiri e Xhaka, përfaqësues të kombëtares zvicerane do të shënonin gola në ndeshjen kundër Serbisë.
Simbolin e shqiponjës me duar, për të cilën dy futbollistët u ndëshkuan, e realizoi edhe Era në stadiumin e Moskës, gjatë finales Francë-Kroaci, e cila pa triumfuese të Kupës së Botës Francën.
Pas përmbylljes së kësaj aventure me himnin e Kupës së Botës, Era ka marrë vlerësime nga aktori Will Smith, i cili e ka quajtur shpirt të bukur e delikat.
Në rrugëtimin e saj drejt famës, Era ka mbetur e njëjta vajzë e imët, me gjymtyrë të hollë e tipare delikate, megjithëse flokët nuk i ka më as biondë e as rozë, por ka zgjedhur t’i mbajë të zinj, e megjithë krahasimet me këngëtare si Rihanna dhe Sia, Era ka thënë se ka dimensione të tjerë të zërit të saj që e bëjnë unike, duke e përqafuar veçantinë e saj.
Këtë verë do e dëgjojmë me ritmet reagge, ndërsa shfaqet në kripin e ri “Prisoner” , ndërsa ajo do të vazhdojë të ngulmojë për të arritur atje ku do të donte. “Këmbëngulja më bën krenare. Ngulmoj dhe nuk dorëzohem, duke përjetuar sukses.” – ka thënë Era, e bindur se përtej vokalit, rastësisë fatlume dhe magjisë së internetit që mund të të bëjë të famshme brenda një nate, këmbëngulja mbetet çelësi i vërtetë i suksesit.
*Përgatiti Suadela Balliu
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.