Libra

‘Si nuk patëm pak fat si komb’. Besnik Mustafaj sjell Shqipërinë si themeluese të BE në romanin ‘Fati i marrë’

Nga Luljeta Nelallari - “U ngrit fat’ i Shqipërisë/ si i vdekuri nga varri/ mori udhët e Azisë/ duke rendur si i marri”.

Me këtë strofë që vjen drejt nga poema “Istori e Skënderbeut” e Naim Frashërit e nis romanin më të ri “Fati i marrë” shkrimtari dhe ish-diplomati Besnik Mustafaj.

“Fati i marrë” është një prozë distopike, siç quhet proza, ku shtjellohet një histori, e cila, qysh në themelin e saj, është e sajuar nga shkrimtari.

Shkrimtari Besnik Mustafaj thotë për Gazetën “Si” se vepra distopike parafytyron një Shqipëri të pavarur më 1878 e që nis të themelojë institucione të rëndësishme ndërkombëtare.  Ish-kryeministri i Britanisë, Benjamin Disrael i bashkohet prozës së Mustafajt, përmes trillit artistik.

“Romani im ‘Fati i marrë’ shtjellon historinë e një Shqipërie, e cila, nën kujdesin e posaçëm të Kryeministrit anglez Benjamin Disrael, merr pavarësinë nga Perandoria Osmane në vitin 1878, domethënë në kohën e Lidhjes së Prizrenit, pra, njëherash me Serbinë, Malin e Zi dhe Bullgarinë. Nisur nga ky fakt fort i dëshiruar, por që fatkeqësisht nuk ka ndodhur, kam përfytyruar lirisht një Shqipëri të vitit 2022, - koha kur shkruhej romani, - e cila është një nga demokracitë më funksionale, është një nga vendet më të begata të botës, është anëtare themeluese e Bashkimit Europian dhe NATO-s e kështu me radhë”, shprehet për Gazetën “Si” shkrimtari Besnik Mustafaj.

Mustafaj si romancier ka përfytyruar një subjekt letrar, ku ndërthuren edhe fate njerëzore.

“Në roman kam ndërthurur fate njerëzore për të përligjur vendosmërinë e kryeministrit Benjamin Disrael kur zgjedh të marrë anën e shqiptarëve e po ashtu për të përligjur vendosmërinë e kryeministrit Ҫërçill 66 vjet më vonë (në tetor 1944), për ta mbajtur Shqipërinë në anën me diell të perdes së hekurt, kur bënte pazar me Stalinin për ndarjen e Europës Qendrore. Nëse romani ka një mesazh, ky mund të ishte: Si nuk patëm pak fat si komb!”, vijon më tej shkrimtari për Gazetën “Si”.

Romani "Fati i marrë"

Në këtë roman shkrimtari i jep shumë vend politikës, madje sipas tij politika shërben si një ind kryesor thurës në vepër, pa të cilën struktura romaneske do të binte.

“Dy protagonistët, të cilët marrin vendimet përcaktuese për fatin e pëlqyeshëm të Shqipërisë, janë dy politikanë shumë të lartë, me ndikim të dorës së parë në fatin e botës: Benjamin Disraeli në vitet 1870 dhe Uinston Ҫërçilli në vitet 1940, të dy kryeministra të Mbretërisë së Bashkuar. Por edhe kjo politikë e madhe nga këta burra shteti, sipas përfytyrimit tim në roman, frymëzohet nga arsye vetjake, thellësisht njerëzore. Për Benjamin Disraelin është një dashuri jete për një vajzë shqiptare. Për Uinston Ҫërçillin është një borxh i fshehtë moral, që ai ka ndaj Benjamin Disraelit”.

Mustafaj thotë se ideja për këtë roman distopik i lindi kur lexoi romanin e Benjamin Disraelit “Naltësimi i Iskanderit”, me përkthim të Mal Berishës.

“Gabriel Garcia Marques thotë se, për romancierin, frymëzimi ekziston vetëm në çastin e lindjes së idesë për veprën në përfytyrimin e tij. Vazhdimi është punë. Mendoj se ka të drejtë. Ky roman në kokën time ka lindur kur lexova romanin e Benjamin Disraelit ‘Naltësimi i Iskanderit’, me përkthim të Mal Berishës. Është një roman romantik, i përshkuar nga fryma bajroniane, i shkruar plot me dashuri për Skënderbeun, pra, për shqiptarët”, thotë Mustafaj, ndërsa shton se “menjëherë më erdhi pyetja: Ҫfarë do të kishte ndodhur me fatin tonë sikur Benjamin Disraeli ta kishte shprehur këtë dashuri ndaj pasardhësve të Skënderbeut nëpërmjet vendimeve politike që do të merrte kur u bë Kryeministër i Anglisë 46 vjet pas udhëtimit të tij në viset shqiptare?”

Si një shkrimtar që gjithmonë i ka “rrëmbyer” lexuesit dhe është vlerësuar pozitivisht nga kritika, Mustafaj shpreson që edhe romani “Fati i marrë” të lexohet sa më gjerësisht dhe të pëlqehet nga shqiptarët e të gjithë brezave, ata të sotëm e ata të nesërm, e sidomos nga të rinjtë.

“Pres që edhe ‘Fati i marrë’ të ecë në këtë rrugë, duke ma zgjeruar rrethin e lexuesve. Do të doja që midis lexuesve që e zbulojnë shkrimtarinë time përmes këtij romani, të kishte sa më shumë në moshë të re”, përfundon për Gazetën “Si” shkrimtari Besnik Mustafaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë