Njerez

Shuhet Hetem Qerimaj, babai i violinës shqiptare

Nga Gazeta Si - Ndahet nga jeta në moshën 88-vjeçare mjeshtri i violinës, Hetem Qerimaj.

Lajmin e ka bërë të ditur, i biri, Fatos Qerimaj përmes një njoftimi në rrjetet sociale.

“Të nderuar miq, me dhimbje ju njoftoj ndarjen nga kjo jetë të babit tim të dashur Hetem Qerimaj. Zoti e pranoftë në parajsë”, shkruan Fatos Qerimaj.

Në 85-vjetorin e tij, Hetemaj mbajti një koncert të titulluar “Harku i Triumfit të Qerimajve” në Amfiteatrin e Liqenit, së bashku me breza të tjerë artistësh nga e njëjta familje.

Hetem Qerimaj, mjeshtër virtuoz në violinë, krijoi kabanë e parë në violinë në moshën 22-vjeçare dhe e interpretoi në publik.

Hetem Qerimaj i cilësuar si harku i triumfit të familjes në një intervistë pak kohë më parë për ABC News do të rrëfente momente të veçanta që ka jetuar me violinën përgjatë jetës.

Violina ishte mikja që e ka shoqëruar përgjatë gjithë jetës “Mjeshtrin e Madh”, Hetem Qerimaj. Ai sfidoi dhe moshën dhe ia doli që të jetë aktiv edhe në moshën 85-vjeçare, pasi skena për të ishte jetë.

Ajo që e gëzonte artistin Hetem Qerimaj është vazhdimi i hallkave të zinxhirit në familjen e artistëve, e cila numëron 9 artistë dhe 3 breza. Por ai do të veçonte mes tyre dy violinistët e talentuar të familjes Qerimaj, të cilët sipas tij do jenë pasues të tij në violinë.

Hetem Qerimaj pir 18 vite punoi si violinist pranë Filarmonisë Shqiptare dhe në orkestrën e Teatrit të Operës (13 vjet të tjera).


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë