Ne rrjet

“Shuplakat”, ish-kryeministri i Maqedonisë, Gruevski dënohet me 1 vit e 6 muaj burg

Ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Nikolla Gruevski, është shpallur fajtor për rastin “Shuplakat”, ndërsa është dënuar me 1 vit e 6 muaj burg.

Po ashtu, fajtor u shpall dhe ish-ministri Mile Janakieski, i cili u dënua me një vit burg me kusht, në rast se në katër vitet e ardhshme nuk e përsërit veprën. Vendimi për Gruevskin është dhënë në mungesë të tij, pasi ai ndodhet në arrati në Budapest.

Për veprën e njëjtë dënohen me kusht edhe Aleksandar Trajkovski, Darko Stojqevski, Daniell Trifunovski. Këto të fundit dënohen me 9 muaj me kusht në rast se në tre vitet e ardhshme nuk do ta përsërisin veprën e njëjtë.

Ndërsa me 6 muaj burg me kusht, në rast se brenda 2 viteve nuk e përsërisin veprën e njëjtë dënohen Trajçe Petkovski, Igor Boshkovski.

Katër të fundit kanë rrënuar rrethojën e Komunës dhe kanë filluar të gjuajnë me lëndë të forta në drejtim të sallës ku zhvillohej mbledhja e Këshillit Komunal. Është thyer edhe dera e hyrjes e barakës ku ka qenë e vendosur salla ku është zhvilluar mbledhja e Këshillit.

Ndërkohë të hënën në mbrëmje, është dërguar në burg për vuajtjen e dënimit prej 4 vjet heqje lirie ish-ministrja e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut, Gordana Jankullovska.

Jankullovska në vitin 2018 u dënua me burg nga Gjykata Penale e Shkupit për blerjen e diskutueshme të një makine “Mercedes” të blinduar me vlerë 600 mijë euro me urdhër të kryeministrit të atëhershëm, Nikolla Gruevski.

Vuajtjen e dënimit ajo e kishte shtyrë deri në vendimin përfundimtar në Gjykatën e Apelit, e cila ka hedhur poshtë ankesën e saj.

Gordana Jankullovska është zyrtarja e parë e qeverisë së mëparshme që përfundon në burg.

Ajo është vendosur në karantinë në repartin e pritjes për të paktën pesëmbëdhjetë ditët e ardhshme, periudhë gjatë së cilës do të bëhen vlerësimet e sigurisë, përpara se të transferohet në një qeli me të dënuarit e tjerë.

Gordana Jankullovska ka qenë një nga protagonistët kryesor në aferën e përgjimeve lidhur me abuzimet e zyrtarëve të qeverisë së Nikolla Gruevskit, i arratisur në Hungari pasi ishte dënuar me dy vjet heqje lirie për një vepër penale.  


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë