Analize

Si po përpiqet të “bllokojë” Rusia negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë

Nga Xhuliana Toci - Ndërkohë që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut po presin dritën jeshile për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare në qershor, të dyja vendet e kanë tanimë të qartë se rruga e anëtarësimit kalon nga Bullgaria. Sofja është bërë vendi i radhës që ka vendosur një barrikadë në përparimin europian të dy shteteve, duke mos pranuar hapjen e negociatave me Shkupin dhe duke bllokuar si pasojë edhe Tiranën.

Megjithatë, ngërçi mes dy vendeve dhe bllokimi aktual i procesit të anëtarësimit duket se ka krijuar sërish terren për Rusinë, e cila ka vendosur së fundmi të përzihet, duke mbajtur në një lëvizje të papritur anën e Maqedonisë së Veriut.

Ndërsa Bullgaria po bën përpjekje për të përmirësuar marrëdhëniet me Maqedoninë e Veriut, ambasada ruse në Shkup lëshoi ​​një mesazh që mund të shihej vetëm si një provokim në Sofje, duke deklaruar se "shkrimi dhe këndimi në Rusi e kishte origjinën nga Maqedonia". Kjo deklaratë ka rritur edhe më tej tensionet mes dy vendeve, ndërkohë që Bashkimi Europian ka paraqitur një propozim konkret për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve historike mes Shkupit dhe Sofjes.

Më 24 maj festohet në disa vende, përfshirë Bullgarinë, Rusinë dhe Maqedoninë e Veriut, dita e Vëllezërve të Shenjtë Kirili dhe Metodi dhe e shkrimit cirilik. Presidentët e Bullgarisë dhe Maqedonisë Veriore do të vizitojnë Romën së bashku në 27 maj për të nderuar Shën Kirilin dhe Shën Metodin, një vizitë që shihet si një hap drejt afrimit mes dy vendeve.

Por përballë këtij afrimiteti, ambasada ruse në Shkup bëri një deklaratë, duke thënë se shkrim-leximi në Rusi vinte nga "toka maqedonase". Maqedonia nuk ekzistonte si vend kur u krijua alfabeti cirilik dhe fakti historik është se alfabeti u porosit nga Mbretëria e Bullgarisë.

Ambasada ruse në Shkup citoi Vladimir Putin të përgëzonte "popullin vëllazëror maqedonas" për Ditën e Shenjë të Kirilit dhe Metodit.

"Sot në Rusi është një ditë solemne: dita e shkrimit sllav, dhe shkrimi na erdhi nga toka maqedonase", shkroi në Twitter ambasada ruse në Shkup, duke cituar presidentin rus, një deklaratë që ka shkaktuar një sërë reagimesh në Sofje.

Por përse erdhi kjo deklaratë provokuese në këtë moment?

Analisti Zhelko Trkanje thotë se rishkrimi i historisë dhe luajtja e një vendi kundër tjetrit nuk është diçka e re për taktikat e Kremlinit, të cilat synojnë bllokimin e zgjerimit të mëtejshëm të BE.

Rusia pret që nacionalistët në Shkup të duartrokasin pozicionin e Putinit, ndërsa nacionalistët në Sofje të forcojnë kundërshtimin e tyre për fillimin e bisedimeve të pranimit në BE me Maqedoninë duke bllokuar për pasojë edhe Shqipërinë”, thotë analisti.

Provokimi vjen ndërkohë që marrëdhëniet mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut janë përmirësuar për herë të parë në disa muaj dhe udhëtimi i dy presidentëve drejt Romës shihet si një gjest simbolik për zbutjen e tensioneve.

Presidenti bullgar tha para deklaratës së Putin se hapja e rrugës evropiane të Shkupit kalon kryesisht përmes Sofjes, duke shtuar se "ne duhet të ulemi me njëri-tjetrin  me qetësi, dhe të zgjidhim problemet tona bilaterale."

Megjithatë, Rusia duket se ende shfrytëzon mënyra të ndryshme për të ushtruar ndikimin e saj dhe për ta larguar vendin fqinj nga vlerat evropiane. Ambasada Ruse në Shkup po bën muaj që tregon mbështetjen e saj për popullin maqedonas, duke shpërndarë këngë maqedonase dhe tregime popullore për të cilat Shkupi dhe Sofja janë përfshirë në një sërë debatesh.

“Ambasada ruse në Shkup shpesh i jep vetes të drejtë t’i shkelë standardet themelore të sjelljes diplomatike dhe të përdorë rrjetet sociale, duke u treguar patriot i madh dhe përfaqësues i historisë maqedonase. Ndërkohë ka një tendencë në të cilën përmes kërcënimeve hibride asimetrike, lajmeve të rreme, përdorim të OJQ-ve, grupimeve politike dhe strukturave tjera në vend. Rusia po përpiqet të minojë vlerat euro-atlantike dhe integrimin e vendit tonë”, tha profesori, Marjan Gjurovski.

“Rusia për të rritur ndikimin e saj shfrytëzon linja kulturore, shpirtërore, por edhe fetare. Ky ndikim nëse kryqëzohet me ndikimin e shërbimeve dhe ndikimit nëpërmjet rrjeteve sociale, mediave dhe lajmeve të rreme mendoj se prodhon rezultate që nuk janë në përputhje me rrugën europiane të vendit tonë”, thotë ai.

“Kemi një përpjekje që Rusia të jetësojë një projekt që ka nisur para një kohe të gjatë, Unionin Euroazitatik, me të cilin normalisht tenton që të joshë vendet e rajonit që të anëtarësohen në atë union si alternativë e BE-së”, thotë nga ana tjetër eksperti Trkanje.

“Dyshohet se një pjesë të krizave që i kishim në të kaluarën janë nxitur  nga zyrtarë të Rusisë në Shkup, në Sofje, në Beograd, në rajon”, thekson eksperti.

Në vitet e fundit, ndërhyrja agresive e Rusisë në Ballkanin Perëndimor është rritur me synimin për të rritur kostot e integrimit të rajonit në NATO dhe BE, duke shfrytëzuar dobësitë e brendshme politike dhe ekonomike të vendeve të rajonit. Megjithatë, nëse Rusia vazhdon me përpjekjet për të rritur tensionet mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, ajo që do të paguajë kostot do të jetë edhe Shqipëria, pasi të paktën publikisht BE e ka bërë të qartë se bisedimet e anëtarësimit ose do të nisin me të dyja vendet në qershor,  ose do të shtyhen sërish për në vjeshtë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë