Njerez

Shuhet aktorja e famshme me origjinë shqiptare, Irene Pappas

Nga Gazeta Si - Aktorja greke me origjinë shqiptare, Irene Pappas, e cila ka luajtur në mbi 70 filma në karrierën e saj mbi 50-vjeçare është ndarë nga jeta sot në moshën 96-vjeçare. Në një intervistë të dhënë në moshën 90-vjeçare ajo e ka pranuar se është me origjinë shqiptare. 

“Nuk mund të largohem nga kjo botë pa thënë të vërtetën. Unë jam shqiptare. Kam lindur në vitin 1926 dhe emri im i parë ishte Leleek”, do të deklaronte ajo.

Aktorja lindi më 3 shtator 1926 në fshatin Chiliomodi, jashtë Korintit, Greqi. Familja e saj u transferua në Athinë kur ajo ishte 7 vjeç. Në adoleshencë ndoqi Shkollën Mbretërore të Artit Dramatik në Athinë. Gjatë karrierës së saj, ajo u konsiderua një simbol i bukurisë greke dhe një përfaqësuese e famshme e kulturës mesdhetare jashtë vendit, duke interpretuar role të rëndësishme në teatër dhe në kinema.

Adoleshenca e saj e gjen në Athinë duke ndjekur kurse aktrimi në Shkollën Kombëtare të Teatrit Klasik. Në moshën 15-vjeçare ajo nisi rrugën e saj artistike, pasi punoi si producente radiofonike, këngëtare dhe kërcimtare.

Në hapat e saj të parë në skenë, ajo mori pjesë në produksionet e Teatrit Kombëtar. Talenti i saj unik dhe interpretimet e shkëlqyera në tragjeditë antike si “Medea” dhe “Elektra” e bënë atë shumë shpejt të famshme. Dashuria dhe respekti i aktores për dramën antike ishte i madh.

Kur vendosi të ndalonte interpretimin e roleve të tilla, ajo deklaroi në një intervistë për gazetën “Avenire” në Romë: Vendosa që nuk do të aktroj më, sepse tragjedia ka një përgjegjësi të madhe. Dhe frika se nuk mund ta përballoja do të më bënte të ndihesha shumë keq.

Në 1961 Pappas luajti në The Guns of Navarone dhe në 1964 në Zorba the Greek të Cacoyannis, që e ktheu atë në një yll ndërkombëtar. Një nga paraqitjet e saj të fundit në film ishte në Mandolin e Kapitenit Corelli në 2001. Pappas fliste rrjedhshëm edhe italishten, duke marrë mjaft role në këtë shtet.

Kundërshtimi i saj ndaj diktaturës ushtarake të Greqisë (1967-1074) do ta dërgonte atë së bashku me artistë të tjerë, në mërgim në Itali dhe Nju Jork, por do të kthehej vite më vonë.

Për interpretimet e saj të shquara në kinema dhe në teatër Irena Papas është nderuar me disa çmime kombëtare dhe ndërkombëtare si: Aktorja më e mirë në interpretimin e rolit të Elektrës në filmin me të njëjtin titull në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit zhvilluar në Selanik, 1962, si aktorja më e mirë nderuar nga Bashkimi i kritikëve të Filmit grek, 1962, si aktorja më e mirë në rolin e dytë në filmin “Z” nga New York Film Critics Circle, 1969; aktorja më e mirë në filmin “The Trojan Women”nga National Board of Rewiew, 1971; me çmimin Distinguished Achievement Aëard nga Hamptons International Film Festival.1993; me çmimin e karrierës për interpretim në Teatër, 1993 “Flaiano”; me çmimin e karrierës nga Madrid National Arts Institution, 2000; me çmimin e karrierës nga International Festival Women’s films, 2000; me titullin Doktor i Arteve dhe letrave nga Universiteti i Romës, 2001; me çmimin e karrierës Woman of Europe.

Po kështu ajo është nominuar edhe për disa çmime të tjera ndërkombëtare si “Fennecus”si aktoria më e mirë në filmin “Into the Night”, 1985; aktorja më e mirë në filmin “Island” nga Australian Film Institute, 1989, etj.

Në vitin 1995, ajo mori çmimin e Komandantit të Urdhrit të Feniksit nga presidenti i atëhershëm grek, Kostis Stefanopoulos.

Në vitin 2018, u bë e ditur se ajo vuante nga sëmundja e Alzheimerit që e shoqëroi përgjatë gjithë pjesës tjetër të mbetur të jetës së saj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë