Shumica dërrmuese e republikanëve të Senatit amerikan votuan kundër procedimit të ish-presidentit amerikan, Donald Trump. Kjo sinjalizon se Trump nuk do të dënohet mbi akuzat për nxitje të trazirave vdekjeprurëse në ndërtesën e Kongresit amerikan, më 6 janar.
Në një votim procedural të mbajtur të martën, vetëm pesë nga 45 senatorët republikanë iu bashkuan 50 demokratëve të Senatit, që duan të vazhdojnë me gjyqin.
Votimi me 55 vota për dhe 45 kundër sugjeron se gjyqi i Trumpit ka të ngjarë të përfundojë me pafajësi.
Për ta dënuar Trumpin, së paku 17 senatorë republikanë duhet të bashkohen me të gjithë senatorët demokratë, për të arritur shumicën minimale prej dy të tretave.
Gjyqi nuk është planifikuar të fillojë deri në javën e 8 shkurtit.
Dhoma e Përfaqësuesve, e kontrolluar nga demokratët, ka votuar për shkarkimin e Trumpit, pak ditë para se ai të përfundonte mandatin presidencial, më 20 janar.
Në trazirat në Kongres, pesë persona kanë vdekur, në mesin e tyre një zyrtar i policisë.
Trump është akuzuar se me fjalimet e tij, i ka nxitur mbështetësit të sulmojnë dhunshëm Kongresin, në përpjekje për të ndryshuar rezultatin zgjedhor.
Një mbështetës izotit Trump, Senatori nga Kentaki, Rand Paul propozoi votimin nëse Senati do të duhej të vazhdonte me gjyqin, duke e quajtur atë një "mashtrim antikushtetues".
Senatori Paul argumentoi se Senati nuk mund të zhvillojë një gjyq ndaj një qytetari privat, që zoti Trump tani është pasi mandati i tij mbaroi të mërkurën e kaluar kur demokrati Joe Biden u inaugurua si Presidenti i 46-të i vendit. Në fakt, Senati ka zhvilluar gjyqe për qytetarë privatë në të kaluarën.
Edhe para votimit, shumë republikanë të Senatit dukej se po hiqnin dorë nga mbështeja për ta shpalluar fajtor zotin Trump për nxitje të kryengritjes për ngjarjet e dhunshme të 6 janarit në Kapitol. Qindra mbështetës të zotit Trump sulmuan Kapitolin në përpjekje për të penguar certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve të nëntorit të fituara nga demokrati Joe Biden.
Të 100 senatorët, 50 demokratë dhe 50 republikanë, bënë betimin të martën si juristë në gjyqin kundër zotit Trump, megjithëse hapja e gjyqit është shtyrë deri më 9 shkurt.
Ligjvënësit republikanë kanë në dorë fatin e zotit Trump, edhe pse mandati katër-vjeçar i ish-presidentit në Shtëpinë e Bardhë përfundoi më 20 janar me inaugurimin e demokratit Joe Biden.
Joe Biden, i cili ka shpërbyer 36 vjet si senator dhe 8 vjet në postin e nënpresidentit në administratën e Presidentit Obama, i tha rrjetit CNN të hënën se ai mbështet zhvillimin e gjyqit por nuk mendon se një numëri i mjaftueshëm republikanësh do të votojnë kundër zotit Trump për ta shpalluar atë fajtor.
Senatori Lindsey Graham nga Karolina e Jugut, një mbështetës i zotit Trump që e ka këshilluar ish-presidentin për procedurat e ardhshme, tha se "ka vetëm një grusht republikanësh, dhe numri i tyre po bie, të cilët do të votojnë kundër tij (zotit Trump)."
Senatorë të shumtë republikanë kanë thënë se zoti Trump mban një pjesë të përgjegjësisë për sulmin e dhunshëm në Kapitol që la pesë të vdekur, duke përfshirë një oficer policie vdekja e të cilit po hetohet si vrasje. Në një tubim të 6 janarit pranë Shtëpisë së Bardhë, zoti Trump vazhdoi të shprehte akuzat e tij të pabazuara për manipulim të zgjedhjeve që, sipas tij, ia mohuan atij një mandat të dytë presidencial dhe u bëri thirrje mbështetësve të tij të marshonin drejt Kapitolit dhe të "luftonin" për të penguar certifikimin e fitores së demokratit Joe Biden.
Në javët pasuese, autoritetet arrestuan dhjetëra protestues që sulmuan Kapitolin, që në mbarë botën shihet si simboli i demokracisë amerikane, dëmtuan disa zyra të Kongresit dhe u përleshën me policinë. Veprimet e dhjetra protestuesve të tjerë janë ende duke u hetuar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.