Futboll

Shumë të zinj dhe myslimanë në skuadër! Trajneri i PSG drejt shkarkimit të menjëhershëm

Gazeta Si – Nuk ka asnjë ditë paqeje te PSG, ku çështja e fundit që ka shpërthyer është ajo e trajnerit Kristof Galtier, i akuzuar për racizëm. Nga Nisa, ku kjo skuadër u rikthye te fitorja pas 2 humbjesh radhazi, vijnë lajme që e akuzojnë trajnerin Galtier për racizëm dhe diskriminim. Ai që e akuzon është ish-drejtori teknik i skuadrës, Julien Fournier.

Trajneri Galtier kishte mohuar gjithçka në shtator, por orët e fundit ka dalë një e-mail me ankesat e shprehura prej tij ndaj lojtarëve me ngjyrë dhe myslimanë të ish-skuadrës. PSG ka hapur menjëherë një hetim të brendshëm.

Galtier, duke folur me Mbape. Gazeta Si, 12 prill 2023

Bëhet fjalë për dy versione të kundërta dhe duhet kujtuar se raporti mes Fournier dhe Galtier u përkeqësua sezonin e kaluar, edhe pse trajneri u zgjodh nga drejtori teknik, një mik i tij, për të futur Nisën në shina. Zgjedhjet e merkatos dhe paraqitjet jo gjithmonë në lartësinë e duhur sollën tension.

“Galtier në zyrën time më ka konfirmuar atë që djali i tij më kishte thënë. Më shpjegoi se duhej të kisha parasysh realitetin dhe qytetin dhe se nuk mund të kishte shumë lojtarë me ngjyrë dhe myslimanë në skuadër. Nuk fliste me terma sportivë, por vetëm duke iu referuar besimit dhe ngjyrës së lëkurës”, - ka thënë Fournier.

Raporti mes të dyve u kris edhe më shumë kur u bënë përforcimet në merkaton e dimrit. Galtier u ankua sërish për lojtarët myslimanë. Në shtator trajneri mohoi gjithçka, duke replikuar me Fournier, kur ky i fundi për ‘RmcSport’ ishte shprehur se, nëse zbuloheshin arsyet e vërteta të divorcit, Galtier nuk do të drejtonte më asnjë skuadër në Francë dhe në Europë.

Për momentin trajneri mbetet në krye të skuadrës parisiene, por rreziku i shkarkimit të menjëhershëm është i madh. I sigurt është largimi i tij në verë, pasi klubi po sheh profile të tjera trajnerësh për sezonin e ardhshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë