Politike

Shtyrja nga rritja e çmimit të energjisë, Berisha: Rama tërhiqet vetëm me presion

Gazeta Si - Sali Berisha tha se kryeministri Rama u dorëzua falë presionit për vendimin për mosaplikimin e rritjes së çmimit të energjisë për konsumatorët që kalojnë fashën e 800KW të shpenzuara në muaj.

Në konferencën e përjavshme, kreu i PD-së theksoi se mosrritja e çmimit të energjisë ka qenë apel i përsëritur i opozitës.

“U dorëzua. Para jush i kam dhënë një ultimatum që po rrite çmimin e energjisë do presësh atë që meriton. Por sidoqoftë vendimi i tij për t’u tërhequr nën presion që do të thotë vetëm presioni funksionon me këtë njeri. Bëri sikur guxoi po s’guxoi. U tërhoq. Kjo është e vërteta”.

Sa i përket rritjes së inflacionit në vend, të cilën kryeministri Rama e lidh me luftën në Ukrainë, Sali Berisha e hedh poshtë këtë teori.

“Mjeran, nuk është ekonomia zhgarravinë vizatimi. S’kanë asnjë lidhje me luftën ujërat tona. Po marrim naftë. Po pse në Mal të Zi të shitet 900 lekë më lirë se sa në Shqipëri? Kjo lufta ndikon vetëm në Shqipëri apo ndikon në Europë njësoj? Gënjeshtar? Rritja madhore e çmimeve rezultat në radhë të parë i bordeve. S’ka lidhje me luftën rritja e çmimit të djathit, qumështit, ka lidhje me Ballkanin e Hapur. Vërshimi i produkteve blegtorale serbe në tregun shqiptar, 250% të rritura”, theksoi kryetari i PD, Sali Berisha.

Mes të tjerash, Berisha deklaroi se ambasadorja amerikane Yuri Kim “flet si guvernatore” dhe “shkon në një super harmoni me elementë të diskredituar kombëtarisht dhe botërisht si Edi Rama apo Taulant Balla”.

“Zotimi i ambasadores se zyrtarët amerikanë nuk takohen me persona të dezinjuar, është një deklaratë sikur ta kishte bërë Edi Rama, sepse është gënjeshtër. Zyrtarë të lartë të Departamentit të Shtetit takohen me të dezinjuar apo edhe me “kukulla” të Vladimir Putinit”, - theksoi ai.

Berisha thotë se drafti i qeverisë për amnistinë fiskale nuk duhet të votohet. Në konferencën e përjavshme me gazetarët, Berisha deklaroi se amnistia fiskale është lobim i krimit dhe nuk bëhet për paratë e emigrantëve.

Kryedemokrati bëri thirrje edhe për deputetët që të mos e votojnë këtë draft.

“Ai deputet që voton aministinë fiskale të Edi Ramës ka votuar krimin. Edi Rama nuk i ka votat për amnistinë dhe është lobim i krimit, s’ka asnjë lidhje me emigracionin. Emigrantët ato para që i kanë i investojnë në vendin ku janë ose i sjellin në Shqipëri. Kjo është spekulim. Këtu është fjala vetëm për kartelet e drogës me të cilat ai është i lidhur, kështu që ai nuk mund ta kalojë atë amnisti”, deklaroi Berisha.

Kryedemokrati u ndal dhe tek kontrata për satelitët që kryeministri Rama prezantoi një ditë më parë.

Berisha e quan këtë një “akt talljeje dhe cinik dhe një akt të papërgjegjëshëm me të cilin Kryeministri Rama ka si qëllim që të mbulojë vjedhjet e tij”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë