Analize

Si e kontrollon inteligjenca ruse Ballkanin Perëndimor?

Agjente, biznesmenë, media, gaz dhe kisha. "Instituti i Varshavës" sjell një raport të detajuar mbi qëllimet dhe zgjerimin e Rusisë në Ballkanin Perëndimor.

Përveç ish-republikave sovjetike, Ballkani Perëndimor mbetet rajoni i fundit i rëndësishëm i Europës që ende nuk është integruar plotësisht me strukturat e BE-së dhe NATO-s. Moska sheh vendndodhjen gjeografike të Ballkanit Perëndimor, si udhëkryqin mes saj dhe një Europe të bashkuar, si dhe pasurinë e saj kryesore. Kjo është arsyeja pse Moska i kushton rëndësi të veçantë situatës në Serbi, Bosnje dhe Hercegovinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Shqipëri dhe Kosovë, duke u përpjekur të ushtrojë ndikim të konsiderueshëm në Beograd, Republikën Srpska, Shkup dhe Podgoricë. Për shkak të faktorëve historikë dhe kulturorë, këto vende janë më të ekspozuarat ndaj presionit rus.

Lidhjet mes Kremlinit me Ballkanin Perëndimor po rriten vazhdimisht, duke bërë që Moska të marrë përsëri hapa agresivë si përpjekja për grushti shteti në Malin e Zi. Duke filluar nga viti 2016, Rusia rriti përdorimin e shërbimet e saj sekrete. Kjo është arsyeja pse Nikolai Patrushev, ish-kreu i FSB-së dhe Sekretari i Këshillit të Sigurisë të Federatës Ruse ishte njeriu i parë që “zbarkoi” në rajon, ndërkohë që agjencia e inteligjencës ushtarake të Rusisë (GRU) ka zgjeruar ndjeshëm aktivitetet e saj. Po aq i rëndësishëm është edhe angazhimi i Konstantin Malofeev në Ballkanin Perëndimor, një miliarder rus që ka një sërë biznesesh në Serbi dhe ka organizuar edhe një vizitë të një grupi të madh investitorësh në Banja Luka, kryeqytetin e Republikës Srpska.

Më 7 mars 2019, Matthew Palmer, Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, u tha gazetarëve në një intervistë në kryeqytetin kroat se "Rusia ka bërë të pamundurën për të minuar marrëveshjen e fundit midis Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe po rrit aspiratat midis serbëve të Bosnjës për t'u ndarë nga Sarajeva".

Rajoni i Ballkanit Perëndimor është kthyer tanimë në fushëbetejën e re të luftës hibride midis Rusisë dhe Perëndimit, e cila po zhvillohet pa përfshirë ende faktorët ushtarakë. Rusia nuk ka vendosur asnjë komandë në rajon, ndryshe nga Shtetet e Bashkuara që mbajnë ende një bazë ushtarake në Kosovë dhe kanë dërguar armatime për ushtrinë e Shqipërisë dhe Kosovës. Moska, nga ana tjetër, nuk ka nevojë për armatime, pasi gëzon një sërë asetesh të tjera, duke përfshirë edhe një rrjet të gjerë agjentësh dhe milicinë paraushtarake serbe, anëtarët e të cilëve kontrollohen dhe armatosen nga Rusia.

Kjo është e mjaftueshme për të ndezur mosmarrëveshjet në të gjithë rajonin. Duke pasur parasysh ndikimin e madh të Moskës në qarqet lokale politike, mediatike dhe ekonomike dhe mbështetjen e Kishës Ortodokse Ruse, ajo është në gjendje të ushqejë tensionet etnike dhe fetare dhe të bllokojë reformat, të fuqizojë grupet nacionaliste dhe anti-perëndimore dhe të ndërmarrë të gjitha veprimet që parandalojnë zgjidhjen e konflikteve rajonale.

Ndërhyrja ruse në Kosovë dhe Shqipëri

Koncepti i Shqipërisë së Madhe le pa gjumë fqinjët, veçanërisht Serbinë që humbi Kosovën pas konfliktit të përgjakshëm dhe ndërhyrjes së armatosur të NATO-s. Duke pasur parasysh faktin se vendet e Ballkanit Perëndimor kanë lidhje historike dhe etnike me njëra-tjetrën, Rusia është e aftë t’i vendosë këto vende kundër njëra-tjetrës.

Moska shfrytëzoi jashtë mase deklaratën e kryeministrit Edi Rama në vitin 2017, kur tha se "bashkimi midis Shqipërisë dhe Kosovës nuk mund të përjashtohet nëse perspektivat e anëtarësimit në BE zbehet. Kjo deklaratë solli një reagim të ashpër në Beograd, i cili tha se në Ballkan mund të shpërthente një luftë e re nëse Shqipëria përpiqej të formonte një shtet të unifikuar me Kosovën. Dhe pa dyshim interesi më i madh i Serbisë është ndezja e konfliktit serbo-shqiptar. Pas deklaratë së Ramës, Kremlini shprehu kritika të ashpra ndaj Bashkimi Europian dhe Shteteve të Bashkuara, duke i akuzuar për përpjekje për të ringjallur idenë e Shqipërisë së Madhe.

Gjithashtu, aktivistët pro-rusë i kanë intensifikuar veprimet e tyre në Serbi. Nemanja Ristić, një nga komplotuesit e tentativës për grushtin e shtetit në Malin e Zi, këmbënguli që Rusia të arrijë një marrëveshje me Presidentin Donald Trump për të ndaluar krijimin e Shqipërisë së Madhe.

Konflikti arriti kulmin në janar të vitit 2017, kur një tren i pazakontë u nis nga Beogradi drejt Kosovës. I lyer me ngjyrat e Serbisë, ai përbëhej nga dy vagonë që lexonin "Kosova është Serbi" në 21 gjuhë, përfshirë edhe shqipen. Treni ishte një dhuratë nga Rusia. I dekoruar brenda me imazhe ortodokse serbe, ai po transportonte një grup gazetarësh, politikanë dhe aktivistësh. Autoritetet e Kosovës urdhëruan që njësitë speciale të policisë të vendoseshin përgjatë kufirit, duke penguar trenin të arrinte destinacionin e tij përfundimtar. Ai u ndalua në Raška.

Ndërkohë që treni ishte ende në rrugën e tij drejt Kosovës, presidenti serb tha se të dyja palët ishin në "prag të luftës" dhe kërcënuan të dërgonin ushtrinë. Treni u ndal më në fund pas një ndërhyrjeje nga BE-jka dhe NATO. Por incidenti ushqeu frikën e Kosovës për përsëritjen e "skenarit të Krimesë", të cilin Beogradi duket se ka nisur ta zbatojë në rajonet veriore të Kosovës.

Vladimir Putin ne Beograd

Agjentët rusë në Ballkanin Perëndimor

Metoda kryesore e Moskës për ngritjen dhe konsolidimin e ndikimit të saj në Ballkanin Perëndimor konsiston në punësimin e agjentëve të Kremlinit për të kryer aktivitete destabilizuese. Edhe pse Rusia i ka përdorur këto mjete për shumë vite me intensitet të ndryshëm, “masat aktive”, siç njihen në shërbimet speciale, janë intensifikuar gjatë tre viteve të fundit falë Nikolai Patrushev. Emërimi i tij si njeri i besuar i Moskës në rajon tregon se sa e rëndësishme është kjo pjesë e Europës për Putinin. Patrushev është mes të tjerash i angazhuar në një sërë aktivitetesh kundër vendeve të ndryshme të Ballkanit.

Aktivitetet e kryera nga shërbimet e inteligjencës ruse në Ballkanin Perëndimor janë intensifikuar pasi një degë e Institutit Rus për Studime Strategjike (RISS) u themelua në Beograd. Gjenerali Leonid Reshetnikov, i cili kishte qenë në krye të Institutit që nga viti 2009 dhe njihet edhe si specialist i Ballkanit, ka zhvilluar një rrjet të gjerë aleatësh, kryesisht në Bullgari dhe Greqi, ku shërbente dikur si agjent. Ai ka ruajtur gjithashtu lidhje të ngushta me familjen e Sllobodan Millosheviqit.

Gjithashtu, Reshentnikovi mund të ketë qenë ai që dha idenë për grushtin e shtetit në Mal të Zi, pasi kishte bërë prerj kohësh thirrje për përmbysjen e Milo Gjunakoviçit.

Ai raportohet te këtë emëruar më pas Patrushevin për të lehtësuar kështu situatën pas grushtit të dështuar në Malin e Zi. Pasi serbët arrestuan një sërë agjentësh të GRU-së në Beograd, ai i bindi autoritetet serbe t'i liron ata, duke këmbëngulur se Moska nuk kishte lidhje me grushtin e tentuar në vendin fqinj.

Shërbimet e inteligjencës ruse gëzojnë popullaritet në mesin e autoriteteve të Ballkanit, siç ilustrohet nga fakti se një nga krerët e agjencive ruse të inteligjencës, Sergej Naryshkin u prit në vitin 2018 nga Presidenti serb Aleksandar Vuçiç gjatë udhëtimit të tij në Beograd.

Siç thuhet në një komunikatë zyrtare, të dyja palët theksuan nevojën për të përmbushur standardet e së drejtës ndërkombëtare gjatë zgjidhjes së konflikteve rajonale." Naryshkin dhe presidenti serb diskutuan bashkëpunimin ndërmjet agjencive ruse dhe serbe të inteligjencës. Naryshkin zhvilloi takime me kryetarin e Parlamentit të Serbisë dhe kryetarin e Kishës Ortodokse vendase. Është e rrallë që presidenti të mirëpresë një kreun e një shërbimi të fshehtë të huaj, gjë që konfirmon marrëdhënien e veçantë mes dy vendeve dhe rolin vendimtar që kanë luajtur shërbimet ruse të inteligjencës në Serbi.

Rusia është e përfshirë edhe në mbështetjen e organizatave politike në Ballkanin Perëndimor, shembuj të të cilave janë Front i Demokracisë i Malit të Zi ose VMRO-DPMNE. Moska gjithashtu trajnon dhe organizon grupe paramilitare lokale, një "traditë" që daton në fillim të viteve 1990, kur disa qytetarë “vullnetarë" nga Rusia, të mbikëqyrur nga shërbimet ruse, arritën në ish-Jugosllavi për të luftuar kundër shqiptarëve të Kosovës.

Qëllimet e Rusisë

Në vjeshtën e vitit 2018, Kurt Volker, ish-ambasador i SHBA0së në NATO dhe i dërguari i Uashingtonit në Ukrainë, shkruante se Rusia kishte gjetur mundësi të reja që të ushtronte ndikim në Ballkan përmes korrupsionit, marrëveshjeve të energjisë, operacioneve të inteligjencës dhe dezinformimit. “Atu ku BE-ja përpiqet të të ndërtojë stabilitet, siguri dhe prosperitet, Rusia sheh paqëndrueshmëri, pasiguri dhe dobësi”, theksonte ai.

Pas luftërave të përgjakshme të viteve 1990, Moska fillimisht pranoi rolin paqeruajtës dhe të NATO-s. Në vitin 2003, Kremlini vendosi të tërhiqte trupat e veta nga misionet paqeruajtëse ndërkombëtare në Bosnje Hercegovinë dhe Kosovë, duke pretenduar se kontigjenti i tij arriti të arrinte "një përmirësim domethënës të situatës". Kremlini nuk reagoi as kur Shqipëria dhe Kroacia u anëtarësuan në NATO, por kjo ndryshoi pasi Rusia nisi agresionin ushtarak në Ukrainë, i pasuar nga një përshkallëzim i mëtejshëm i konfliktit me Perëndimin, si rezultat i të cilit Kremlini filloi të perceptojë Ballkanin Perëndimor si fushëbetejën e saj e ardhshme. Në vitin 2014, Rusia vuri veton ndaj një rezolute të hartuar nga Britania, e cila e dënonte masakrën e Srebrenicës si gjenocid.

Vetëm katër ditë më vonë, ish-Ndihmëssekretari Amerikan për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike, Ëes Mitchell u tha gazetarëve në Prishtinë se Uashingtoni ishte i frikësuar se Rusia ishte duke luajtur një rol gjithnjë e më shkatërrues në pjesën më të madhe të Ballkanit, duke minuar institucionet demokratike ".

Por cilat janë qëllimet kryesore të Rusisë?

Ambicia e Moskës është të ndalojë zgjerimin e NATO-s dhe të BE-së, ndërsa në rastin më të keq të përfitojë nga zgjerimi i BE-së, në mënyrë që të fitojë statusin e një aktoreje rajonale. Në këtë mënyrë, Moska formon një aleatësh të ngushtë brenda Bashkimit Europian, ndërkohë që çdo dështim i zgjerimit të BE-së dhe NATO-s në Ballkan kthehet menjëherë në një mjet të propagandës ruse. Për të balancuar zgjerimin e Aleancës, Kremlini zgjedh për neutralitetin ushtarak.

Një nga dosjet e inteligjëncës maqedonase që arriti të publikohej në media, fliste në vitin 2017 për një takim midis ambasadorit rus në Maqedoni Oleg Shcherbak dhe zyrtarit të lartë të Ministrisë së Jashtme maqedonase Nenad Kolev.

Dosja theksonte se qëllimi i Moskës ishte të "krijonte një komandë ushtarake në Ballkan" që mbulonte Serbinë, Malin e Zi, BosnjënHercegovinën dhe Maqedoninë. Operacioni rus vazhdoi për një kohë të gjatë, brenda kuadrit të së cilës Moska krijoi një numër të madh organizatash rajonale dhe kompanish mediatike. Mësohet se deri më tani ka 109 organizata të këtij lloji në Serbi dhe të paktën 30 në Maqedoni. Në të njëjtën kohë, Kremlini ka formuar një rrjet të gjerë kontaktesh me partitë politike, përfshirë partinë opozitare konservatore të Maqedonisë së Veriut, VMRO-DPMNE dhe Frontin Demokratik të Malit të Zi.

Gazi dhe feja

Rusia po përdor mjete të ndryshme për të fuqizuar sferën e saj të ndikimit në Ballkanin Perëndimor, përfshi edhe historinë dhe fenë.

Kremlini përdor fenë ortodokse për të fuqizuar imazhin e saj si një përkrahës i vlerave tradicionale dhe mediat për të përhapur ndjenjat anti-perëndimore dhe pro-ruse. Një degë e agjencisë shtetërore të lajmeve Sputnik u hap në vitin 2014 në Beograd. Ai nxjerr vazhdimisht raporte sipas ë cilave Perëndimi ka frikë nga Rusia, ndërsa Bashkimi Europian është në prag të kolapsit. Megjithatë ajo që është më tronditëse për serbët janë raportet se Shtetet e Bashkuara mbështesin shqiptarët në përpjekjet e tyre për krijimin e një Shqipërie të Madhe.

Një tjetër mjet për fuqizimin e sferës së ndikimit të Kremlinit në Ballkanin Perëndimor konsiston në fuqizimin e marrëdhënieve ekonomike me vendet e rajonit në sektorë të tillë strategjikë si energjia, tregtia dhe pasuritë e patundshme. Rusia fokusohet kryesisht në sektorin e energjisë, falë Gazpromit, i cili kontrollon kompaninë më të madhe të naftës në Serbi (NIS) për më shumë se një dekadë. Në dhjetor të vitit 2018, Gazprom bleu 51 për qind të aksioneve në NIS-it falë një marrëveshjeje që i dha Moskës kontroll mbi sektorin e energjisë së Serbisë. Nga ana tjetër, Gazprom ka po ashtu një rafineri në tokën bullgare që është objekti më i madh i këtij lloji në Ballkan. Gjithashtu, ajo ka aksione të konsiderueshme në Serbi dhe Maqedoni.
Moska e sheh Ballkanin si një rajon me rëndësi strategjike përmes të cilit mund të dërgojë gazin rus në Europën Qendrore dhe në Itali. Bullgaria dhe Serbia morën pjesë bashku në “Nord Stream 1”, së bashku me Republikën Serbe të Bosnjes dhe Maqedoninë, edhe pse ky tubacion nuk u realizua kurrë. Në tetor të viti 2009, Serbia ia dorëzoi sektorin e saj të gazit Rusisë, nëpërmjet një marrëveshje sipas të cilës Moska merrte nën kontroll objektet strategjike energjitike të Serbisë.

Nga ana tjetër, kryeministri rus Dmitri Medvedev përsëriti idenë e shitjes së gazit rus në Ballkan gjatë udhëtimit të tij të fundit në Bullgari. Qeveria e Bojko Borisov është në favor të ndërtimit të një gazsjellësi midis Turqisë dhe Serbisë që kalon nëpër territorin bullgar edhe në Europën Qendrore. Kjo është mënyra se si Kremlini kërkon të rrisë besimin e vendeve në energjinë ruse, duke ofruar fitime nga taksat tranzitore.

Rusia po ndërton ndikimin e saj në Ballkanin Perëndimor duke forcuar marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare në sektorët strategjikë: energjia, bankat, tregtia dhe pasuria e patundshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë