Histori

Si po i shet Shqipëria avionët MiG në ish bazën ushtarake të Gjadrit

“AFP” i ka kushtuar një reportazh një prej bazave më të jashëzakonshme të Shqipërisë komuniste, asaj të Gjadrit, e cila fshihte dikur shumë sekrete, por që tani është kthyer tanimë në një varrezë për dhjetëra avionë të epokës komuniste. Tre dekada pas shpërbërjes së regjimit, autoritetet shqiptare po përpiqen të shesin avionët sovjetikë dhe kinezë.

“Përafrimi i pajisjeve tona dhe armëve tona me standardet e NATO-s është pjesë e “kapitullit të ri të Shqipërisë ″, thotë Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Bardhyl Kollçaku . “Sa për MiG-ët, përveç nostalgjisë, për të cilën ne do t’i mbajmë disa prej tyre në muzeun tonë … pjesa tjetër do të trajtohet sipas legjislacionit të brendshëm për shitje ose përdorim tjetër,” shton ai.

Avionët e epokës komuniste, të cilat përfshijnë ndër të tjera modelet MiG-19, MiG-17 dhe MiG-21, kanë dalë jashtë përdorimit për më shumë se një dekadë. Por muzetë, koleksionistët dhe të apasionuarit pas aviacionit kanë shprehur tashmë interes për blerjen e tyre.

https://www.youtube.com/watch?v=jOPZU7URZCM

Kur Shqipëria diskutoi për herë të parë shitjen e MiG-ëve në vitin 2016, ofertat e para erdhën nga Muzeu Ajror dhe i Hapësirës në Francë, si dhe një shkollë fluturimi në Gjermani.

Megjithatë deri më sot asnjë nga avionët nuk është shitur. Për blerjen e tyre janë të interesuar jo vetëm muze, por edhe individë, përfshirë këtu biznesmenin francez Julien Roche, i cili planifikon të vendosë një prej avionëve në kopshtin e tij.

“Blerja e tyre nuk është kaq e lehtë sepse të gjithë janë shkatërruar dhe nuk janë të ruajtura siç duhet” tha ai për AFP, nga një shtëpi e mbushur me artikuj të çuditshëm. Ai ka ofruar 10,000 euro për një avion “MiG-15”.

"AFP" e krahason bazën ajrore me bunkerët, duke thënë se ashtu si 7,000 bunkerë të sigurisë që i përkisnin fshatit, baza e fshehtë e Gjaderit ishte pjesë e planit të ish-diktatorit komunist Enver Hoxha për të forcuar shtetin nga frika e pushtimeve të huaja. “Më shumë se 600 ushtarakë punonin brenda labirintit të tuneleve të mbyllura” shkruan media e njohur.

Pas hapjes së tuneleve të errëta dhe të lagështa për AFP, komandanti aktual i bazës Fatmir Danaj pranon se avionët e vjetër ngjallin një nostalgji të madhe.

“Kënaqësia e fluturimit dhe e punës në këtë bazë ishte e paimagjinueshme” tha Danaj. “Por sot, dhomat ku përfshihet një kafene, konvikte si dhe një sërë zyrash të tjera janë të zbrazëta”.

Sipas “AFP”, gjatë 40 viteve të sundimit të tij, Hoxha e ktheu Shqipërinë në vendin më të militarizuar në Ballkan. Por kjo u kthye në një bumerang në vitin 1997, shtatë vjet pas rënies së komunizmit, kur qytetarët sulmuan depot dhe bazat ushtarake për të marrë armë. Edhe në Gjadër qindra njerëz grabitën armët dhe nisën të shisnin pjesë të disa MiG-ve si metale hekuri.

Sot forcat ajrore shqiptare kanë vetëm një flotë të vogël helikopterësh dhe hapësira ajrore e vendit tonë është e mbrojtur nga NATO. Po ashtu baza e parë e NATO-s në rajonin e Ballkanit do të ndërtohet në Kuçovë.

Por Danaj ende ëndërron ta shohë Gjadrin të kthehet në lavdinë e tij të mëparshme.
“Baza mund të shërbejë si një muze, por falë infrastrukturës së saj moderne, mund të jetë funksionale përsëri dhe t’i shërbejë NATO-s“, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë