Analize

Si Trump e nxori jashtë loje BE-në për marrëveshjen Kosovë-Serbi?

Marrëveshja më e rëndësishme mes Serbisë dhe Kosovës, as nuk u ndërmjetësua nga Bashkimi Europian, as nuk u nënshkrua në Bruksel.  Rinisja e fluturimeve direkte Prishtinë-Beograd u negociua nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe u vulos në Berlin, nën kujdesin e vetë presidentin Donald Trump.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë nuk e fshehu entuziazmin, duke shkruar në Twitter se administrata e tij e kishte arritur këtë marrëveshje edhe pse të gjithë i kishin thënë se ishte e pamundur.  Për presidentin Trump, kjo arritje ka një rëndësi të jashtëzakonshme. Që nga ardhja në pushtet, ai e ka kthyer Kosovën në një nga pikat e gravitetit të politikës së tij të jashtme, duke emëruar vetëm vitin e kaluar dy të dërguar special për të çuar përpara dialogun Kosovë-Serbi.

Duken qenë se u nënshkrua në “tokën gjermane”, marrëveshja për rinisjen e fluturimeve direkte duket të ketë marrë edhe bekimin e kancelares Angela Merkel, edhe pse ajo dhe Trump kanë pasur një sërë përplasjesh për shkak të Kosovës. Por pas shumë mosmarrëveshjes, Berlini dhe Uashingtoni duket të kenë gjetur tanimë “gjuhën e përbashkët”, duke i dhënë një shtysë të fuqishme rifillimit të dialogut Kosovë-Serbi.

Edhe pse prapaskenat e negociatave për nisjen e fluturimeve ka të ngjarë të vazhdojnë të mbeten në errësirë, është më se dukshme se as Bashkimi Europian dhe as kryeministri i ardhshëm i Kosovës nuk ishin pjesë e këtyre bisedimeve.

Richard Grenell dhe Kë shilltari i Sigurisë së Trump gjatë nënshkrimit të marrëveshjes, Gszeta Si, 2020

Por kush e dha dritën jeshile për këtë marrëveshje në Prishtinë?

Por kush e dha dritën jeshile për këtë marrëveshje në Prishtinë dhe a është tanimë BE-ja jashtë loje?

Sipas “Nju Jork Times” rinisja e fluturime Prishtinë-Beograd erdhi pas muajsh të tëra negociatash dhe takimesh diplomatike të udhëhequra Richard Grenell, ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Gjermani, i cili u emërua i dërguari special për marrëdhëniet Serbi-Kosovë nga Presidenti Trump vitin e kaluar.

Vetë Grenell tha se çelësi për të arritur marrëveshjen e nënshkruar të hënën ishte injorimi i konflikteve të gjata politike midis dy vendeve dhe përqendrimi tek potenciali i marrëdhënieve ekonomike. "Ajo që kemi dëgjuar nga komuniteti i biznesit në Kosovë dhe nga komuniteti i biznesit në Serbi është se ne duam një strukturë më të normalizuar tregtie dhe se kanë nevojë për fluturime direkte," tha Grenell. "Kjo është arsyeja pse vendosëm të rinisnin fluturimet për herë të parë pas dy dekadash", shtoi ai.

Marrëveshja u nënshkrua nga Ministria serbe e Infrastrukturës dhe shefi i aviacionit civil të Kosovës. Por dy negociuesit në hije kanë qenë me shumë gjasa presidenti serb Aleksandër Vuçiç dhe ai i Kosovës Hashim Thaçi. Kjo u bë e qartë jo vetëm nga reagimi i Thaçit, i cili mirëpriti me shumë entuziazëm marrëveshjen, por edhe heshtja e Albin Kurtit dhe Isa Mustafës.

As Kryeministri i ardhshëm i Kosovës dhe as kreu i LDK-së nuk kanë pasur asnjë reagim për këtë marrëveshje, edhe pse ajo shënon një nga hapat më konkretë në normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Kosova po bën në shumë se 100 ditë pa qeveri, pasi VV-ja dhe LDK-ja nuk e kanë nënshkruar ende marrëveshjen e koalicionit, ndërsa qeveria në detyrë e Ramush Haradinaj nuk i ka kompetencat për të negociuar një pakt të tillë. Ndërkohë që Kurti dhe Musftafa ishin të zënë në tryezën e dialogut për formimin e qeverisë dhe ai që duket të ishte ulur në tryezën e bisedimeve për rifillimin e fluturimeve ishte Thaçi, si kreu i vetëm në Kosovë që ka për momentin të tilla kompetenca. Ai dhe Vuçiç ndodhen sot në Samitin e Davosit, ku pritet të kenë një takim.

Duke folur për marrëveshjen, Thaçi shkruan në Twitter se ky është një hap i rëndësishëm për procesin e normalizimit të marrëdhënieve.

“Unë mirëpres kërkesën e Lufthansas për të hapur një linjë ajrore midis Prishtinës dhe Beogradit. Ky është një hap i rëndësishëm për lëvizjen e qytetarëve dhe procesin e normalizimit. Jam mirënjohës këshilltarit O’Brien dhe ambasadorit Richard Grenell për shtyrjen e këtij procesi”, shkruan Thaçi.

Presidenti Donald Trump dhe Hashim Thaci, Gazeta Si, 2020

Në Tiranë ndërkohë të vetmit që kanë reaguar janë kryeministri Edi Rama dhe ish-kryeministri Sali Berisha.

Në Tiranë ndërkohë të vetmit që kanë reaguar janë kryeministri Edi Rama dhe ish-kryeministri Sali Berisha. 

Rama ishte i pari nga Tirana që përshëndeti marrëveshjen për hapjen e linjës ajrore Prishtinë-Beograd. Përmes një postimi në Twitter, duke e cituar Sekretarin e NATO-s, Jens Stoltenberg, ai tha se ky është një hap i rëndësishëm për qarkullimin më të lehtë të njerëzve e mallrave në Ballkanin Perëndimor.

Pas tij, edhe Berisha ka shprehur mbështetjen për rivendosjen e linjës ajrore Beograd-Prishtinë, duke theksuar se kjo është një marrëveshje paqeje. Por ish-kryeministri nuk i ka kursyer sulmet, duke thënë se kjo marrëveshje u përshëndet me ‘bisht ndër shalë’ nga presidenti Vuçic dhe kryeministri Rama.

“Edvin Kristaq Zografi, i pari demagog dhe mashtrues i popullit të tij tha se ishte i kënaqur që është Lufthansa dhe nuk ishte Air Serbia që do ta bënte këtë fluturim, pasi kjo do nënkuptonte njohjen e Kosovës”, shkruan Berisha.

Presidenti  Vuçiç nga ana e tij ka vlerësuar si shumë të rëndësishme rivendosjen e linjës ajrore Prishtinë-Beograd, për të cilën, siç tha ai, është zhvilluar një dialog i gjatë dhe “është arritur një zgjidhjeje kompromisi për të cilën ku askush nuk mund të thotë se ne e kemi njohur Kosovën”.

“Është shumë e vështirë të arrihet te ndonjë marrëveshje për këtë çështje. Dua që qytetarët të dinë se sa e rëndësishme dhe e vështirë është”, nënvizoi ai.

Ndaj kritikave se pse operatori në atë linjë të drejtpërdrejtë nuk do të jetë ‘Air Serbia’, Vuçic tha se “shqiptarët do ta donin këtë më shumë se kushdo tjetër, por që është e pamundur për ne”.

‘Air Serbia’ do të duhej të nënshkruajë të gjitha dokumentet me shtetin e Kosovës. Duhet të nënshkruajë një kontratë me Aeroportin ‘Adem Jashari’, madje edhe Kosovën si shtet, të pranojmë që shtresa e ulët e ajrit nuk është nën kontrollin tonë. Prandaj, ne kërkuam dhe luftuam të përfshihej KFOR-i, të kemi një ndërmjetës”, shpjegoi ai nga Davosi.

BE-ja jashtë loje?

Për shumë ekspertë, kjo marrëveshje është parë si hap që do t’i hapë rrugën rifillimit të dialogut për arritjen e një marrëveshje gjithpërfshirëse, por udhëheqja e këtij dialogu nuk ka të ngjarë të jetë më BE-ja.

Ish-diplomati amerikan, Daniel Serwer thotë se pas rihapje së linjës ajrore Prishtinë-Beograd, të dyja palët do të duhet të ulen në tryezën e bisedimeve.

Angela Merkel dhe Donald Trump. Gazeta Si, 2020

“Ne duhet të kemi parasysh se Beogradi dhe Prishtina do të kthehen në tryezën e bisedimeve, kur Kosova të bëhet me qeveri. Dhe pastaj do të shfaqet një problem i ri, periudha e zgjedhjeve dhe fushata në Serbi. Kjo mund të ngadalësojë përparimin në bisedimet dy paleshe. Gjithashtu, dialogu është një proces që ndërmjetësohet nga Europa e që përfshin herë pas herë amerikanët. Nuk jam i sigurt nëse një lloj i tillë bashkëpunimi do të japë gjithmonë rezultatet më të mira”, thotë Serwer.

Shumë ekspertë të politikës së jashtme në Ballkanin Perëndimor janë të bindur se tryeza e ardhshme e bisedime Kosovë-Serbi do të udhëhiqet nga SHBA-ja, pasi siç thonë shumë zyrtarë nga Uashingtoni, Trump e konsideron situatën në Kosovë si shumë të rrezikshme për t’ia lënë në dorë BE-së.
Uashingtoni ka dërguar vazhdimisht mesazhe të qarta në drejtim të udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë për rikthimin në tryezën e bisedimeve duke u kthyer kështu në ndërmjetësin kryesor mes dy palëve. Për shumë ekspertë, SHBA-ja po e bën të qartë se tanimë është Shtëpia e Bardhë ajo që do të marrë drejtimin duke zëvendësuar Brukselin, i cili tregohet gjithnjë e më pasiv në zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

Shefi i ri i politikës së jashtme për Bashkimin Evropian, Josep Borrell vjen nga Spanja, një vend që ende nuk e ka njohur Kosovën si të pavarur. Edhe pse ai tha se qëllimi i mandatit të tij do të jetë rinisja e bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit, zyrtarët e lartë europianë e kanë bërë të qartë se si nuk mund të udhëheqë këtë dialog. Dhe duke pasur parasysh problemet e brendshme të unionit, duket qartë se Brukseli nuk ka as fuqi dhe as vullnet për të luajtur rol kryesor në procesin e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë – Serbi.

Për analistin boshnjak, Aleksandar Ivković, është e qartë se pavarësisht pengesave që kanë dalë gjatë bisedimeve prapa kuintave, Uashingtoni po merr masat për t’i rikthyer të dyja palët në negociata dhe rifillimi i fluturimeve është një prej tyre.

Deri më tani, pas rezolutës së përbashkët të paraqitur nga 27 anëtarët e Bashkimit Evropian dhe Serbisë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në vitin 2010, negociatat mes Beogradit dhe Prishtinës janë lehtësuar nga Përfaqësuesit e Lartë të BE-së. Por për pothuajse katër vjet nuk ka pasur ndonjë përparim domethënës, kohë gjatë të cilës Shtetet e Bashkuara kanë qenë joaktive, duke e lënë çështjen e Kosovës, në nivelin më të ulët diplomatik.

“Vetëm pasi zbuloi ndikimin në rritje të Rusisë, e cila shfrytëzonte çdo krizë në rajon për të përhapur influencën e saj, Shtetet e Bashkuara vendosën të angazhoheshin si për dialogun Beograd-Prishtinë ashtu edhe rajonin. Sipas vlerësimeve të Uashingtonit situata është shumë e rrezikshme për t’ua lënë në dorë evropianëve”, thotë Bosko Jaksić, gazetar i së përditshmes serbe “Politika”.

Sipas tij, Bashkimi Europian është goditur me kriza të shumta gjatë dekadës së fundit, duke filluar nga kriza financiare e vitit 2008, kriza greke, kriza në Ukrainë në vitin 2014 dhe kriza e emigrantëve që shkaktoi një rritje të partive populiste të krahut të djathtë. “E gjithë kjo, së bashku me vendimin e Mbretërisë së Bashkuar për t’u larguar nga Bashkimi Europian e ka bërë Brukselin të paaftë të përballojë problemet aktuale të rajonit, sidomos ato që mund të çojnë drejt një konflikti të mundshëm”, thekson Jaksic.

“Së shpejti do të bëhet e qartë se SHBA është më efikase se BE-ja. Në vitin 2017, Uashingtoni njoftoi vendosmërinë e tij për të zgjidhur mosmarrëveshjen Athinë-Shkup brenda një viti dhe ia dolën”, kujton ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë