Sociale

Shtyhet vendimi për Kopshtin Botanik, Veliaj kërcënon

Pas vendimit të qeverisë për të kaluar Kopshtin Botanik në pronësi të Bashkisë së Tiranës, studentë të Fakultetit të Shkencave të Natyrës shkuan sot para Gjykatës Administrative për të protestuar dhe kërkuar që Kopshti Botanik të qëndrojë në pronësi të Universitetit të Tiranës.
Seanca në Gjykatën Administrative, ku do të shqyrtohej padia e Universitetit të Tiranës ndaj vendimit, u shty për në datën 20 tetor.
Dekani i Fakultetit të Shkencave të Natyrës, Spiro Drushku, në një prononcim për mediat tha se është i zhgënjyer nga MASR, pasi Kopshti Botanik nuk është park.
Ndërsa, Veliaj në mbledhjen e Këshillit Bashkiak lidhur me Kopshtin Botanik hodhi akuza mbi Partinë Demokratike, duke deklaruar se PD e ka vjedhur një pjesë të tij, duke i futur autostradën mes përmes.

“Kjo PD që proteston sot, i futi autostradën mes përmes Kopshtit Botanik. PD e ka vjedhur një copë të Kopshtit. Fuqia më e madhe që transformon në një qytet është bashkia. Këta flasin për të shkuarën, ne flasim për të ardhmen, dhe në mes të tetorit nis shkolla. Unë do të jem në Qytetin Studenti për të inspektuar punimet atje dhe akomodimin e studentëve”, tha ndër të tjera Veliaj.
Kryebashkiaku hodhi akuza edhe për rektorin Mynyr Koni, i cili më herët pati theksuar se VKM-ja në fjalë ishte në shkelje të plotë. Veliaj tha se Konit i kanë mbetur dhe pak ditë në krye të Rektoratit. “Rektori i përket të kaluarës, ta harrojë, sa të jem unë kryetar bashkie. Sa të kem forcë, sa të kem shokë, sa të kem kurajë do të vazhdoj të bëj maksimumin në këtë qytet”, shtoi kryebashkiaku.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë