Futboll

Shtyhet vendimi/ Prokuroria kërkon proces të ri, Juventusi: Anuloni -15 pikët!

Gazeta Si – Ka përfunduar audienca për çështjen e bilanceve të Juventusit, i dënuar me 15 pikë minus në kampionat. Vendimi është shtyrë për të enjten. Prokurori i përgjithshëm i sportit, Taucer, ka gjetur "një mungesë motivacioni në sentencë, që duhet vlerësuar në një proces tjetër", ndaj dhe ka kërkuar shtyrjen. Juventusi kërkon me forcë anulimin e dënimit me -15 pikë në renditje.

Nga audienca per Juventusin. Gazeta Si, 19 prill 2023

Zgjati gati 3 orë seanca në Kolegjin e Garancisë pranë Coni-t, që duhet të vendosë në lidhje me rekursin e Juventusit kundër sentencës së Trupës federale të Apelit, e cila më 20 janar e penalizoi klubin bardhezi me 15 pikë minus në renditje. Në atë vendim pati dënime edhe për drejtuesit e Juventusit.

Juventusi kërkoi anulimin e vendimit të mëparshëm, ndërsa Prokurori Taucer sugjeroi në mënyrë surprizë shtyrjen e vendimit për shkak se ka një mungesë motivacioni në atë sanksion, që duhet vlerësuar në një proces të ri.

Avokati i Juventusit, Mauricio Belakoza, ka folur për një sentencë të mbushur me gabime, ndaj dhe kërkoi anulimin e vendimit, duke qenë se janë shkelur principet bazë të procesit sportiv. Ai ka theksuar se në aktet e ‘Prisma’-s, që sollën rihapjen e procesit të plusvalencave, nuk ka referime për 15 operacionet e kontestuara nga Prokuroria federale.

Tani pritet se çfarë vendimi përfundimtar do të merret të enjten.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë