Futboll

Shuhet Miço Papadhopulli, ish-president i FSHF dhe kampion i madh

Ka ndërruar jetë në moshën 86-vjeçare Miço Papadhopulli, ish-president i FSHF-së dhe ish-futbollist i Partizanit. Lajmi është bërë i ditur nga familjarët dhe nga FSHF-ja në faqen e saj zyrtare. Sporti dhe futbolli në veçanti humbet një nga figurat më të shquara të tij, ish-trajnerin dhe pedagogun që mbante titullin “Prof.Doktor”.

Papadhopulli ka qenë për 5 vjet president i Federatës Shqiptare të Futbollit, në periudhën 1997-2002, kurse më pas ka qenë president nderi i saj. Të gjithë e njohin si “Daja” ish-futbollistin e madh të Partizanit, me të cilin ka fituar 6 tituj kampion në periudhën 1950-1960. Miço Papadhopulli është nderuar me titujt “Mjeshtër i madh” dhe “Mjeshtër i Merituar”. Është një figurë shumë popullore në Shqipëri.

“Të dashur miq të familjes tonë të madhe të futbollit, me hidhërim të thellë dëshiroj të ndaj me ju lajmin e trishtë se Miço Papadhopulli, President Nderi i FSHF, një ish-mbrojtës i shkëlqyer, drejtues futbolli dhe mik i mirë, është ndarë nga jeta. Në këtë moment të vështirë për të gjithë ne, për familjen dhe miqtë e tij të shumtë, gjej rastin t’i shpreh familjes dhe të afërmve ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e njeriut të tyre më të dashur. Kujtimet që na ka lënë, do të jenë të paharruara”, - është shprehur Armand Duka, presidenti i FSHF-së, pas lajmit të hidhur të ndarjes nga jeta të Papadhopullit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë