Njerez

13 shkurt, Dita e Radios – “Si”, tingulli i njerëzve të thjeshtë

Suadela Balliu - Është mëngjes me diell, i ditës së fundit të tetorit dhe, kafeja e parë bëhet bashkë me tingujt ritmikë në sfond të barit, si një dozë e mirë energjie në këtë vjeshtë tekanjoze. “My heart’s a stereo”, thotë kënga, ndërsa kam nisur të argëtohem në këtë atmosferë ku avujt e lëngut të zi që fluturojnë jashtë filxhanit prej porcelani bëhen bashkë me melodinë në një vallëzim, që vetëm imagjinata mund ta parafytyrojë, siç edhe mundohem ta kthej zemrën, ashtu siç namatis edhe kënga e huaj, në një aparat stereofonik.

“It beats for you, so listen close/ Hear my thoughts in every note”. Mendime që drejtohen gjetiu me vokalin  e dallueshëm  të këngëtarit amerikan, Adam Levine dhe më bëjnë të mendoj sesi na flasin rastësitë, ku në atë gumëzhitjen e mendimeve që na pushtojnë me të zbardhur, mjaft të ndalemi një çast dhe lirika e një kënge mund të kthehet mesazhi i providencës dhe lajtmotivi i njëzetekatër orëve. “Make me your radio/ Turn me up when you feel low/ This melody was meant for you. Just sing along to my stereo”.

Nëse kjo melodi kishte për qëllim të mbërrinte tek unë, më duhet të pyes kamerierin  për titullin, nëse po e luajnë në ndonjë listë të përzgjedhur. “My heart’s a stereo” nga artistët Gym Class Heroes në bashkëpunim me Adam Levine, një këngë e vitit 2011, më vjen si përgjigje. Nuk është një listë e përzgjedhur nga kafeneja, por nga radioja që kanë zgjedhur të dëgjojnë; Si Radio. “Klientët e pëlqejnë shumë”, ndërhyn menaxheri i “Ada Caffe”, ndërsa shton se bëhet fjalë për një radio online, duke marrë një qëndrim të një njeriu të kënaqur dhe nuk vonon të shtojë. “Gjithashtu, të informon  dhe shpesh herë dëgjojmë më shumë muzikë shqip se sa të huaj,” përfundon menaxheri, Ari Osmani.

Në sfond dëgjohet një sigël që pavetëdijshëm të bën të ndalesh e të mbash vesh. “Stop. Rewind”. Ashtu siç shpjegon, pak orë  më pas,  këngëtari i njohur Bojken Lako, drejtor i “Si Radio”, se është filozofia e kësaj radioje të re, e cila u krijua me qëllimin jo për të qenë një propozim më shumë për dëgjuesit, por të sjellë një vlerë të shtuar. “Çdo ditë, pasi bëhen shtatë apo tetë këngë të reja, që kemi transmetuar, një jingle thotë “Stop/Rewind” dhe kthehemi pak retro”, zbulon Lako. Por nuk është thjesht një radio nostalgjike. Formati duket gjithëpërfshirës dhe me disa specifika të munguara, shton Lako, në publikimin e muzikës në vendin tonë.

“Gjatë të paktën dhjetë viteve, duket se ka pasur një keqpublikim të muzikës, pasi janë marrë dhe transmetuar vetëm ato këngë që klasifikohen në billboard-e”, klasifikimet me bazë pëlqyeshmërie masive, “por nuk është kjo e vetmja muzikë që dëgjohet dhe promovohet në radiot e ndryshme të botës”, shton. Sipas Lakos ka shumë artistë, edhe ata në thelb komercialë, por jo aq shumë popullorë, pak më ekstravagantë, të cilët ekspozohen më pak.

“Në “Si Radio” mundohemi të kemi shtatëdhjetë apo tetëdhjetë përqind të muzikës që qarkullon masivisht nëpër botë, hitet e fundit të artistëve komercialë, muzikës le të themi “mainstream”, por gjithashtu përcaktojmë edhe ata artistë të rinj që do të ecin, në bazë të kritikës profesionale. Kështu i transmetojmë si propozim i yni.”Konfigurimi me dizajn të pastër, minimalist, gati futurist i faqes së internetit siradio.al pasurohet me më të rejat  nga bota  e showbizz-it, biografitë e artistëve, shqiptarë e të huaj, argëtim e informacione nga fusha të ndryshme.

“Kemi edhe një kategori “Artists to Watch”, artistë që në një të ardhme të afërt do të marrin famë, por edhe nëse nuk do të njihen aq pasivisht do të jenë një vlerë për t’u qarkulluar.”  Lako thotë se për përzgjedhjen e këtyre artistëve që rinj që “Si Radio” u propozon dëgjuesve, mbështeten në kritikën botërore. “Tek ne nuk ekziston kritika, por jashtë ka profesionistë që kur dëgjojnë një “single”, shkruajnë mbi të. Po bazohemi profesionalisht në një spektër më të gjerë, që të shpërndajmë kulturë më të madhe muzikore.” Muzika e pavdekshme, hitet më të mëdha të kohërave apo ajo që cilësohet si “evergreen music”, muzika e pakohë “për atë që nuk thuhet dot nëse është kompozuar në vitet ’70, 2000 apo 2010, muzika referuese për brezat e rinj”, thotë Lako, është një tjetër shtyllë e radios.

Por dega më e rëndësishme, thekson Lako, është “përpjekja për të arritur deri tek prodhimet autentike të radios, “që është muzika shqiptare. Do të mundohemi të përzgjedhim muzikë të mirë shqiptare, të kthejmë ato këngë që nuk transmetohen, shoqëruese të një brezi dhe po bëjmë kërkim për artistë të rinj, duam të tërheqim artistë shqiptarë”, thotë Lako. Jo vetëm muzikë dhe  informacione, kjo radio synon të shndërrohet në  arenë promovimi e artistëve dhe grupeve të reja muzikore. Lako zbulon se do të pasurohet së shpejti me programe të dedikuara muzikës.

“Shumë shpejt do të nisim programe të specifikuara muzikore, për shembull për metalarët, por jo vetëm, të cilat do të transmetohen pas mesnatës”, zbulon drejtori, ndërsa shton se në “Si Radio” po i kushtohet rëndësi ndërtimit të një stafi profesional në radiobërje, jo vetëm në programacion. Ideja është në krijimin e një radioje të dedikuar, ku dëgjuesit të mos  ua lënë në dorë programacionit shijet e tyre muzikore, por ta përzgjedhin vetë. “Ideja është e një bashkëpunimi me biznese apo subjekte të ndryshme, të cilët mund të zgjedhin një prej kanaleve që do të ndërtohen me muzikë të përzgjedhur nga profesionistë dhe siglat e radios bëhen të dedikuara me emrin e biznesit apo specifika të tjera, që ata duan t’i vënë në pah.”

 Nuk do të jetë çudi që në dy mjedise të ndryshme,  që kanë zgjedhur të ndjekin “Si Radio”, muzika të mos jetë e njëjta. Kjo është mrekullia e kohëve moderne; të jesh ndërveprues dhe bashkëkrijues me mediumin e parapëlqyer. Një formë e re komunikimi, ku jo vetëm përcillet informacion dhe ofrohet muzikë, por dëgjohet dhe u jepet zë njerëzve, që përditshmëria e tyre të dalë nga rutina e të marrë ngjyra. Duket se kjo platformë e re radiofonike online, i largohet diktatit që shpesh vendosin radiot tradicionale, ku dëgjuesit duhet të kënaqen me ofertën e përzgjedhur nga media dhe jo nga ata vetë.

Ashtu si edhe në spotin publicitar, ku një i moshuar tërheq me mund një aparat të vjetër radioje, përballë të rinjve me patina e kufje, që dëgjojnë në çdo kohë muzikën e tyre të preferuar, kupton se filozofia e krijimit të saj është ta lërë dëgjuesin të vendosë atë çka dëshiron vërtet të dëgjojë. Megjithëse bëhet fjalë për një radio online, Bojken Lako thotë se nuk është aspak e ndërlikuar  ta gjesh dhe ta dëgjosh këtë radio. “Pajisja më me vlerë e njerëzve aktualisht, është celulari dhe duke e shkarkuar aplikacionin e “Si Radio”, mund ta shtypësh si çdo ikonë tjetër në ekran. Përshembull, në vend të hysh në Instagram, kliko “Si Radio” dhe dëgjo muzikë” , thotë ai duke qeshur. Është kaq e lehtë dhe nuk ke pse të mbash aparatin e radios, si tek reklama me xhaxhain e moshuar”,  thotë, ndërsa qesh, duke shtuar se kjo radio, ashtu si edhe teknologjia në ditët e sotme, përqafon dhe është bërë për t’u përqafuar nga çdo brez. “Edhe ai xhaxhai i reklamës që është 79 vjeç, kishte Facebook, Whatsapp dhe Instagram, njësoj si unë”.

https://www.instagram.com/p/BpJtyAPnDja/?hl=en&taken-by=siradio.al

Ndaj edhe motoja e radios është zgjedhur, jo rastësisht, të jetë “Play it simple. “Është teknologji e re, por aspak e vështirë për t’u përdorur”, shton Lako. “Si Radio ” nuk është vetëm një radio për të rinjtë – aty do të mund të gjeni nga muzika e artistëve shqiptarë, tek hitet që kanë  shkruar historinë e muzikës, tek muzika më e re dhe avangarde. Për ata që duan një shoqërues, që u gjallëron ditën, që duan të kapërcejnë nga muzika nostalgjike  te ritmet e shpejta, nga romantikja tek elektrizuesja, “Si Radio” i ofron të gjitha, në çdo çast, mjaft të zgjedhësh.

Specifika e emrit të radios “Si” të sjell ndërmend menjëherë notën e shtatë të solfezhit muzikor, që në Mesjetën e largët e shpiku murgu italian Guido D’Arezzo. Një notë që sjell ritmin dhe shijen vetjake, në një botë ku shijet janë të padiskutueshme, një ndalesë për ata që duan një radio të gjithën për vete. Jo vetëm një notë muzikore, por  një platformë dhe hapësirë për të gjithë, ku si në një shumësi universesh  dhe dimensionesh që bashkëjetojnë në harmoni , Si Radio, ka një ofertë për të gjithë shijet, dëshirat dhe gjendjet shpirtërore të momentit.

Të akordohesh në notën “Si” (lexo: në Si Radio), nuk duhet e vështirë as për ata që, si unë, që nuk kanë ndonjë formim muzikor. Një kërkim në Playstore dhe për pak çaste ikona me fushë të bardhë dhe shkronja të zeza shfaqet në ekranin e celularit. Me një klikim, hyj në muzikën që “Si Radio” po transmeton në ato çaste. Është pasdite, ndërsa njerëzit bëhen gati të festojnë “Halloween”-in, festës që i bën bashkë të gjallë e të vdekur, trupa dhe fantazma... “ Boy you can cool it down/ I'm here to fool around/ Just wanna dance, dance, dance Dance, dance, dance”, thotë kënga dhe këmbët sikur lëvizin me ritmin e muzikës “fresh” që të fton në vallëzim solo...


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë