Biznes

Si biznesmenët e teknologjisë ndaluan Trump të firmoste ligjin e ri për AI-në

Telefonatat e minutës së fundit me drejtues të industrisë teknologjike dhe ish-“carin” e inteligjencës artificiale dhe kriptomonedhave, David Sacks, ndihmuan në bindjen e presidentit amerikan Donald Trump që të mos nënshkruante të enjten një urdhër ekzekutiv shumë të pritur mbi inteligjencën artificiale.

Drejtuesit e teknologjisë që folën me Trumpin, mes tyre CEO i SpaceX, Elon Musk, dhe themeluesi i Meta, Mark Zuckerberg, paralajmëruan se sistemi i ri i verifikimit i administratës mund të pengonte zhvillimin e një teknologjie që ndodhet në zemër të ekonomisë amerikane, sipas tre personave të njohur me çështjen, të cilët folën në kushte anonimiteti për të përshkruar bisedat private.

Trump vendosi të mos e nënshkruante urdhrin pasi Shtëpia e Bardhë kishte dërguar tashmë ftesa për drejtuesit e kompanive më të mëdha teknologjike për të marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit, e planifikuar për pasditen e së enjtes.

Vetëm pak orë para nisjes së aktivitetit, ndërkohë që disa drejtues kompanish po udhëtonin drejt Uashingtonit për ceremoninë, Trump u tha gazetarëve në Zyrën Ovale se e kishte anuluar sepse “nuk i pëlqente” drafti i urdhrit.

“Mendova vërtet se kjo mund të ishte një pengesë,” tha Trump, duke theksuar përfitimet e inteligjencës artificiale për ekonominë amerikane. “Dhe dua të sigurohem që të mos jetë.”

Ky episod nxori në pah ndikimin e jashtëzakonshëm që drejtuesit e Silicon Valley vazhdojnë të kenë në administratën Trump, edhe pasi Sacks dhe Musk u larguan nga rolet e tyre zyrtare në Shtëpinë e Bardhë.

Çështja se si duhet të rregullohet inteligjenca artificiale ka përçarë aleatët e Trumpit dhe vetë administratën e tij, veçanërisht pasi një brez i ri modelesh AI, si Anthropic Mythos, ka treguar se mund të zbulojë dobësi sigurie në kodet kompjuterike dhe t’i shfrytëzojë ato.

Teknologjia ka ndarë gjithashtu koalicionin politik që ndihmoi Trumpin të rikthehej në Shtëpinë e Bardhë. Musk, Sacks dhe kompanitë kryesore të inteligjencës artificiale janë donatorë të rëndësishëm politikë që mund të jenë vendimtarë për mbledhjen e fondeve të Partisë Republikane në të ardhmen. Por Shtëpia e Bardhë po përballet gjithnjë e më shumë me reagime kundër inteligjencës artificiale brenda bazës së Trumpit, ndërsa votuesit shqetësohen se teknologjia mund të eliminojë vende pune dhe të rrisë faturat e energjisë elektrike.

Pas javësh diskutimesh dhe me kontribut të gjerë nga drejtuesit e industrisë teknologjike, Shtëpia e Bardhë kishte arritur në një draft urdhri ekzekutiv që zyrtarët e përshkruanin si një balancë mes shqetësimeve për sigurinë dhe nevojave të industrisë.

Urdhri do të krijonte një sistem vullnetar ku kompanitë do t’i jepnin qeverisë një vështrim të hershëm mbi sistemet më të avancuara të AI-së, deri në 90 ditë para publikimit, në mënyrë që agjencitë të testonin modelet për aftësi të rrezikshme, të identifikonin dobësi dhe të përgatitnin mbrojtje përpara se hakerët ose kundërshtarët e huaj t’i shfrytëzonin ato, sipas një drafti të parë nga The Washington Post.

Ky sistem vullnetar ishte shumë më pak i rreptë sesa testimet e detyrueshme që disa aleatë të Trumpit kishin kërkuar.

“Asgjë në këtë seksion nuk duhet të interpretohet si autorizim për krijimin e një sistemi të detyrueshëm licencimi, miratimi paraprak ose lejeje qeveritare për zhvillimin, publikimin apo shpërndarjen e modeleve të reja, përfshirë modelet më të avancuara,” thuhej në draft.

Por Sacks dhe drejtuesit e teknologjisë paralajmëruan Trumpin se, edhe pse në letër sistemi ishte vullnetar, ai mund të shndërrohej në praktikë në një regjim de facto të detyrueshëm, ku kompanitë do të kishin nevojë për “dritën jeshile” të qeverisë për të publikuar sistemet e tyre.

Diskutimet e brendshme mbi urdhrin vazhduan deri vonë të mërkurën në mbrëmje dhe mosmarrëveshjet mbetën mbi faktin se sa i rëndë do të ishte propozimi për industrinë, tha një tjetër zyrtar federal që foli në kushte anonimiteti.

Disa zyrtarë të administratës kanë argumentuar se, pa një proces rishikimi, Kina do të ishte në gjendje të manipulonte modelet e reja për të nisur sulme kundër Shteteve të Bashkuara.

Megjithatë, Sacks paralajmëroi presidentin se proceset e shqyrtimit mund të ngadalësonin inovacionin dhe ta bënin SHBA-në të humbiste garën e inteligjencës artificiale ndaj Kinës, tha një zyrtar i lartë i administratës.

Sacks tha gjithashtu se urdhri mund të ngadalësonte kompanitë në publikimin e përditësimeve të vogla të modeleve AI. Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë të përfshirë në hartimin e urdhrit kundërshtuan këtë pretendim, duke theksuar se kompanitë do të duhej të ndanin modelet vetëm deri në 90 ditë përpara dhe se përditësimet e vogla nuk do të vonoheshin.

Ai paralajmëroi gjithashtu se sistemi i rishikimit mund të abuzohej nga një administratë e ardhshme, duke përmendur rregulloret më të ashpra për AI që ish-presidenti Joe Biden kishte vendosur gjatë mandatit të tij. Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë argumentuan se administratat e ardhshme gjithsesi nuk do të ishin të detyruara nga ky urdhër.

Argumentet e Sacks dhe figurave të tjera të teknologjisë mbizotëruan dhe, vetëm pak orë para nisjes së ceremonisë në Zyrën Ovale, Shtëpia e Bardhë njoftoi pjesëmarrësit se eventi do të shtyhej për një datë tjetër.

“Kërkojmë ndjesë për çdo shqetësim që kjo mund të ketë shkaktuar dhe do t’ju kontaktojmë sapo të kemi më shumë detaje për një datë të ardhshme,” thuhej në email.

Shumë zyrtarë të administratës u surprizuan nga vendimi i presidentit për të anuluar aktivitetin. Më herët gjatë javës, Sacks ishte informuar mbi urdhrin nga zyrtarët e përfshirë në hartimin e tij, përfshirë këshilltarin shkencor Michael Kratsios, Sekretarin e Personelit të Shtëpisë së Bardhë Will Scharf dhe Drejtorin Kombëtar të Sigurisë Kibernetike Sean Cairncross.

Sipas burimeve, Sacks u kishte thënë atyre se mund të jetonte me urdhrin, edhe pse kishte kërkuar që të shkurtohej afati kohor gjatë të cilit kompanitë do të ndanin modelet e tyre.

Urdhri nuk është hedhur poshtë përfundimisht, tha zyrtari federal, dhe ka gjasa të rikthehet për shqyrtim, megjithëse ende nuk është e qartë se çfarë forme do të marrë në të ardhmen./WashingtonPost


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë