Muzike

Shuhet Marie Fredrikson, këngëtarja e Roxette

Është shuar në moshën 61-vjeçare Marie Fredriksson, këngëtarja e dyshes suedeze Roxette. Prej mëse 17 vjetësh këngëtarja ishte në betejë me një kancer në tru. Në 2002 ajo tronditi fansat në mbarë botën kur njoftoi këtë sëmundje, ndërkohë që mjekët i kishin dhënë vetëm 1 vit jetë. Përkundër gjithçkaje, Marie vazhdoi të këndonte, madje publikoi edhe albumin e saj të fundit në vitin 2018. Ajo ishte e martuar me Mikael Bolyos me të cilin kishte dy fëmijë.

Familja bëri të ditur se popstar-i ishte varrosur në mënyrë private. Edhe Per Gessie, partneri i saj i një jete në grupin Roxette,, shprehu ngushëllimin e tij në një postim: “E gjithë dashuria ime për ty dhe familjen tënde. Gjërat nuk do të jenë më njësoj”.

https://twitter.com/PartyPleaser/status/1204377498525589504

Fredriksson, bashkëthemeluese e grupit me Per Gessle në 1986, ndërroi jetë të hënën në mëngjes, por njoftimi u konfirmua vetëm një ditë më pas nga familja. “Me trishtim të thellë ju njoftojmë se një nga artistet tona më të mëdha dhe më të dashura, ndërroi jetë. Marie Fredriksson na la mëngjesin e 9 dhjetorit pas sëmundjes së saj”, shkruante familja e saj në një njoftim të shkurtër për mediat suedeze.
Në 2020, teksa ishte duke bërë vrap me bashkëshortin, Marie ishte ankuar se nuk ishte ndjerë mirë dhe i kishte rënë të fikët. Këngëtares iu diagnostikua tumor në tru, i cili iu hoq më pas me ndërhyrje kirurgjikale, për të ndjekur më pas muaj e muaj kimioterapie. Tumori e la këngëtaren të verbër nga njëri sy dhe me kufizime në dëgjim; madje ajo nuk ishte në gjendje të fliste për muaj me radhë.

Gjithsesi, në 2004, vetëm gjashtë muaj nga diagnostifikimi me kancer, Fredriksson ia doli të publikonte albumin "The Change", ndërsa në 2005 deklaroi: “Këta ishin tre vjet shumë të vështirë, por tani jam shëruar. Nuk duhet më t’i nënshtrohem asnjë trajtimi”.
Deri në 2009, vit që shënon rikthimin e vërtetë të grupit në skena dhe koncerte, Roxette publikuan vetëm disa "Greatest Hits" dhe pak këngë si solistë.
Në total, dyshja ka publikuar nëntë disqe dhe ka bërë ture në mbarë botën, i fundit prej të cilëve u përmbyll në 2016. Në atë vit, Marie do të shkruante në Facebook-un e saj: “Kanë qenë 30 vjet të pabesueshëm. Provoj vetëm gëzim dhe lumturi kur shoh pas në turet botërore të Roxette. Të gjitha shfaqjet tona dhe kujtimet ndër vite, do të jenë përgjithnjë pjesë e rëndësishme e jetës sime. Jam tepër krenare dhe mirënjohëse që munda të rikthehem në 2009, pas sëmundjes sime të rëndë dhe që munda ta çoj Roxette nëpër botë edhe nja dy herë të tjera. Fatkeqësisht, tashmë ditët e mia në tur kanë mbaruar. Ndaj me këtë rast, dua të falënderoj të gjithë fansat tanë të mrekullueshëm që na kanë ndjekur në udhëtimin tonë të gjatë. Mezi pres që të publikojmë albumin tonë në qershor “Good Karma”, pasi për mua është albumi ynë më i mirë i të gjitha kohërave”.
Ky album i fundit arriti vendin e dytë në klasifikimet muzikore suedeze.
Roxette kanë shitur mbi 75 milionë disqe, ndërsa 19 këngë të tyre kanë qenë në majat e klasifikimeve muzikore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë