Njerez

Si trajtohet abuzimi seksual i fëmijëve në botë

Abuzimi seksual ndaj fëmijëve dhe adoleshentëve është një realitet i zymtë në mbarë botën. Shpesh here thuhet nga sociologët se ngjarje të tilla ndodhin vetëm me fëmijët që janë në zona të varfra, por ngjarjet e vazhdueshme kanë treguar se abuzimi seksual, është një dukuri që ka dëmtuar miliona fëmijë në komunitete të mëdha dhe të vogla, pa dallime kulturore racore apo ekonomike.

Matja e prevalencës së vërtetë të përdhunimit dhe abuzimit seksual te fëmijët është e ndërlikuar, pasi në mbarë botën ka mungesë raportimi. Disa studiues socialë në Britaninë e Madhe kanë thënë se çështja e abuzimit seksual është e vështirë për t'u paraqitur me grafikë.
“Për asnjë fëmijë nuk është e lehtë të tregojë një ngjarje të tillë. Nuk po e pyet se cili ushqim nuk të pëlqen. Kjo është një çështje shumë e komplikuar,” thotë eksperti britanik Lynn Langton, për BBC.
Megjithëse të gjitha vendet në botë kanë përcaktuar një numër mekanizmash për mbrojtjen e të drejtave specifike për fëmijët, shumë të rinj nuk janë të vetëdijshëm për ekzistencën e ndonjë shërbimi dhe burimi specifik ku mund të drejtohen, përtej familjes, miqve apo mësuesve, nëse janë në vështirësi.

Në të gjitha vendet e botës ekzistojnë sisteme të shumta të cilat trajtojnë fëmijët e përdhunuar, të cilët përfshijnë policinë, ekipet ligjore, mjekësore, agjencitë e tjera për mbrojtjen e fëmijëve, kujdestarët dhe agjencitë e mirëqenies së fëmijëve dhe qendrat e trajtimit rezidencial. Kryesisht në SHBA, instancat shtetërore, vazhdimisht krijojnë materiale sensibilizuese dhe i paraqesin në shkolla për t’u treguar fëmijëve dhe adoleshentëve një pasqyrim të këtij fenomeni. Qendrat sociale për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në SHBA, pas marrjes së një raporti, nisin të kryejnë hetimet me anë të policisë, brenda një afati kohor të caktuar. Një fëmijë i cili është abuzuar seksualisht zakonisht merr një ekzaminim mjekësor, në mënyrë ideale nga një profesionist i specializuar.
Për shkak të rasteve të abuzeve të shumta kohët e fundit, psikologët në mbarë botën theksojnë se është e rëndësishme që ky proces të kryhet sa më shpejt që të jetë e mundur. Gjithashtu, duhet të intervistohen kujdestarët dhe anëtarët e familjes. Raste të tilla mund të paraqiten në dy gjykata specifike, atë për të mitur dhe gjykatën penale.

Ndërsa në vende të ndryshme të Bashkimit Europian, trajtimi fëmijëve të abuzuar, nis me trajtimin e gjithë familjes. Fëmijës dhe familjarëve të tij, zakonisht u caktohet një menaxher rasti. Roli i një menaxheri rasti është të lidhë fëmijën dhe familjen me shërbimet e nevojshme dhe të vlerësojë gjendjen mendore të fëmijëve. Menaxherët e rasteve shpesh ndihmojnë familjen të lidhet me shërbimet mjekësore, të shëndetit mendor, shërbimet ligjore dhe gjyqësore.


Ndonëse në mënyra të ndryshme, në mbarë botën qendrat sociale kombëtare dhe organizatat joqeveritare e trajtojnë abuzimin seksual si një problem afatgjatë i cili duhet ndjekur vazhdimisht. Kështu që, sociologët dhe psikologët e konsiderojnë koordinimin e shërbimeve të shumëfishta të rëndësishëm, për të siguruar mbrojtjen afatgjatë dhe shërimin e fëmijës.

Në raportin e paraqitur nga OBSH gjatë vitit të kaluar për abuzimin seksual të fëmijëve theksohet se fëmijët me të tilla probleme kanë nevojë për monitorim të shëndetit mendor, gjatë gjithë kohës. Gjithashtu, në këtë raport udhëzohet se duhen përmirësuar praktikat që ndërmerren për trajtimin e këtyre çështjeve. Në të gjitha instancat shtetërore duhet të ketë një siguri të plotë përsa i përket trajtimit të tyre, gjithashtu duhet të trajnohen vazhdimisht punonjësit socialë.
Sipas psikologut Steven Berkowitz, disa terapi kanë pasur efekt në trajtimin e pasojave psikologjike.
“Rezultatet e studimeve për disa trajtime janë inkurajuese, pasi shumë prej tyre i përfshijnë fëmijët dhe adoleshentët në aktivitete sociale, duke i inkurajuar ata,” shprehet ai.
Përpos trajtimeve të ndryshme, abuzimi seksual te fëmijët është përcaktuar nga shumë psikologë klinikë si një problem global, i cili shpesh anashkalohet nga mitet "se ka një ulje të rasteve". Por për mbarë botën minimizimi i kësaj dukurie është një sfidë e madhe.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë