Analize

Si po ndërhyjnë Vuçiç, Zaev dhe Kurti në zgjedhjet e 25 prillit

Zgjedhjet e 25 prillit në Shqipëri janë kthyer tanimë me çështje rajonale. Ndërkohë që shqiptarët do të vendosin këtë të diel nëse do t’i japin një mandat të tretë kryeministrit Edi Rama, apo të sjellin për herë të parë në krye të qeverisë kreun e opozitës, Lulzim Basha, një pjesë e liderëve të rajonit po shprehin haptazi pikëpamjet e tyre.

Duke ndërhyrë hapur në fushatën zgjedhore, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe kryeministri maqedonas Zoran Zaev po shprehin mbështetjen për kryeministrin Edi Rama, ndërsa lideri i Kosovës Albin Kurti po ndërhyn për zgjedhjen e tre kandidatëve të Vetëvendosjes, por nuk e ka fshehur afrimin me opozitën.

Aleksandër Vuçiç ishte i fundit që u përzie në zgjedhjet e 25 prillit, duke folur për pritshëmritë e tij gjatë një interviste në televizionin B92 në Beograd. Vuçiç, i cili është presidenti i parë serb që flet për zgjedhjet në vendin tonë, ka thënë se po i ndjek me vëmendje sondazhet, ku sipas tij diferenca mes palëve është vetëm 1 deri në 3%. Ai nuk fsheu mbështetjen për partinë në pushtet, duke thënë se pas liderit të opozitës, Lulzim Bashës qëndron ish-kryeministri Sali Berisha. Presidenti serb është i bindur se sipas tij, opozita shqiptare e do Shqipërinë e Madhe.

Komenti i Vuçiç, i cili raportohet se gëzon marrëdhënie të mira me kryeministrin Rama, me të cilin ranë dakort edhe për përfshirjen në Mini Shengenin Ballkanik, erdhi pasi gazetari e pyeti lidhur me një deklaratë që ish-kryeministri Sali Berisha ka bërë kohët e fundit mbi zhvillimet politike rajonale. “Jam krenar për faktin se unë jam pengesa e tyre më e madhe, sepse ata flasin hapur për krijimin e “Shqipërisë së Madhe” dhe askush nuk reagon ndaj kësaj”, u shpreh ndër të tjera presidenti serb.

Deklarata e tij solli një reagim të ashpër nga ish-kryeministri Berisha, i cili akuzoi Vuçiç se po ndërhyn në kundërshtim me rregullat dhe ligjet ndërkombëtare me mjete financiare, ekipe të tëra manipuluese në mediat sociale dhe kompaninë e tij të sondazheve në mbështetje të kryeministrit Rama.

Sipas Berishës, prapa këtyre ndërhyrjeve të pashembullta në fushatë elektorale nga ana e Serbisë qëndron frika se me ndërrimin e pushtetit do të marrë fund edhe lufta e ftohtë mes qeverisë shqiptare ndaj Prishtinës zyrtare. “Vuçiç ka një problem të madh personal me Bashën”, thekson Berisha. “Ai i trembet shume kontributit direkt të Bashës si njohës i mire i dosjes së Millosheviçit në Hagë dhe ka frikë se mos Basha kryeministër mbështet nismën tashme publike të nisur nga disa politikanë të njohur perëndimorë për ngritjen e akuzës për krime lufte dhe gjenocid kundër tij”, shprehet ish-kryeministri.

Basha ka premtuar një afrimitet më të madh me Kosovën, duke deklaruar së fundmi se do të heqë traun mes dy vendeve, por ashtu si politikanët e tjerë shqiptarë ka qënë i kujdesshëm kur flet për Bashkimin Kombëtar duke deklaruar shpesh se aspirata kryesore e Kosovës dhe Shqipërisë duhet të mbetet anëtarësimi në BE. Ashtu si kreu i opozitës, edhe kryeministri Rama nuk e ka komentuar shpesh çështjen e bashkimit. Në vitin 2017, ai i tha Politico se nuk mund të përjashtonte një “bashkim të vogël” midis Shqipërisë dhe Kosovës nëse BE vendoste të hiqte anëtarësimin nga tryeza. Por ai nuk ka dalë kurrë me një përgjigje pro ose kundër në karrierën e tij politike.

Kryeministri ka arritur në fakt të forcojë frymën e bashkëpunimit me Serbinë nëpërmjet Shengenit rajonal, duke u takuar disa herë me presidentin serb dhe kryeministrin maqedonas përgjatë vitit të kaluar për të forcuar lidhjet rajonale. Vuçiç nuk e ka fshehur entuziazmin për marrëdhëniet e mira me qeverinë Rama dhe bashkëpunimin nën siglën e Shengenit Ballkanik, i cili ka bërë të mundur mes të tjerash lëvizjen e qytetarëve të dy vendeve vetëm më kartë identiteti. Por kjo nismë është kritikuar ashpër nga Partia Demokratike, duke e cilësuar një nismë të Vuçiçit për të dëmtuar Kosovës, duke bërë që Beogradi të druhet se nisma mund të rrezikohet në rast se ka një ndërrim pushteti në Tiranë.

Me sulmin ndaj opozitës, Vuçiç iu bashkua kështu të dielën dy liderëve të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, të cilët janë përfshirë edhe më shumë në zgjedhjet Shqipërisë.

Zoran Zaev i bëri thirrje të premten maqedonasve në Shqipëri që të votojnë për Edi Ramën, i cili është ndër aleatët më të ngushtë të kryeministrit maqedonas në rajon. Dy liderët njihen për marrëdhëniet e mira dhe përgjatë katër viteve të kaluara kanë qënë gjithnjë të bashkuar në procesin e anëtarësimit. Pavarësisht presionit, Zaev ka kërkuar të mos shkëputet nga Shqipëria, në kohën kur Franca dhe Holanda refuzonin të hapnin negociatat për vendin tonë. Tani që Bullgaria po bllokon Maqedoninë e Veriut, Rama duket se i ka kthyer nderin, duke deklaruar të dielën se rruga e dy vendeve drejt BE-së është e përbashkët dhe se Sofja po refuzon negociatat me Shkupin për arsye të brendshme.

Deklarata e Ramës vinte pas në një postim në rrjetet sociale, ku Zaev i referohet kryeministrit shqiptar si “miku i tij i dashur”.

“Në listën e PS, mikut tim të dashur Edi Rama është edhe Vasil Sterjovski, një maqedonas dhe prej dy vitesh është pjesë e Parlamentit në Shqipëri. Dita kur Sterjovski u bë deputeti i parë maqedonas në Parlamentin shqiptar ishte historike. 25 prilli është gjithashtu një ditë e rëndësishme, dita kur ju do të votoni si maqedonas në Republikën e Shqipërisë që Vasili të vazhdojë misionin e tij për të përfaqësuar maqedonasit në Parlamentin e Shqipërisë. Ju bëj thirrje të gjithëve që në 25 prill të votoni numrin 12, të mbështesni Vasil Sterjovskin dhe Partinë Socialiste”, shkruante Zaev duke ndërhyrë haptazi në fushatën zgjedhore.

Rama dhe Zaev janë në një mendje për shumë çështje në Ballkanin Perëndimor, janë të dy të majtë dhe kanë arritur të forcojnë ndjeshëm bashkëpunimin mes dy vendeve, duke u mundur të heqin doganat në kufi.

Kurti nga ana tjetër nuk po mban “anë” mes mazhorancës dhe opozitës, por mbështet hapur në rrjetet sociale tre kandidatët e pavarur por që janë të Vetëvendosjes në Shqipëri, Boiken Abazi, Iliaz Shehu dhe Kreshnik Merxhani. Prej katër javësh, kryeministri Kurti po përfshihen në zgjedhjet parlamentare, pavarësisht kritikave të opozitës në Prishtinë, të cilët paralajmërojnë për dëmtimin e marrëdhënieve dy-palëshe. Në mesin e tyre ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla si dhe deputetët Fatmire Kollçaku, Armend Muja, Tinka Kurti, Agon Batusha, Enver Dugolli, Salih Zyba si dhe Valon Ramadani. Këta përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje morën pjesë në aktivitete elektorale.

Pas kritikave të shumta dhe presionit publik më të cilin u përball qeveria dhe Lëvizja Vetëvendosje në Prishtinë, Arlind Manxhuka nga ky subjekt politik, përmes një reagimi publik ka thënë se pjesë e zotimeve të tyre është edhe fuqizimi i marrëdhënieve vëllazërore me Shqipërinë. Në reagimin e tij, Manxhuka ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje në Kosovë po ofron ndihmë politike si dhe logjistike për qendrën në Shqipëri.

Angazhimi i kryeministrit Kurti në garën politike në Shqipëri sipas analistit Imer Mushkolajt, në të ardhmen mund të rrezikojë raportet në mes të tij dhe kryeministrit të ri shqiptar.

“Nuk është e lehtë për kryeministri i ri të Shqipërisë, kushdo që të jetë ai ose ajo, që në të ardhmen të mund të bashkëpunojë në mënyrë korrekte në aspektin bilateral me një person i cili thjesht është jo vetëm bashkëpunëtor në kuptimin e një politikani që udhëheq një shtet tjetër, por është edhe rival politik”, thotë Mushkolaj.

Kurti dhe Rama përfliten prej kohësh për një ftohje politike dhe u përplasën haptazi gjatë vizitës së parë së Kurtit si kryeministër gjatë vitit të kaluar për Shengenin Ballkanik. Kurti deklaroi në atë kohë se bashkimi i vetëm ekonomik i Kosovës duhet të ishte me Shqipërinë dhe jo me Serbinë, duke shkaktuar jo pak pakënaqësi tek qeveria Rama. Kryeministri Rama ndërkaq ishte i fundit në Tiranë që uroi Albin Kurtin për fitoren në zgjedhjet e shkurtit, ndërkohë që kreu i PD-së ishte i pari, duke i premtuar bashkëpunim më të fortë se kurrë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë