Arsim

Si të rihapim shkollat: Çfarë na mësojnë shkenca dhe vendet e tjera

Të dhënat nga e gjithë bota tregojnë qartë se fëmijët kanë shumë më pak të ngjarë të sëmuren seriozisht nga koronavirusi ndryshe nga të rriturit. Por ka pyetje të mëdha pa përgjigje, duke përfshirë se sa shpesh fëmijët infektohen dhe çfarë roli luajnë ata në transmetimin e virusit. Disa studime tregojnë se fëmijët më të vegjël kanë më pak të ngjarë të infektojnë njerëz të tjerë sesa adoleshentët, gjë që do ta bënte hapjen e shkollave fillore më pak të rrezikshme sesa shkollat e mesme, por provat nuk janë ende përfundimtare.
Përvoja ka treguar që masa të tilla si distancimi fizik dhe mbajtja e maskave në shkolla mund të bëjnë ndryshime. Një variabël tjetër i rëndësishëm është se sa i përhapur është virusi në komunitet mbi të gjitha, sepse kjo do të ndikojë se sa njerëz potencialisht e sjellin atë në një shkollë.

Transmetimi nga fëmijët, një mister
Megjithëse fëmijët janë në rrezik shumë më të ulët që të sëmuren seriozisht nga koronavirusi sesa të rriturit, rreziku nuk është zero. Nga të dhënat në botë një numër i vogël i fëmijëve kanë vdekur dhe të tjerët kanë nevojë për kujdes intensiv për shkak të komplikimeve që kanë pasur. Shqetësimi më i madh për rihapjen e shkollave është mundësia që fëmijët të infektohen, shumë prej tyre pa simptoma dhe më pas të përhapin virusin te të tjerët, përfshirë anëtarët e familjes, mësuesit dhe punonjësit e tjerë të shkollës. Shumica e provave deri më tani tregojnë që edhe nëse fëmijët nën 12 vjeç janë të infektuar me të njëjtat ritme me të rriturit përreth tyre, ata kanë më pak të ngjarë ta përhapin atë. Akademia Amerikane e Pediatrisë ka cituar disa nga këto të dhëna për të rekomanduar që shkollat të rihapen me masat e duhura të sigurisë.
“Rreziku i rihapjes do të varet se sa do t’i respektojnë shkollat rregullat dhe masat higjienike, si distancomi, larja e duarve, mbajtja e maskave dhe të tjera rregulla,” tha Lauren Ancel Meyers, një profesor i biologjisë dhe statistikave në Universitetin e Teksasit
Për shembull, në Florida dhe Arizona ekspertët kanë thënë se kanë parë një shtim të rasteve të reja dhe atje shkalla e vlerësuar e infeksionit tani është rreth shtatë për 1.000 banorë. Kjo do të thotë që një shkollë me 500 nxënës do të kishte rreth katër fëmijë që mbartin koronavirusin.
"Shkolla mund të jetë në gjendje të ndalojë shtimin e rasteve në varësi të masave që merr," tha Meyers.
Nëse jo nxënësit, shkollat mund të ndihmojnë në shpërthimin e virusit, duke pasur parasysh se ato janë ambiente të mbyllura, ku nxënësit, veçanërisht ata më të rinjtë, ka të ngjarë të kenë vështirësi të mëdha në distancimin social pa u munduar të veshin maska.
Provat që kanë bërë vendet e tjera.

Deri më tani, vendet që rihapën shkollat pas uljes së niveleve të infeksionit dhe kërkesave të imponuara si distanca sociale dhe numër të reduktuar të klasave, nuk kanë parë një rritje të rasteve të koronavirusit.
Norvegjia dhe Danimarka janë shembuj të mirë. Të dyja rihapën shkollat e tyre në prill, rreth një muaj, pasi u mbyllën, por fillimisht i hapën ato vetëm për fëmijë më të vegjël, duke i mbajtur shkollat e mesme të mbyllura deri më vonë. Ata forcuan procedurat e pastërtisë dhe e kanë mbajtur të kufizuar numrin e nxënësve në klasë, fëmijët në grupe të vogla në pushim dhe hapësirën midis tavolinave. Asnjë vend nuk ka parë një rritje të konsiderueshme të numrit të infektuarve.

Në Irlandë u krye një vëzhgim për gjashtë persona të cilët ishin të infektuar (dy nxënës të shkollave të mesme, një në fillore dhe tre të rritur) dhe që kaluan kohë në shkolla para se të mbylleshin në mars. Studiuesit analizuan 1,155 kontakte të gjashtë pacientëve për të parë nëse ndonjë ishte zbuluar se kishte rezultuar pozitiv me koronavirus. Asnjë nga studentët nuk dukej se kishte infektuar ndonjë person tjetër, njoftuan autorët, duke shtuar se i vetmi transmetim i dokumentuar i virusit ishte tek dy të rritur që ishin në kontakt me një të rriturit të infektuar jashtë shkollës. Studimet e rasteve në disa vende tregojnë ndryshime në transmetimin e virusit tek fëmijët më të vegjël në krahasim me fëmijët më të mëdhenj.
“Në një komunitet në Francën veriore, Crépy-en-Valois, dy mësues të shkollave të mesme u sëmurën me Covid-19 në fillim të shkurtit, përpara se shkollat të mbylleshin. Shkencëtarët nga Instituti Pasteur më vonë testuan studentët dhe stafin e shkollës për antitrupa koronavirus. Ata gjetën antitrupa në 38% të studentëve, 43% të mësuesve dhe 59% të stafit tjetër të shkollës, tha Dr. Arnaud Fontanet, një epidemiolog francez.
Ekzistojnë teori të ndryshme se përse fëmijët më të rritur kanë më shumë të ngjarë të transmetojnë virusin sesa fëmijët më të vegjël.
Çfarë mund të bëjnë shkollat?
Vendet që kanë rihapur shkollat kanë zbatuar një varg udhëzimesh sigurie. Disa vende fillimisht kthyen në shkolla vetëm një pjesë të nxënësve të tyre. Disa vende të tjera kanë kufizuar numrin e fëmijëve në klasa duke lejuar një maksimum prej 10 deri 15 studentë në një klasë që ulen 2 metra larg njëri tjetrit.
"Udhëzimet tashmë janë jashtëzakonisht të dobëta. Mbajtja mbyllur e shkollave për një kohë të gjatë ka ndikime të mëdha për zhvillimin shoqëror dhe akademik," tha Carl Bergstrom, një ekspert i sëmundjeve infektive në Universitetin e Uashingtonit në Seattle.
Burimi: The New York Time. Përktheu: Gazeta “Si”

Copyright © Gazeta “Si”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë