Analize

Si do ta ndryshojë Covid-19 plakjen dhe daljen në pension

Ndërsa pandemia po bën kërdinë në shëndetin tonë mendor dhe fizik, ajo gjithashtu po riformon në heshtje mënyrën se si njerëzit do të përballen me pensionin dhe pleqërinë në vitet që vijnë.

Virusi po sjell ndryshime gjithëpërfshirëse, kryesisht duke “përshpejtuar zhvillimet në rrugë e sipër”, thotë mjeku dhe sipërmarrësi Bill Thomas. Për shembull, “izolimi i njerëzve të moshuar ka qenë prej kohësh një problem, por Covid po përqendron vëmendjen mbi këtë çështje dhe shton urgjencën”, për ta adresuar atë.

Disa ndryshime që janë gati tashmë,  do të jenë stresuese. Deficitet në rritje të qeverisë dhe rendimentet në rënie të bonove po krijojnë aq shumë pasiguri në lidhje me financimin e pensionit te shumica e njerëzve që mund të vazhdojnë të punojnë  dhe për aq kohë do të jetë e mundur, thotë Laura Carstensen, drejtoreshë e Qendrës së Universitetit të Stanfordit për Jetëgjatësinë.“Do t'i bëjë njerëzit ta rimendojnë krejt pensionin”, thotë ajo.

Zhvillimet e tjera do të jenë të mirëseardhura. Për shembull, më shumë njerëz do të plaken në shtëpi, ku shumica e të rriturve thonë se duan të qëndrojnë. Do të ketë një bum në inovacione që përmirësojnë jetën në vitet e mëvonshme. Dhe me Covid që na jep një arsye për të reflektuar mbi vdekshmërinë, ne do të planifikojmë se si duam të jetojmë dhe të vdesim më qëllimisht.

Leksionet e nxjerra nga virusi madje mund të na ndihmojnë të luftojmë paragjykimet mbi plakjen. Sondazhet dhe studimet tregojnë se të rriturit e moshuar po përballen më mirë emocionalisht se gjeneratat e reja, thotë Prof. Carstensen, e cila mund të na ndihmojë “të njohim qëndrueshmërinë dhe forcën e të rriturve të moshuar”.

1. Më shumë do të plaken në shtëpi

Me rreth 40% të vdekjeve të lidhura me Covid në ShBA që ndodhin në institucionet e kujdesit afatgjatë, sëmundja ka ekspozuar “Sa joadekuate janë infrastruktura dhe sistemet tona të kujdesit” dhe “sa thelbësore është aksesi i kujdesit në shtëpi”, thotë Ai- jen Poo, një avokat për kujdestarët.

Kjo njohje duhet të ketë dy efekte të ndryshme, por të dobishme: më pak shtëpi të moshuarish, por më të mira dhe më shumë burime për të ndihmuar njerëzit të plaken në shtëpi.

Ndërsa qeveria ngre standardet rregullatore për shtëpitë e të moshuarve, vëzhguesit e industrisë po thonë se 30% ose më shumë mund të paraqesin falimentim, sipas Sarah Slocum, bashkë-drejtuese e Programit për të Përmirësuar Kujdesin për të Moshuarit në Altarum, një grup jofitimprurës këshillimi i kujdesit shëndetësor.

“Do të shihni më shumë fokus në plakjen në shtëpi dhe të kuptoni se si t’i zhvendosni stimujt financiarë për ta bërë të funksionojë”, thotë Ezekiel Emanuel, zëvendës rektor i iniciativave globale në Universitetin e Pensilvanisë. (Pasi Dr. Emanuel u intervistua për këtë artikull ai u emërua në task forcën e Presidentit të zgjedhur Joe Biden për koronavirusin.)

Programet e bazuara në komunitet do të zgjerohen, duke përfshirë Programin e Kujdesit Gjithëpërfshirës për të Moshuarit, një shërbim i sponsorizuar nga Medicare që aktualisht po ndihmon 50 mijë njerëz me nevoja të tilla si shërbimet mjekësore, kujdesi ditor, kujdesi në shtëpi dhe transporti. Programi i kushton Medicare dhe Medicaid mesatarisht rreth 7 mijë dollarë për person në muaj, përkundrejt 9 mijë dollarë për person për shtëpi të moshuarish, sipas Altarum.

Pinchas Cohen, dekan i shkollës Leonard Davis të Gerontologjisë në Universitetin e Kalifornisë Jugore, parashikon që qeveritë federale ose shtetërore do të zgjerojnë programet, duke përfshirë një nën Medicaid, që paguajnë disa kujdestarë të familjes, zakonisht një fëmijë i rritur. Në përgjithësi, shuma varet nga një vlerësim i nevojave të individit të moshuar, si dhe paga mesatare për një ndihmës të kujdesit shtëpiak në shtetin dhe rajonin gjeografik, në të cilin jeton.

Banorët e shtëpive të infermierëve raportuan lëkundje dramatike në llojet dhe frekuencën e vizitave si rezultat i pandemisë, në një sondazh në internet të kryer këtë verë.

Zonja Poo thotë se pandemia ka hedhur dritë tek një mungesë në papërshtatshmërinë e të ardhurave mesatare vjetore prej 17 mijë dollarësh të ndihmësve të shëndetit në shtëpi, shumë prej të cilëve po punojnë “pa kujdes shëndetësor, pa pagim të rreziqeve ose kujdes të fëmijëve”.

Prirja drejt plakjes më shumë në shtëpi do të favorizojë gjithashtu aranzhime më të vogla për kujdesin ndaj të moshuarve si jofitimprurësi Projekti Green House, i cili nisi nga Dr. Thomas dhe promovon jetesën e të moshuarve në mjedise të vogla, kooperuese të ngjashme me shtëpitë. Rreth 300 shtëpi të tilla në dhjetëra shtete strehojnë deri në 12 banorë dhe zakonisht kanë kate të hapura, tavolina të mëdha në dhomën e ngrënies, vatra zjarri dhe hajat. Të dhënat e mbledhura nga Universiteti i Karolinës së Veriut dhe Projekti i Green House tregojnë se 94% ose më shumë e shtëpive të certifikuara për të siguruar kujdes të infermierisë së kualifikuar, mbetën pa virus deri më 31 gusht.

Një lëvizje larg shtëpive të të moshuarve mund t'i shtyjë amerikanët të rimendojnë edhe forma të tjera të strehimit të ndara nga mosha, duke përfshirë komunitetet 55 plus, parashikon Marc Freedman, president i Encore.org, një organizatë jofitimprurëse që punon për të kapërcyer ndarjet e brezave.

Ndarja e moshës “nuk na ka përgatitur mirë për të jetuar jetë më të gjatë”, thotë Z. Freedman. Me relativisht pak kontakt dita-ditës midis brezave të rinj dhe të vjetërve, “çdo fazë jetësore në të cilën kalojmë jemi plotësisht të papërgatitur”.

Ndarja e moshës, thotë ai, inkurajon një pikëpamje se një popullsi në plakje është “një problem për t’u zgjidhur” sesa “një depo e kapitalit social, intelektual dhe komunitar”.

2. Njerëzit e moshuar do të përfitojnë nga një bum teknologjie

Pandemia dhe plakja e popullsisë, po kontribuojnë në një valë inovacioni që synon të rriturit e moshuar.

Konkretisht, përvoja e vendit në karantimin i ka nxitur sipërmarrësit të mendojnë që njerëzit e moshuar do të duhet të plaken në shtëpi, thotë Katy Fike, një gerontolog dhe partner në Generator Ventures, një firmë sipërmarrjesh e përqendruar në plakjen.

Ndryshimi më dramatik në proces është rritja e telemjekësisë, e lehtësuar pjesërisht nga vendimi i Medicare që nga marsi për të zgjeruar rimbursimin ndaj mjekëve për vizitat virtuale.

Pajisjet që vishen dhe testet diagnostikuese për përdorim në shtëpi do t’i sigurojnë mjekët me informacione kyçe, duke përfshirë presionin e gjakut dhe peshën e pacientëve dhe do të hapin rrugën për një monitorim më të mirë të pacientit në distancë, thotë Dr.Fike.

Laurie Orlov, një konsulente e specializuar në teknologji për të moshuarit, thotë se Care Hub i ardhshëm i Amazon, falas në aplikacionin Alexa, përdor teknologjinë e zërit për të njoftuar një kontakt urgjence nëse një përdorues kërkon ndihmë.

Risitë e tjera do të synojnë izolimin. Tashmë, Discover.Live Inc. siguron të moshuarit dhe të tjerët me udhëtime virtuale të drejtuara nga udhëzues, në transmetimin e drejtpërdrejtë. Eldera Inc. dhe Table Wisdom përputhin të rriturit e moshuar, përkatësisht, me fëmijë që kanë nevojë për ndihmë të detyrave të shtëpisë dhe studentë të huaj që dëshirojnë të praktikojnë anglisht. Silvernest Inc. përputhet me pronarët e shtëpive më të vjetra me shokë dhome, që paguajnë qira.

3. Jetëgjatësia do të bjerë

Me kaq shumë njerëz që vdesin nga Covid, vdekjet e lidhura me virusin parashikohet të zvogëlojnë jetëgjatësinë totale të amerikanëve të moshës 65 vjeç sot me gati një vit, sipas studiuesve në Universitetin Princeton dhe Universitetin e Kalifornisë Jugore.

Por izolimet e lidhura me Covid gjithashtu ka të ngjarë të zvogëlojnë jetëgjatësinë e atyre që shmangin ose i mbijetojnë virusit, thotë Philip Pizzo, ish dekani i shkollës mjekësore të Universitetit të Stanfordit dhe drejtori themelues i Institutit të Karrierës së Dalluar të Stanfordit, një program për profesionistët në mes të karrierës, që kalojnë në aktet e reja.

Përveç dëmit fizik afatgjatë që pësojnë disa të mbijetuar nga Covid, pandemia po minon aftësinë tonë për t’u përfshirë në aktivitete që lidhen me shëndet më të mirë dhe jetë më të gjatë, duke përfshirë shoqërimin, ushtrimet fizike dhe ndihmën e të tjerëve. “Këto variabla janë të rëndësishme në të gjitha fazat e jetës dhe veçanërisht për ata në moshën e mesme dhe më të vjetër”, thotë Dr. Pizzo.

Studimet tregojnë se vetmia mund të lidhet me një rrezik më të madh të vdekjes, rënies së aftësive njohëse, depresionit dhe sëmundjeve të zemrës.

Sipas një sondazhi të 365 banorëve të shtëpive të të moshuarve të kryer nga Altarum këtë verë, vetëm 5% raportuan që kishin vizitorë tre ose më shumë herë në javë, kundrejt 56% para pandemisë dhe 76%, thanë se ndiheshin më të vetmuar.

Teknologjia mund të ndihmojë në kapërcimin e disa prej këtyre problemeve. Por platformat në internet si Zoom janë larg nga zëvendësimi i përsosur të kontaktit njerëzor për të cilin kemi nevojë, thotë Dr. Pizzo.“Ne jemi qenie sociale dhe kemi nevojë për kontakt njerëzor”, thotë ai.

4. Ne do të kemi një trajtim më të mirë të asaj që duam të bëjmë me kohën tonë

Puna nga shtëpia mund të sigurojë një kuptim për “si mund të duket pensioni”, thotë Dr. Cohen në USC. “Disa po thonë: ‘Jo faleminderit, unë dua të vazhdoj të punoj’”, thotë ai. Të tjerët, përfshirë vetë Dr. Cohen, janë duke eksploruar hobi.

Shumë pensionistë janë të irrituar që virusi po ndërpret planet për të udhëtuar dhe për të parë nipërit e mbesat. Por shkëputja nga rutina gjithashtu ka çliruar kohën për të vlerësuar planet, vlerat dhe llojin e trashëgimisë që duam të lëmë, thotë George Kinder, themelues i Institutit Kinder të Planifikimit të Jetës. Si rezultat, ai thotë se më shumë nga klientët e tij - dhe klientët e këshilltarëve financiarë që trajnohen me të - po rivlerësojnë atë që është e rëndësishme në jetën e tyre dhe po ndryshojnë planet e tyre.

Për t’i nxitur klientët të qartësojnë qëllimet e tyre, Z. Kinder bën tre pyetje: Çfarë do të bënit nëse do të kishit gjithë kohën dhe paratë e botës? Si do të jetonit nëse do ta dinit që ju kishin mbetur vetëm pesë deri në dhjetë vjet? Dhe për çfarë do të pendoheshe më shumë nëse do të vdisje nesër?“Covid në thelb paraqet të njëjtat pyetje”, thotë Z. Kinder.

Virusi ka rritur ndjesinë “se jeta është e shkurtër, e cila zakonisht është diçka për të cilën jemi të vetëdijshëm herë pas here, por ky është një moment kolektiv “i llogaritjes se “ora po vjen”, thotë Ellen Goodman, bashkëthemeluese e jofitimprurësit Projekti Conversation, i cili i dedikohet inkurajimit të bisedave rreth dëshirave të fundit të jetës.

“Ajo që ka rëndësi është gjetja e kuptimit dhe bërja e asaj që ka vërtet rëndësi për ne”, thotë ajo, qoftë kjo të jesh i mirë me njerëzit, të studiosh muzikë klasike apo ta bësh botën më të mirë përmes angazhimit për një kauzë.

5. Ne do të planifikojmë për vdekjen

Planifikimi i kujdesit në fund të jetës është diçka që shumë e shtyjnë, thotë Kate DeBartolo, drejtoreshë e Projektit të Bisedës. Por falë Covid, ajo thotë, “ndihet më e ngutshme, madje edhe për të rinjtë”, të cilët po përdorin uebfaqen në një numër më të madh.

Trafiku dhe shkarkimet e materialeve të planifikimit në fund të jetës janë rritur këtë vit, thotë ajo. Sado e vështirë është të bësh planifikime për vdekjen, ekspertët thonë se është thelbësore që njerëzit të përgatiten. Mund të përmirësojë jo vetëm mënyrën se si i jetojmë ditët e fundit, por edhe mënyrën se si të dashurit tanë merren me vdekjet tona.

Dr. Emanuel parashikon që përvoja e të jetuarit mes izolimeve mund të bëjë që më shumë njerëz të mendojnë për kujdesin në fund të jetës. Disa padyshim që do të zgjedhin të mos marrin trajtim mjekësor që ndihmon në zgjatjen e jetës, por që gjithashtu shpesh ndikon negativisht në cilësinë e atyre ditëve shtesë, veçanërisht nëse ata nuk mund të kalojnë kohë me familjen e tyre, thotë ai.

6. Do të përqafojmë mënyra më të shëndetshme jetese

Sa më i vjetër të jeni, aq më të mëdha janë shanset tuaja statistikore që të vdisni nga koronavirusi. Por problemet kryesore shëndetësore, përfshirë diabetin, problemet e zemrës dhe mbipesha, janë gjithashtu faktorë të rëndësishëm rreziku, thotë Dr. Cohen.

Kushte të tilla mund të shkaktohen nga faktorë përtej kontrollit tonë, përfshirë gjenet. Por dieta dhe ushtrimet gjithashtu shpesh luajnë një rol.

Pandemia po ndihmon në rritjen e ndërgjegjësimit për konceptin e “moshës biologjike”, ose ritmin e brendshëm të plakjes, thotë Dr. Cohen. “Mosha është shkaku numër 1 i rrezikut për vdekshmërinë nga Covid, por nuk është moshë kronologjike, është moshë biologjike”, thotë ai.

Ndërsa pajisjet që mund të vishen po bëhen më të përhapura, më shumë prej nesh do të ndjekin masat e shëndetit themelor, duke përfshirë presionin e gjakut dhe nivelet e glukozës. Mjekësia përfundimisht mund t’u caktojë pacientëve një moshë biologjike për t’i ndihmuar ata të marrin vendime më të informuara, thotë Dr. Cohen.

7. Ne duhet të kursejmë më shumë për të dalë në pension

Ndërsa tregu i aksioneve tani për tani vazhdon të ketë performancë të mirë, rendimentet më të ulëta të obligacioneve të shkaktuara nga pandemia mund ta bëjnë më të vështirë për të arritur të ardhurat fikse.

Për vite, pensionistët janë mbështetur në të ashtuquajturin rregull 4%, i cili thotë se ju mund të tërhiqni 4% nga kursimet tuaja në vitin e parë të pensionit, dhe pastaj t’i jepni vetes një ngritje vjetore për të llogaritur inflacionin, pa rrezikuar shumë të mbeteni pa para.

Për dikë me një portofol prej 1 milion dollarësh, kjo formulë prodhoi të ardhura fillestare prej 40 mijë $ dhe - duke supozuar inflacionin prej 2% - një rritje në 40.800 $, në vitin e dytë.

Por rendimentet e ulëta të bonove të sotme nënkuptojnë se kthimet në të ardhmen pritet të jenë më të ulëta se në të kaluarën, thotë David Blanchett, shefi i hulumtimit të pensionit në Morningstar Inc. Z. Blanchett thotë se rekomandimi i tij për shpenzime të sigurta tani është midis 3% dhe 3.5%. Kjo do të thotë që dikush që dëshiron të tërheqë në mënyrë të sigurt 40. 000$ në vitin e parë të daljes në pension duhet të kursejë më afër1.2 milion $, sesa 1 milion$.

8. Llogaria për pensionin do të shndërrohet për shumë qëllime

Kriza ekonomike ka treguar se për shumë njerëz, përparësia duhet të jetë ndërtimi i një fondi emergjence përpara se të vendosen para në një depozitë për pension të njohura si 401 (k), ku kursimet mund të jenë të vështira për t’u arritur përpara pensionit.

David John, një këshilltar i lartë i politikave në AARP, thotë se punëdhënësit tashmë kanë filluar të përdorin një lloj të ri të llogarisë së kursimeve fleksibël, që i lejon punëtorët të fusin shtyrjet e pagave në më shumë se një qëllim, duke përfshirë emergjencat dhe pensionin. Përdorime të tjera në të ardhmen mund të përfshijnë shpenzimet e kujdesit shëndetësor dhe kolegjit. Z. John parashikon që sapo llogaritë të bëhen të njohura qeveria do të zbatojë avantazhin aktual të taksave për kursimet e daljes në pension për ta.

9. Do të punojmë më gjatë

Që nga vitet 1990, përqindja e njerëzve 55 vjeç e më të vjetër në fuqinë punëtore është rritur në mënyrë të qëndrueshme, në 40% në 2019 nga 29% në 1993, sipas Byrosë së Statistikave të Punës të ShBA.

Me rendimentin e bonove të ulët, vlerat e aksioneve të larta dhe Sigurimet Shoqërore në gjendje të pasigurt, prirja do të përshpejtohet.

“Ka kaq shumë pasiguri për të ardhmen ... shumica e njerëzve do të vazhdojnë të punojnë për aq kohë sa munden”, thotë Prof. Carstensen.

Me kompanitë që përqafojnë punën në distancë dhe orët fleksibël dhe zhvillimin e ekonomisë së profesionistëve të lirë dhe kontratave të shkurtra, është më e lehtë që shumë njerëz të moshuar të mbeten në punë, thotë Jack Rowe, një profesor i shëndetit publik në Universitetin e Columbia-s.

Sigurisht, jo të gjithë kanë aftësinë për të punuar në të 70-at ose më tej. Disa janë me shëndet të dobët, kanë punë që nuk mund t’i kryejnë më ose janë viktima të diskriminimit të moshës.

“Si shoqëri, ne do të duhet të sigurojmë mënyra që njerëzit që nuk mund të punojnë, të marrin mbështetje”, thotë Prof. Carstensen.

10. Pikëpamjet tona mbi plakjen do të ndryshojnë

Koronavirusi, të paktën në një periudhë afatshkurtër, ka përforcuar stereotipat mbi plakjen, duke përfshirë idenë se njerëzit e moshuar janë të dobët dhe duhet të jenë “të veçuar dhe të izoluar”, thotë Dr. Thomas.Virusi dhe rënia ekonomike po ndezin gjithashtu konfliktin ndërmjet brezave.

Disa “të rinj i shohin njerëzit e moshuar si arsye për të cilën duhet të sakrifikojnë”, thotë Prof. Carstensen. Në të njëjtën kohë, znj. Goodman vëren se, “të rinjtë po fajësohen se janë të papërgjegjshëm”, në lidhje me distancën shoqërore.

Më tej, Prof. Carstensen thotë se pandemia ka lëshuar gjithashtu prirje kundërvepruese që mund të ndryshojnë përfundimisht për më mirë, pikëpamjet tona të plakjes.

Kjo ndihmoi në nxitjen e zgjedhjes së Joe Biden, i cili, në moshën 77- vjeçare, është gati të bëhet presidenti më i vjetër në historinë e ShBA, një zhvillim që bie në kundërshtim me idenë se të moshuarit janë të dobët ose të brishtë.

Ato që i shtohen kësaj pikëpamjeje janë sondazhet dhe studimet që tregojnë atë, që shumë njerëz po vërejnë në jetën e tyre: që të rriturit e moshuar janë psikologjikisht më të qëndrueshëm përballë sëmundjes sesa të rinjtë, thotë Prof. Carstensen.

Ashtu si me krizat e kaluara, përfshirë 11 Shtatorin, psikologët po zbulojnë se njerëzit ndër breza janë përqendruar në atë që ka më shumë rëndësi për ta, përfshirë marrëdhëniet, thotë ajo.

Midis Covid-it, thotë zonja Goodman, “ka disa shenja të një kuptimi më të thellë se në ç’mënyra kemi nevojë për njëri-tjetrin”.

*Anne Tergesen/ Wall Street Journal/Përktheu: Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë