Taksa

Si të pasurit po shmangin taksat

Në vitin 2014, aksionerët e korporatave të mëdha dhe pronarët e bizneseve më të fuqishme të vendit paguan 32 milionë dollarë taksa për të ardhurat e fituara nga dividenti.

Në numrin e madh të taksave që ekzistojnë në një vend, tatimi mbi dividentin është ai që shënjestron më mirë njerëzit më të pasur. Ky tatim, paguhet nga aksionerët e korporatave dhe pronarët e kompanive të mëdha në momentin që ata tërheqin fitimet nga biznesi i tyre. Por 2014-a ishte viti i fundit, kur të pasurit në Shqipëri paguan taksë mbi dividentin. Pas këtij viti për ta ka nisur një periudhë e artë.

Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se në fund të vitit të kaluar të ardhurat që qeveria mblodhi nga tatimi mbi dividentin ishin vetëm 2 milionë dollarë. Rrjedhimisht krahasuar me tre vjet më parë të pasurit kanë paguar 16 herë më pak tatim mbi dividentin edhe pse fitimet e bizneseve të tyre janë rritur. Arsyeja është vetë ligji.  

Në Britani dhe Gjermani dhe shumicën dërrmuese të vendeve të Europës Perëndimore të ardhurat nga Tatimi mbi Dividentin janë mbi 1 për qind e prodhimit Kombëtar. Por në Shqipëri kontributi i kësaj takse është zero.  

Të pasurit dinë më mirë se kushdo tjetër të shfrytëzojnë hapsirat ligjore për të shmangur taksat. Aktualisht shkalla e tatimit mbi dividentin është 15 për qind. Por ligji u lejon pronarëve të korporatave që ta shtyjnë në pafundësi pagesën e kësaj takse, mjafton që të mos tërheqin fitimet nga bizneset e tyre.

Qeveria nxiti shmangien

Ashtu si në shumicën dërrmuese të vendeve të tjera, ligji shqiptar i takson fitimet e bizneseve të mëdha dy herë. Një herë përmes Tatimit mbi Fitimin, i cili paguhet në masën 15 për qind mbi fitimin vjetor që realizon kompania. Ndërsa hera e dytë është pëmes tatimit mbi dividentin, po në shkallën 15 për qind. 

Por ky tatim paguhet vetëm në rastin kur ortakët vendosin ta shpërndajnë mes tyre fitimin e realizuar nga kompania që zotërojnë. Në rast se ata nuk e shpërndajnë këtë fitim, por e destinojnë për investime, rritje kapitali ose në llogarinë e ortakut, atëherë tatimi nuk paguhet.

Në një situatë normale, rënia e të ardhurat nga dividenti do të nënkuptonte se bizneset e mëdha nuk po shpërndajnë fitimet tek aksionerët e tyre, por po i investojnë ato. Por në Shqipëri nuk ka ndodhur kjo. Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar investimet private në ekonomi krahasuar me vitin 2013 kanë rënë me 1.7 për qind e Prodhimit Kombëtar. 

Rënia dramatike e taksave që të pasurit paguajnë për dividentët nuk është e rastësishme. Në fund të vitit 2016, qeveria premtoi uljen e Tatimit mbi Dividentin nga 15 për qind që është aktualisht në vetëm 6 për qind. Madje ky premtim u bë zyrtarisht pjesë e programit qeverisës të Partisë Socialiste në zgjedhjet e vitit 2017.

Premtimi për uljen e Tatimit mbi Dividentin ishte një nxitës i qartë për kompanitë që të mos shpërndanin divident tek aksionerët e tyre deri sa kjo taksë të ulet. Edhe pse qeveria nuk e mbajti premtimin, sërish bizneset nuk po shpërndajnë dividend, pasi e kanë marrë sinjalin dhe presin uljen e taksës.

Vitin e kaluar vetëm kompanitë konçesionare fituan mbi 200 milionë dollarë nga aktiviteti në Shqipëri. Shumica e tyre, janë kontrata konçesionesh të maturuara si Aerporti, Skanimi apo pasaportat dhe nuk kryejnë me investime të reja masive. Vetëm nga konçesionet qeveria duhet të kishte mbledhur minimalisht mbi 20 milionë dollarë Tatim mbi Dividentin, por kompanitë nuk paguajnë.

Shumica e tyre e kanë çuar fitimin për rritje kapitali si rasti i konçesionit të Check-upit, që brenda 2 vitesh ka pesëfishuar kapitalin e ortakëve, ndërsa shumë të tjera ose e transferojnë dividentin në llogarinë e ortakut ose si borxh për aksionerët duke pritur momentin që qeveria të ulë taksën ashtu siç ka paralajmëruar. Si rezultat buxheti humbet dhjetëra milionë dollarë të ardhura në vit, ndërsa të pasurit nuk paguajnë pjesën që u takon të taksave duke ja lënë barrën qytetarëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë