Analize

Si anijet ‘fantazmë’ po sfidojnë bllokadat në Ngushticën e Hormuzit

Përdorimi i taktikave të parregullta të navigimit është në rritje, ndërsa Shtetet e Bashkuara thonë se kordoni i tyre detar ka detyruar 14 anije të kthehen prapa.

Nga Gazeta ‘Si’- Bllokada e dyfishtë e vendosur nga Irani dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbi Ngushticën e Hormuzit- një nga korridoret kryesore globale për transportin e naftës dhe gazit -e ka kthyer lundrimin detar në një lojë “macja me miun”.

Anijet përpiqen të kalojnë duke përdorur rrugë të parregullta dhe manovra për të shfrytëzuar boshllëqet, ndërsa të tjera janë detyruar të ndalojnë ose të kthehen pas për të shmangur përplasjet që mund të rrezikojnë negociatat e brishta dhe armëpushimin e paqëndrueshëm në fuqi.

Ndërsa bllokada iraniane përqendrohet në pjesën më të ngushtë të kësaj rruge ujore -rreth 20 milje e gjerë- ajo amerikane shtrihet më në lindje, në hyrje të Gjirit të Omanit, aty ku lidhet me Oqeanin Indian, në një hapësirë prej rreth 180 miljesh nga veriu në jug.

Një duzinë anijesh luftarake amerikane, përfshirë aeroplanmbajtësen USS Abraham Lincoln, së bashku me avionë të shumtë, janë dislokuar për të zbatuar këtë bllokadë, e cila hyri në fuqi të hënën.

Çdo pasdite, Komanda Qendrore e SHBA publikon rezultatet e operacionit, duke theksuar se asnjë anije nuk ka depërtuar përtej barrierës.

“Pas 72 orësh zbatim, 14 anije janë kthyer për t’iu përmbajtur bllokadës me udhëzim të forcave amerikane,” njoftoi ajo në rrjetet sociale të enjten.

Dy punonjës të kompanisë gjermane të transportit detar Hapag-Lloyd po monitoronin situatën e anijeve në Ngushticën e Hormuzit të mërkurën e kaluar në Hamburg.

Mes anijeve që ndryshuan kurs ishte “Rich Starry”, një anije në pronësi kineze që transportonte 250 mijë fuçi metanol dhe që ndodhet nën sanksione amerikane.

Ajo ishte e para që kaloi Hormuzin pas nisjes së bllokadës amerikane, por më pas u kthye në Gjirin e Omanit dhe u ankorua pranë ishullit Qeshm të enjten, sipas të dhënave të MarineTraffic.

“Anijet tregtare kanë vijuar të kalojnë ngushticën duke përdorur rrugë më pranë brigjeve iraniane, çka sugjeron se mekanizmi i miratimit nga Irani mbetet në fuqi. Qëndrimi i marinës amerikane duket i fokusuar në një bllokadë distancuese, që synon të kufizojë trafikun drejt dhe nga portet iraniane pa e mbyllur plotësisht ngushticën,” tha Daniel Mueller, analist i lartë në kompaninë e menaxhimit të rrezikut detar Ambrey.

Sipas një raporti të firmës së inteligjencës detare Ëindëard, gjatë 48 orëve të para të bllokadës kaluan 19 anije nëpër Hormuz: pesë drejt Gjirit Persik dhe 14 drejt Gjirit të Omanit, mes tyre të paktën dy cisterna dhe pesë anije mallrash me flamur iranian, megjithëse mbetet e paqartë nëse kanë arritur në ujërat e Oqeanit Indian.

Bloomberg raportoi të enjten se edhe dy anije të tjera të sanksionuara dhe të lidhura me Iranin kanë kaluar ngushticën.

“Janë vërejtur anije që lëviznin drejt Iranit, ndërsa disa ndryshonin destinacionin e deklaruar për të fshehur faktin se do të ndalonin në porte iraniane,” shkruan Lloyd’s List.

Rregullat e bllokadës mbeten të paqarta. SHBA ka deklaruar se anijet “neutrale” lejohen të kalojnë, por të enjten forcat amerikane lëshuan një Navtex -alarm telegrafik për anijet dhe portet në zonë- duke paralajmëruar se, përveç anijeve iraniane, çdo mjet detar nën sanksione ose i dyshuar për “kontrabandë”, përfshirë hidrokarburet, mund të ndalohet, kontrollohet apo edhe sekuestrohet.

Kjo situatë ka rritur përdorimin e manovrave shmangëse.

Rregulloret ndërkombëtare kërkojnë që anijet e mëdha të mbajnë të ndezur transponderët e tyre AIS, të cilët transmetojnë emrin, pozicionin dhe itinerarin. Megjithatë, vitet e fundit- sidomos pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia- operatorët detarë kanë përdorur gjithnjë e më shpesh taktika si fikja e AIS për të shmangur gjurmimin ose për të fshehur portet e ndalimit, duke krijuar të ashtuquajturat “flota fantazmë”.

Një metodë tjetër është “spoofing”, manipulimi i të dhënave të AIS si pozicioni apo identiteti i anijes. Kjo krijon rreziqe të mëdha navigimi, sidomos në rrugë kaq të mbingarkuara, dhe rrit mundësinë e përplasjeve, ndërsa komplikon edhe verifikimet për kompanitë e përfshira në transport.

Një variant i kësaj taktike janë të ashtuquajturat “anije zombie”, ku transmetohet identiteti i një anijeje tjetër, shpesh jashtë përdorimit.

Raste të tilla janë zbuluar disa herë në Hormuz.

Një cisternë, për shembull, përdori identitetin e një anijeje të çmontuar prej më shumë se një dekade dhe, pasi kaloi bllokadën, po i drejtohet Indisë. Sinjali i saj AIS pretendon se është ngarkuar në portin irakian të Basrës, por besohet se ngarkesa është iraniane.

Mueller thekson se këto taktika e bëjnë më të vështirë gjurmimin në distancë, por nuk e pengojnë zbulimin me radar apo ndërhyrjen fizike.

Dislokimi amerikan përfshin avionë zbulimi dhe teknologji për interceptimin e sinjaleve radio dhe komunikimeve, duke kufizuar efektivitetin e përpjekjeve për shmangie.

Kreu i Shefave të Përbashkët të Shtabit të SHBA ka paralajmëruar se “anijet fantazmë” dhe ato që shkelin rregullat ndërkombëtare të navigimit rrezikojnë të ndalohen dhe kontrollohen nga forcat amerikane.

/El Pais; Përshtati Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë