Njerez

Si i “shkatërron” telefoni marrëdhëniet e prindërve me fëmijët

Në ditëlindjen e saj ë 14-të Jalyn Van Every, mori si dhuratë një telefon nga prindërit e saj. Ajo ishte shumë e lumtur, pasi prej kohësh donte një të tillë dhe prindërit ia plotësuan dëshirën, duke mos ditur se nga ky moment do të fillonin edhe vitet më të vështira për ta.
Një ndër “luftërat” më të mëdha për sa i përket çështjes së telefonit ishin rrjetet sociale. Sapo mori telefonin e saj Jalyn shkarkoi Snapchat-in dhe aplikacionin KIK ku mund të shkëmbente mesazhe, kundër dëshirës së prindërve të saj. Ajo filloi të fshehë aplikacionet, në mënyrë që prindërit e saj të mos i gjenin kur i kontrollonin telefonin.
Ajo tregon se prindërit e mbikëqyrnin gjithmonë dhe në orën 8:00, Jalyn duhet ta linte telefonin në dhomën e tyre.
“Unë kisha filluar të zgjohesha shumë vonë në mëngjes dhe ata nuk donin, që të flisja gjatë natës me miqtë e mi” thotë Jalyn, tashmë 18 vjeçe.
Por darka ishte pikërisht koha kur miqtë e saj fillonin të flisnin më njëri-tjetrin për gjithçka dhe ajo ndjehej në siklet, pasi nuk mund t’i tregonte miqve se prindërit e ndalonin të përdorte telefonin. Duke marrë shkas nga kjo ngjarje, Jalyn nisi që të hynte fshehurazi në dhomën e prindërve për të marrë telefonin. Ajo tregon se ky episod vazhdoi për muaj me radhë deri në momentin që prindërit, e kuptuan dhe i morën telefonin.

Për shumë adoleshentë madje edhe fëmijë të vegjël telefoni është bërë një objekt i domosdoshëm, i cili çdo herë e më shumë po i largon nga lojërat apo bisedat shoqërore reale. “Beteja” e prindërve dhe fëmijëve për këtë objekt tashmë është bërë e pashmangshme. Madje mungesa e telefonit shtyn adoleshentët të kryejnë edhe veprime të gabuara, ashtu si bëri Jalyn. Pasi prindërit i ndaluan përdorimin e telefonit, sepse ajo i kishte gënjyer, shumë shpejt ajo filloi të përdorte telefona të tjerë, të cilat i siguronte nga shokët më të mëdhenj që kishte në shkollë.
“Papritur filloi të ndalonte së kërkuari telefonin e saj, ashtu siç bënte më përpara dhe kjo ishte e çuditshme,” tha Patrik, babai i saj.
“Pothuajse në çdo shkollë të mesme anembanë vendit, ka të rritur që shesin telefonat të cilat nuk dihet se në çfarë rrugësh i sigurojnë,” shtoi Rich Wistocki, një detektiv në njësinë e krimeve të teknologjisë në Naperville.
Sipas ekspertëve të sulmeve kibernetike, diçka më e keqe se kaq është se adoleshentët përgjithësisht, përdorin profile të rreme në rrjete sociale fshehurazi prindërve. Patrik shprehet se shpesh herë e shihte vajzën e tij në ankth kur hynte në dhomën e saj, ndërkohë që afër mëngjesit kur ajo kishte shumë vështirësi për t’u zgjuar dhe për të shkuar në shkollë, ata kishin gjetur telefona poshtë jastëkut të saj.
“Ishte shumë e lehtë për të marrë një telefon në atë kohë" shprehet Jalyn.

Prindërit, u shprehën se momenti më i keq për ta ishte kur Jalyn ishte 16 vjeç dhe ata, zbuluan se kishte një të dashur të cilit i kishte dërguar foto nudo.
“Situata u bë shumë e lodhshme. Ato katër vjet ishin shumë të tmerrshme për ne,” shtoi Patrick.
Në qershorin e vitit të kaluar, kur ajo ishte 17 vjeç, u zhvendos tek një mik i familjes për të punuar gjatë muajve të verës. Patrik tregon se dalëngadalë Jaylin filloi të bëhej më e kujdesshme dhe më e përgjegjshme, duke filluar të paguante vetë shpenzimet e saj. Pak nga pak Jalyn kishte kuptuar, se në atë kohë veprimet e saj ndodhnin për shkak të papjekurisë së saj.
“Tani që kthehem pas në kohë, e kuptoj se sa shumë janë përpjekur prindërit e mi për mua,” shtoi ajo.
Patrik jep një mesazh të fortë për të gjithë prindërit, të cilat kanë të njëjtin problem me fëmijët e tyre adoleshent. Ai shprehet se nuk është mënyra e mirë të ndiqni fëmijët tuaj për çdo gjë që bëjnë, pasi më shumë do t’i largoni nga vetja.

“Vazhdimisht flisni me ta për efektet e këqija të teknologjisë dhe përpiquni të kontrolloni rrjetin tuaj të internetit që keni në shtëpi, pasi ka shumë hakera të cilët lançojnë reklama të papërshtatshme,”shtoi Patrick.
Psikologë të ndryshëm këshillojnë që më shumë se sa këshillat për fëmijët, më shumë shërben shembulli që marrin. Sipas tyre nëse prindërit përdorin telefonin e tyre me rregull dhe me orar, atëherë edhe fëmijët do të bëjnë të njëjtën gjë./The Wall Street Journal/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë