Biznes

Si po i josh investitorët e huaj Mali i Zi

Mali i Zi iu bashkua listës që zgjerohet vazhdimisht me vende si përpjekjet për të joshur investitorët e huaj përmes dhënies së nënshtetësisë. Programi, i quajtur “Programi i investimit dhe nënshtetësisë” do të marrë udhë nga muaji tetor i këtij vitit dhe në fazën e parë do të ketë një numër të kufizuar prej 2 mijë pasaportash që do t’u jepen investitorëve që plotësojnë kriteret e vendosura.

Banka Botërore në raportet e saj e rëndit ekonominë malazeze ndër ekonomitë me rritjen më të madhe në Ballkan dhe vendi i vogël fqinj i yni po shndërrohet me shpejtësi në një destinacion kyç për shumë industri në mbarë botën për pozicionin strategjik ku ndodhet. Si një shtet relativisht i ri, Mali i Zi ofron një potencial unik për investitorët që kërkojnë lëvizshmëri, siguri, mundësi dhe rritje të cilësisë së jetës.

Nisma e fundit është propozuar që në vitin 2015 nga Arton Capital, gjatë një seminari të zhvilluar në Podgoricë me autoritetet vendase, ku kompania u foli zyrtarëve për përfitimet që i vinin vendit nga programet e investimeve që shoqërohen me marrjen e nënshtetësisë.

Por çfarë kërkohet? Janë tre kushte kryesore. Së pari, derdhja e shumës prej 100 mijë eurosh si donacion për buxhetin e shtetit, më pas 250 mijë euro investime në sektorin e ndërtimeve në zonat malore të pazhvilluara të vendit, ose investimi minimalisht prej 450 mijë eurosh, po në fushën e ndërtimit në zonat e zhvilluara jugore dhe bregdetare të vendit.

Pra, me këto terma, programi malazez shndërrohet ndër programet më joshës për investitorët, që duke nisur nga 350 mijë euro përfitojnë pasaportën e një vendi të vogël bregdetare, por edhe një kandidat potencial për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian.

Një tjetër lehtësim janë edhe burokracitë e reduktuara në minimum në këë pjesë. Programi nis me dhënien e rezidencës së përhershme për të gjithë investitorët e interesuar, procedurë që mbyllet brenda tre javësh, ndërsa brenda 6 muajve merret pasaporta.

Këto janë lehtësitë e avantazhet që ofron qeveria, por nuk ndalen me kaq. Mali i Zi është shtëpia e porteve dhe gjireve spektakolare të jahteve luksoze, përfshirë këtu të famshim Porto Montenegro, i blerë nga Korporata e Investimeve të Dubait për 200 mln euro. Jugu dhe bregdeti janë shndërruar në destinacion tërheqës për turistët dhe investitorët, por pas nuk po qëndrojnë as zonat malore të vendit.

 

Më Shumë